LAJMI I FUNDIT:

‘Pengmarrja e diplomës’ ul interesimin e maturantëve për të studiuar mjekësinë në Shqipëri

‘Pengmarrja e diplomës’ ul interesimin e maturantëve për të studiuar mjekësinë në Shqipëri

Ligji i ri për Mjekësi në Shqipëri, që detyron studentët që pas përfundimit të studimeve të punojnë për pesë vjet në shtet dhe më pas të pajisen me diplomë, vlerësohet se është një prej faktorëve që kanë ndikuar në uljen e interesimit të maturantëve që të studiojnë në degën e Mjekësisë së Përgjithshme.

Sivjet, sipas të dhënave të Rrjetit Akademik Shqiptar, 1,734 maturantë kanë aplikuar në këtë degë, shifër më e ulët krahasuar me vitin paraprak kur kishte pasur 3,183 aplikime.


Ralf Lleshi, ka përfunduar maturën në shkollën “Ibrahim Rugova” në Kamëz. Ai ka aplikuar në degën për mjekësi të përgjithshme, por edhe në degë të tjera. Sipas ligjeve aktuale, maturantët shqiptarë mund të aplikojnë deri në dhjetë degë studimi dhe më pas të vendosin se në cilën degë duan të studiojnë.

Shqetësim, diplomimi pas pesë vjetësh punë

Lleshi thotë se është në pritje të vendimit nëse është pranuar në degën e mjekësisë së përgjithshme, por shpreh mëdyshje nëse do të zgjedhë këtë drejtim.

“E dëshiroj si degë, por është pak shqetësuese që nuk merr dot diplomën pasi përfundon studimet, deri pas pesë vjetësh punë. Kam pikëpyetjet dhe dyshimet e mia për mënyrën si do të zbatohet ky vendim, edhe pse e kuptoj që duhen marrë masa për të ndalur largimin e mjekëve”, thotë Lleshi.

Për shkak të këtyre mëdyshjeve, ai ka preferencë kryesore një degë tjetër, që do t’i mundësonte të punësohej më shpejt.

“Jam human si natyrë, më pëlqen t’i ndihmoj të tjerët dhe për këtë arsye më pëlqen mjekësia. Megjithatë, preferencë kryesore kam vendosur degën e inxhinierisë informatike. E shoh më të volitshme për të ardhmen, më pak vite shkollë, më shumë mundësi punësimi në një kohë të shpejtë”, thotë maturanti, që është në pritje të përgjigjes pas aplikimit për të vazhduar studimet universitare.

Diploma pas 11 vjetësh, vështirë të pranohet

Rënien e apelimeve prej rreth 40 për qind, ekspertja e arsimit, Valbona Nathanaili, e lidh pikërisht me “mbajtjen peng” të diplomës së mjekësisë.

Në korrik të këtij viti, Kuvendi i Shqipërisë miratoi ligjin e propozuar nga Qeveria për diplomat në mjekësi. Ata që duan të pajisen me diplomë, duke anashkaluar punën prej pesë vjetësh në shtet, duhet të paguajnë një tarifë të lartë studimesh që nuk është përcaktuar ende.

“Vendimi i Qeverisë, për të zgjatur pajisjen me diplomë për studentët e universitetit të vetëm publik mjekësor, nga gjashtë vjet në 11 vjet [gjashtë vjet studime universitare, plus pesë vjet punësim të detyrueshëm] edhe pse shoqëruar me ofertën e punësimit me përparësi, e ka ulur numrin e aplikimeve të maturantëve në përgjithësi, dhe të atyre me mesatare të lartë në veçanti”, thotë Nathanaili.

“Vështirë që një maturant, me mesatare të lartë, të kërkojë të studiojë në një universitet, që të pajisë me diplomë pas 11 vjetësh. Të mos harrojmë që ka një koherencë ndërmjet arritjeve akademike të fëmijës dhe nivelit arsimor e financiar të prindërve. Me ose pa sakrificë, prindërit do kërkojnë t’i çojnë fëmijët e tyre në një universitet tjetër dhe zgjidhja është kryesisht jashtë vendit. Në fakt, ka kohë që pjesa më e mirë e maturantëve zgjedhin të studiojnë jashtë vendit, shumë prej të cilëve edhe me bursa, falë politikave dhe vizionit të këtyre vendeve dhe universiteteve”, shton ajo.

Për të studiuar për mjekësi, maturantët duhet të kenë një mesatare mbi 8.5 në maturën shtetërore.

Shqetësimit të ekspertëve për rënie të nivelit të studentëve që do të zgjedhin mjekësinë, Ministria e Arsimit të Shqipërisë i është përgjigjur duke argumentuar se për të rritur cilësinë e studentëve të mjekësisë, përveç mesatares së kërkuar prej 8.5, ata do t’iu nënshtrohen edhe një testi vlerësues.

Sa mjekë i duhen Shqipërisë?

