LAJMI I FUNDIT:

Patologjia e përditshmërisë

Patologjia e përditshmërisë

Intervistë me shkrimtarin, studiuesin dhe kritikun Ramadan Musliu (1954-2020)

Intervistoi (shkurt 2017): Bardh Frangu


Cilën pyetje më shpesh i bëni vetes?

Në këtë kohë kur njeriu pret verifikimin e gjithë atyre pritjeve, të cilat dikur i trajtonim si një të ardhme hipotetike, për të cilën në veçanti inteligjencia supozonte se ka investuar në ndërtimin e bazamentit moral të një shoqërie të ardhme, nuk ka se si të mos jetë tani në një pozicion observuesi i gjithë asaj që po ndodh, patologjisë së përditshmërisë, nga fakti se një shtresim i paktë i këtij formacioni janë përjashtuar nga jeta reale. Kësaj inteligjencie i paskan munguar rrënjët, do të thoshte Karl Manhajmi. Nuk ka ndryshe se si të mendohet për një shtresim të shoqërisë e cila ka degraduar në “mbajtës të çantave” të pushtetarëve satrapë, të despotëve që i ka prodhuar mendësia staliniste e mjedisit primitiv. Realiteti ynë dhe liria jonë është një komedi me një përfundim tragjik.

Cili është udhëtimi juaj i zakonshëm brenda një dite?

Meqenëse i takoj atij grupi që është nën embargo, madje edhe sociale, gjë që u bë nga këto subjekte politike represive, të cilat sot i trajtojmë, së paku disa prej nesh, me eufemizëm si “çlirimtarë”, sepse janë të njëjtit që kanë hartuar lista për likuidime fizike, edhe harku i frekunetimit është i reduktuar në masë të madhe: takim me miq në kafe dhe humbje në faqet e librave. Kjo ma kujton atë pohimin e njohur të Zhak Monos, për askezën shkencore, e cila është e pamundur në një shoqëri barbare, prandaj edhe kemi një askezë negative dhe për pasojë humbje në libra për të ikur nga realiteti. Në një shoqëri ku nuk ka përgjegjësi institucionale dhe standarde morale, njeriu duhet së paku t’i japë llogari vetvetes. Kjo “vetvetja” këtu është e humbur.

Cili libër qëndron më dukshëm në vitrinën e kujtesës suaj?

Mbase shumëçka në jetë shkon në pajtim me moshën. Ka pasur periudha kur kam lexuar disa libra paralelisht: një libër proze, një poezie, ndonjë libër filozofie apo teoriko-estetik, etj. Po shpesh gjërat varen edhe nga rrethanat. Vetë situata në të cilën gjendemi si shoqëri të bën të mendosh mbi shkaqet të cilat na sollën deri këtu, prandaj ka vite e vite që më shumë lexoj libra historie.

Si ndiheni në këtë krizë të thellë morale, përkatësisht identitare?

Dy janë mënyrat e reagimit në këtë situatë: të mos pajtohesh e të protestosh ndaj një realiteti të dhunshëm, despotisë post-totalitare ekstremisht primitive, apo të pajtohesh me filozofinë e gomarit, duke e trajtuar realitetin si një ëndërr të keqe. Kjo shoqëri është atakuar në thelb nga të gjitha anët sa të duket se je në një fuqi me gozhda që të therin në të gjitha anët. Neveritem tek shoh femrat e vetërobëruara, djemtë e rinj me mjekra dhe pantallona të shkurtra dhe evropianistët që mendojnë se liria e njeriut vjen nga tempujt fetarë. Ec e mos u neverit nga intelektuali që rri gojëhapur dhe dëgjon hoxhën dhe priftin, tek u servojnë të vërtetat e tyre dhe pret lirinë nga mendjet e robëruara.

Çfarë mund të thuash për kulturën dhe zhvillimet e saj?

Jemi popull shumë i lumtur në fatkeqësinë e vet. Letërsia jonë i është kthyer kohës kur ka dalë romani kurioz edhe për kohën,”Gjarpijtë e gjakut” të Demaçit dhe gjarprin e shndërruam në simbol. Na jemi ende robër të këtyre klisheve. Ka indicia se në botën e kinematografisë, edhe pse filmi është një art që nuk i përgjigjet mundësive ekonomike të këtij shteti, se po kultivohet një mendim i ri, mendim ndryshe. Shihe ambientin tonë si është i stolisur me skenografi revolucionare!? Sa përmendore që kanë “krijuar” skulptorët e realizmit socialist të modelit te Mentaz Dhramit?! E gjithë kjo dëshmon se sa na pëlqen satrapia dhe dhuna. E gjithë kjo ndodh ngase në mendësinë totalitariste (post-totalitariste) nuk lejohet vakuum, sepse duhet mbuluar hapësira se mund të instalohet armiku i brendshëm në të me idetë e veta. Më qeshet nga tragjedia jonë e pambarim.

Si ishte dje, si është sot dhe si do të jetë nesër?

I gjithë ky realitet bizar dëshmon të vetmen gjë: në këtë vend nuk ka të ardhme. Njeriu ynë, veçanërisht rinia, vepron me instinkt, të gjithë duan të ikin nga atdheu. Një njeri që ikë nga shtëpia e vet ose është i çmendur ose e ka shtëpinë me gjarpërinj!

Një pikturë, një poezi, një këngë dhe një film që do ta kishit veçuar?

Mirëpo vepra që e mbulon në plotëni realitetin tonë është romani “Mjeshtri dhe Margarita” i Bullgakovit, ku Volandi, Azazelo dhe Maçoku janë alfa dhe omega e jetës sonë. Edhe këtu gjarpri është personazhi kryesor që vjen nga lashtësia dhe është dëshmitar I gjithçkaje. Do të veçoja filmin “Fluturimi mbi folenë e qyqes” të Formanit. Në muzikë parapëlqej atë klasike, veçanërisht muzikën e George Frideric Handel, tek e cila gjej ritme tejet moderne. Kurse nga piktura me pëlqen mozaiku artisti i Naxhi Bakallit.