LAJMI I FUNDIT:

Peci tregon si u tjetërsuan pronat e Ministrisë së Bujqësisë, fton prokurorinë të veprojë

Peci tregon si u tjetërsuan pronat e Ministrisë së Bujqësisë, fton prokurorinë të veprojë

Ministri i Bujqësisë, Faton Peci, thotë se para disa muajsh ka kërkuar themelimin e një Komisioni që adreson vërejtjet e vazhdueshme gati një dekadëshe të Auditorit të Përgjithshëm rreth menaxhimit të pronave të Institutit Bujqësor të Kosovës në kuadër të Ministrisë së Bujqësisë.

Peci, përmes një postimi në Facebook, ka thënë se “të gjeturat janë skandaloze, shumë më skandaloze sesa vërejtjet e marra në vazhdimësi nga Auditori”.


“Fatkeqësisht nuk është abuzuar vetëm në kategorinë e subvencioneve dhe granteve. Skandalet dhe abuzimet më të mëdha na dalin të jenë tek menaxhimi i pronave”.

Peci thotë se “është e pa-pranueshme se si para syve të institucioneve qendrore e lokale, ne zemër të Prishtinës, në Ulpianë ështe zhvatur prona e Ministrisë së Bujqësisë duke u lejuar apo duke mbyllur sytë karshi: Ndërtimeve të jashtëligjshme dhe ndërtimeve të vrazhda pa asnjë pasojë nga organet relevante të thirrura për ndalimin e ndërtimeve pa leje; uzurpim dhe tjetërsim i pronës publike të Ministrisë nga individë që nuk janë kontrolluar asnjëherë nga institucionet e thirrura për ta realizuar një gjë të tillë; tejkalim në objekte banimi dhe lokale afariste”.

Sipas Pecit, “operatorët ekonomikë/palë të treta në këtë lëmsh të krijuar, paguajnë qira për objektet e tyre afariste mirëpo jo titullarit faktit të pronës”.

“Rasti tjetër tejet abuziv e shkatërrues për pronën publike është ndërtimi i rreth 25 vilave, prej tyre një numër i konsiderueshëm ndërtime të vrazhda në Prona të Institutit Bujqësor të Kosovës në Joshanicë të komunës së Pejës respektivisht në Stankaj”.

“Ditëve në vijim do të marrim të gjitha veprimet administrative dhe ligjore, që do të mundësojnë rikthimin e ligjshmërisë, kthimin e këtyre aseteve dhe pasurive tek titullari, valorizimin e pronës dhe rritjen e inkasimit të mjeteve në shërbim të interesit të qytetarëve të Kosovës”.

Peci thotë se “në gjithë këtë katrahurë është i pashpjegueshëm mos-veprimi në radhë të parë i Ministrisë së Bujqësisë për një dekadë, mungesa e vullnetit të Ministrave të kaluar për ta çuar më tutje këtë cështje, inspektorëve të ndërtimit në nivel të komunave në këtë rast në komunën e Prishtinës dhe Pejës të cilët nuk kanë marrë parasysh as elementet bazike siç janë: E drejta pronësore dhe juridike. Mënyra se si janë pajisur me leje ndërtimi, renovimi, anekse të ndërtimit (nëse i posedojnë) pa aprovimin e titullarit të pronës? Si është mundësuar ndërtimi i vrazhdë, ndërtimi i anekseve pa aprovimin dhe posedimin e çertifikatës së pronësisë, kopjes së planit të projektit që duhet dorëzuar në drejtoritë e urbanizmit nga titullari i pronës? Ku ishte inspektorati i ndërtimit i komunës së Prishtinës që edhe sot që po e shkruaj këtë postim/denoncim, në bazë të informacioneve po vazhdojnë punimet e kundërligjshme në pronën e Ministrisë së Bujqësisë? Kush mund të lëshojë me qera pronën e Ministrisë së Bujqësisë pa aprovimin e titullarit të pronës?”

Andaj, për të gjitha këto veprime të kundërligjshme, Peci fton Prokurorinë e Shtetit që të vihet në shërbim të zbardhjes së këtyre rasteve abuzive sepse  adresimi i këtyre problemeve të shtresuara, nuk zgjidhet vetëm me adresime administrative. /Telegrafi/