LAJMI I FUNDIT:

Paralajmërohet marrëveshje për lëvizjen e mallrave

Paralajmërohet marrëveshje për lëvizjen e mallrave

Në pakon e marrëveshjeve të arritura në dialogun mes Kosovës dhe Serbisë nuk është përfshirë lëvizja e lirë e mallrave. Problemet tregtare me Serbinë, sipas drejtuesve të Qeverisë së Kosovës, pritet të zgjidhen nëpërmjet bisedimeve shtetërore që janë duke u zhvilluar në Bruksel.

Lëvizja e lirë e mallrave, sipas tyre, do të jetë në pakon e dytë të marrëveshjes. “Është paralajmëruar marrëveshja edhe për lëvizjen e lirë të mallrave në kuadër të bisedimeve në pjesën e dytë të korrikut”, ka thënë Mimoza Kusari-Lila, ministre për Tregti e Industri.

Nëpërmjet bisedimeve ndërshtetërore, sipas Qeverisë së Kosovës, deri më tash janë arritur tri marrëveshje. Raundi i pestë i dialogut mes Prishtinës e Beogradit ka pajtuar palët që të merren vesh për lëvizjen e lirë të qytetarëve dhe automjeteve, për njohjen reciproke të diplomave universitare, si dhe për kthimin e regjistrave civilë të Kosovës nga Serbia.

Sa i përket lëvizjes së mallrave, ministrja për Tregti e Industri, Kusari-Lila, pati paralajmëruar aplikimin e taksës doganore për Serbinë dhe Bosnjë-Hercegovinën, dy shtete këto që nuk njohin vulat doganore të Kosovës që prej shpalljes së pavarësisë së vendit. Kjo nuk kishte ndodhur më 15 qershor të këtij viti ashtu siç ishte paralajmëruar nga qeveritarët, me arsyetimin se ky aspekt është futur në agjendën e bisedimeve dhe mund të prodhojë marrëveshje në korrik, shkruan Koha Ditore.


Ministrja Kusari-Lila pati deklaruar se kjo masë do të aplikohej para mbajtjes së raundit të pestë të bisedimeve dhe nëse kjo nuk do të kishte efekt ndaj palës serbe atëherë do të merrej vendim qeveritar për bllokadë të plotë të mallrave nga shteti fqinj, përfshirë edhe bllokimin e transitit nëpër Kosovë.

Bllokada tregtare nga Serbia dhe Bosnja nuk ishte diskutuar as nga shtetet anëtare të CEFTA, edhe pse ky mekanizëm gjatë këtij viti kryesohet nga Kosova. Sekretariati i këtij mekanizmi që ka rol arbitrazhi për problemet mes vendeve anëtare, më herët i kishte kthyer përgjigje Kosovës se rasti i kësaj bllokade tregtare kishte të bënte me çështje politike dhe se duhej të zgjidhej mes palëve të përfshira në kontest.

Në vitin 2007 para bllokimit të mallrave Kosova eksportoi në Serbi mallra në vlerë prej afro 20 milionë eurosh, ndërsa në Bosnjë-Hercegovinë diku mbi 5 milionë euro. Në këtë vit, Bosnja kishte eksportuar në Kosovë mallra në vlerë mbi 20 milionë euro, ndërsa Serbia në vlerë prej 222 milionë eurosh. Dy vjet më vonë shifra e eksportit nga Bosnja është rritur në mbi 80 milionë euro, ndërsa e Serbisë deri në 260 milionë euro. /Telegrafi/