Për vitin 2023-2024 në Shqipëri janë rritur kuotat e pranimit të studentëve të mjekësisë në vit të parë, duke shkuar në 500. Por, për sa mjekë ka nevojë Shqipëria?

Ekspertja Nathanaili thotë se nëse do të mbahet kjo normë pranimi, pas 6 vjetësh – aq sa zgjasin studimet universitare – do të ketë 3.000 studentë apo mjekë të rinj.

“Po të hapësh faqen e Ministrisë së Shëndetësisë, nga të gjithë spitalet rajonale të vendit, vetëm ai i Durrësit ka hapur një thirrje për vende pune për dy kirurgë, më datë 4 gusht. Në total, për vitin 2023, në gjashtë spitalet rajonale që ka vendi, ka pasur kërkesa vetëm për 17 për mjekë të profileve të ndryshëm”, thekson ajo.

Vendimi i Qeverisë për diplomat është thënë se ka për synim frenimin e ikjes së mjekëve të rinj nga shteti.

Por, Nathanaili e sheh vendimin si politik dhe populist, duke qenë se, sipas saj, nuk ka një studim afatgjatë se çfarë do të sjellë një praktikë e tillë, e nga ana tjetër, siç shprehet ajo, nuk janë zgjidhur problematikat me të cilat janë ndeshur mjekët e rinj pas studimeve.

“Thjesht dimë që shumë mjekë të rinj po kërkojnë të punësohen jashtë vendit, si për shembull në Gjermani. Por, dimë edhe për shumë mjekë të rinj të tjerë, që edhe pse kanë aplikuar për të punuar në Shqipëri, nuk kanë gjetur vend pune, ose kanë qenë të pakënaqur me kushtet e punës dhe rrogës, dhe kanë gjetur më pas zgjidhjen e punësimit jashtë. Ka ndonjëra nga ministritë, nismëtare të këtij vendimi, ndonjë studim dhe grup ekspertësh që kanë një zgjidhje për problematikat e mësipërme?”, pyet ajo.

Drejtimi i mjekësisë së përgjithshme ndahet në dy cikle studimi prej tre vjetësh secila. Në ciklin e parë, studimet bazohen kryesisht në njohuri teorike. Në të dytin bazohen në praktikën klinike, pra përfshirjen e studentëve në praktikën mjekësore që ndjekin çdo ditë mjekët në pavijone të ndryshme në Qendrën Universitare “Nënë Tereza” në Tiranë.

Pas gjashtë vjetësh, një pjesë e studentëve, në varësi të nevojave të sistemit, vijojnë ciklin e tretë, atë të specializimit. Specializimi zgjat katër vjet, derisa mjekët e rinj të specializohen në drejtimin që ata zgjedhin.

Në Shqipëri, studimet e përgjithshme në mjekësi bëhen me vetëfinancim, sikurse edhe specializimi. Shteti paguan vetëm për një numër specializantësh, që e përcakton Ministria e Shëndetësisë për nevojat e sistemit shëndetësor.

Ligji i miratuar nga Qeveria shqiptare për diplomat është kundërshtuar nga studentët, të cilët kanë mbajtur disa protesta para Parlamentit. Ata i kërkuan presidentit të Shqipërisë, Bajram Begaj, të mos e dekretojë ligjin. Kreu i shtetit e ka shmangur shpalljen e dekretit, por meqë kishte kaluar afati, sipas Kushtetutës ligji hyn në fuqi. Studentët kanë deklaruar se do ta dërgojnë ligjin në Gjykatë Kushtetuese. /REL/

Në trend Lajme

Më shumë
Njësiti special serb “Kobra” dyshohet të jetë pjesë e trajnimeve të grupeve terroriste pranë kufirit me Kosovën

Njësiti special serb “Kobra” dyshohet të jetë pjesë e trajnimeve të grupeve terroriste pranë kufirit me Kosovën

Siguri
Togerja e Policisë së Kosovës fiton çmim ndërkombëtar për shërbim në komunitet

Togerja e Policisë së Kosovës fiton çmim ndërkombëtar për shërbim në komunitet

Siguri
A po e kushtëzon Sllovenia Kosovën me Asociacion për t'u bërë pjesë e Këshillit të Evropës - flet presidentja Pirc Musar

A po e kushtëzon Sllovenia Kosovën me Asociacion për t'u bërë pjesë e Këshillit të Evropës - flet presidentja Pirc Musar

Lajme
Italiania e dashuruar me Sarandën: Sa erdha thashë do të jetoj këtu, tani kam biznes

Italiania e dashuruar me Sarandën: Sa erdha thashë do të jetoj këtu, tani kam biznes

Lajme
Meta: Ambasadorin italian do ta kisha shpallur “non grata” në Shqipëri

Meta: Ambasadorin italian do ta kisha shpallur “non grata” në Shqipëri

Lajme
Konkursi për gradimin e policëve, dyshohet për favorizime të familjarëve të eprorëve

Konkursi për gradimin e policëve, dyshohet për favorizime të familjarëve të eprorëve

Siguri
Kalo në kategori