LAJMI I FUNDIT:

Paratë kthehen, pasi të bëhen ligjet

Paratë kthehen, pasi të bëhen ligjet

Miratimi i ligjit të pensioneve dhe themelimi i tregut të kapitalit, do të mundësonte që paratë e trustit dhe parat nga privatizimi i ndërmarrjeve shoqërore të Privatizimit të investohen në Kosovë. Mos ndryshimi i rregulloreve të UNMIK-ut nga Qeveria e Kosovës edhe dy vite pas pavarësisë, ka bërë që këto mjete të mbahen jashtë vendit.

Ekspertë të ekonomisë i kanë thënë gazetës Lajm se ndryshimet e ligjit do të bëheshin lehtë, sikur të kishte një ide më të mirë për investimin e tyre në Kosovë. Eksperti i ekonomisë, Bedri Selmani, tha se Institucionet janë vonuar shumë në miratimin e këtyre dy ligjeve, që do të krijonin mundësi për kthimin e mjete të Trustit dhe të privatizimit në bankat e Kosovës.

“Mungesa e këtyre ligjeve pa mundëson që edhe aksionet të shiten për çdo ditë dhe me këtë rast nuk mund të ketë zhvillim të qëndrueshëm ekonomik. Mungesa e ligjit për mjetet të cilat kanë të bëjnë me pensione dhe ku duhet të jenë dhe çfarë duhet bërë me to, krijon boshllëk të madh edhe për ekonominë e vendit”, theksoi Selmani.

Ish-kryetarja e Komisionit Parlamentar për Ekonomi, Tregti dhe energjetikë, Myzejene Selmani, tha se mbajtja jashtë vendit e këtyre mjeteve bëhet në bazë të rregulloreve të UNMIK-ut, dhe Qeveria asnjëherë deri më tani nuk ka marr asnjë hap për ndryshimin e ligjeve, siç është ai mbi huat publike dhe letrat me vlerë.


Zëdhënësi i Agjencisë Kosovare të Privatizimit, Ylli Kaloshi, tha se nga kamata prej deponimit të shumave të fundit, Fondet e Mirëbesimit do të përfitojnë 1 milion e 700 mijë euro. Deri më tani AKP ka deponuar në BQK gjithsej 460 milionë euro.

Ndërkaq, Trusti i ka jashtë vendit mbi 449 milionë euro kurse ka investuar në bankat e Kosovës vetëm mbi 33 milionë euro. /Telegrafi/