LAJMI I FUNDIT:

Panorama e letërsisë shqiptare është shumë e varfër dhe njëdimensionale

Panorama e letërsisë shqiptare është shumë e varfër dhe njëdimensionale
Ilustrim

Intervistë me shkrimtaren dhe muzeologen Elsa Ballauri
Bashkëbisedoi: Mark Simoni

Sa vlera ka letërsia jonë e traditës dhe a mendoni se ajo ka ndikimin e duhur në frymëzimin e lëtersisë sonë të re?


Kjo është një pyetje që kërkon një përgjigje shumë të gjatë, sepse mendoj se ne akoma nuk e kemi zbuluar deri në fund letërsinë tonë të traditës dhe ky fenomen duhet parë në kontekste të caktuara historike. Megjithatë, mendoj se në lidhje me vlerën, gjithmonë dhe në çdo vend, letërsia e traditës, sado pak të jetë shfaqur dhe sapo shumë të jetë fshehur, gjithmonë ka një vlerë të madhe dhe shumë të rëndësishme sepse lidhet me identitetin.

Mendoj se letërsia e traditës, d.m.th. fillimet e saj, kanë ndihmuar kryesisht për formimin identitar, paçka se kjo gjë nuk erdhi nga një shoqëri e zhvilluar shqiptare e asaj kohe, por erdhi vetëm nga pak intelektualë shqiptardashës të cilët e mbanin veprimtarinë e tyre letrare jashtë Shqipërisë – kjo krijoi edhe frymën e Rilindjes.

Përsa i takon ndikimit në letërsinë tonë të re, edhe kjo kërkon një analizë më vete. Periudha e komunizmit bëri çfarë deshte edhe me letërsinë e traditës, nga njëra anë i cilësoi brilante disa vepra dhe shkrimtarë që nuk i prishnin punë ideologjisë komuniste, ndërsa shume të tjerë, ose mbetën të panjohur, ose u quajtën armiq.

Panorama e letërsisë shqiptare është shumë e varfër dhe njëdimensionale. Në një kohështrirje pak më shumë se sa një shekull, periudha më e rëndësishme, fatkeqësisht është ajo e kohës së diktaturës. Kohët e mëparshme janë vetëm penelata të hedhura kalimthi, që megjithëse kanë pasur shumë ngjyrime interesante, nuk iu është kushtuar vëmendje.

Nëse do të flasim për një traditë relativisht të re, por shumë të gjatë, është periudha komuniste. Politika komuniste krijoi një stil, një mënyrë, një model ku edhe letërsia u kornizua në këtë mënyrë.

Ajo që është për të ardhur keq është se sa pak vend po i lemë asaj që i themi traditë e vjetër, të gjejë dritë në sytë e lexuesve.

Dhe kjo nuk vjen rastësisht… Mbyllja, eliminimi, vrasja e shumë shkrimtarëve dhe shkrimeve të viteve 1920-‘30 e dëmtoi mendimin artistik shqiptar, kritikën letrare, etj. Zbulimi i kësaj periudhe kërkon vëmendje dhe shumë dashuri. Trajtimi kësaj periudhe kërkon shumë punë dhe kujdes. A i kemi këto në atë shkallë mirënjohje që t’i bëjmë të pranishme edhe për brezat e rinj ?

Përsa i takon ndikimit të letërsisë së traditës në letërsinë e sotme, unë nuk mendoj se në kemi bërë punë të mjaftueshme për ta njohur letërsinë e vjetër, p.sh. atë të para Luftës se Dytë Botërore, ajo është shumë më e madhe se sa është shkruar për të. Dhe sa më shumë kalon koha, aq më shumë do ta harrojmë këtë rol – për të hulumtuar, njohur dhe pranuar.

Do të thosha se nga çdo periudhe tjetër, trashëgiminë kryesore e kemi nga letërsia e kohës së totalitarizmit.

A mendoni se letërsia jonë e sotme ka dinjitetin e mjaftueshëm të një letërsie të shkruar në liri, larg klisheve të letërsisë së socrealizmit? A ka ndryshuar ajo në stil, në mentalitetin artistik, në metodologji letrare?

Kjo varet se si kuptohet liria, të kuptuarit e konceptit të lirisë përcaktojnë edhe kontrollin apo vetëkontrollin e shkrimtarëve. Ndonjëherë liria është dekurajuese në vend që të jetë frymëzuese dhe e kundërta. Prandaj shumë vepra të mrekullueshme kanë dalë në kushte të mungesës së lirisë.

Letërsia e pas viteve ’90 ka shumë pasoja nga periudha e mëparshme dhe ato vijnë kryesisht, sepse mentaliteti politik dhe social ka ndikuar edhe atë artistik. Nevoja për mbijetësë sidomos në vitet e para të ndryshimit e uli nivelin e kërkesës estetike.

Ky është një proces i gjatë dhe do të jetë akoma më i gjatë nëse ne nuk do të bisedojmë për këto çështje. Asnjëherë nuk do ta kuptojmë se jemi duke imituar klishetë e dikurshme, nëse nuk do t’i diskutojmë këto klishe. Me duket shpesh se edhe me letërsinë po merremi njësoj si me politikën, harrojmë dhe kemi frike të flasim për të kaluarën.

Ashtu sikurse nuk bisedojmë për krimet e komunizmit, po ashtu nuk flasim as për skematizmin e shëmtuar të artit dhe letërsisë së asaj kohe.

Meqë folëm për lirinë, ajo që do ta shpëtojë shkrimtarin nga ato që thamë më lart, është liria e shpirtit, ajo që e ndërton edhe vetë qënien e shkrimtarit.

Sa është arritur të çlirohet shpirti nga robëria? Sepse robëri do të quaja edhe diskriminimin, paragjykimet, negativizmin, frikën… këto dyshoj se janë riparuar megjithë ndryshimin politik të sistemit.

Ç’mendoni për letërsinë tuaj të deritanishme dhe të ardhshme…

Unë e kam nisur karrierën letrare si poete, botova në vitet e gjimnazit tim dhe përpara 1990-tës, dolën në publik dy libra me poezi. Jam në një gjendje pak të veçantë artistike, ashtu siç isha edhe kur botoja intensivisht: nuk më bën shumë përshtypje botimi, e rëndësishme për mua është nëse shkruaj apo jo.

Në këtë lloj gjendje, mund te them se pushova së botuari, prej vitesh, por vazhdoj të shkruaj. Që prej fillimit, e kam ndjerë poezinë si një gjendje shumë personale, që më takon vetëm mua. Megjithëse rasti dhe koha e sollën që unë të botoja, ajo pjesë e vogël e imja që luftonte të ruante privatësinë, sidomos pas viteve 1990, filloi të triumfonte. Kjo edhe sepse botimet e atyre viteve ishin shumë të varfra në aspektin e kujdesit redaksional dhe me një ortografi të çmendur. Asokohe, kjo ishte një gjë e rëndësishme për mua.

Nuk do të pranoja të më quanit shkrimtare nëse do të nuk do të kisha me dhjetëra fletë të shkruara nëpër tavolinat e mia. Por, ato më presin mua, me qartë, presin frymëzimin tim për të botuar sërish. Pas një kohe të gjatë të zënkave me veten time, e shoh që ka ardhur koha të botoj. Një libër tjetër me poezi dhe një novele nga ngjarje të familjes sime… edhe nëse unë nuk do pranoj t’i nxjerr këto në publik, është një Elsë tjetër brenda vetes, shumë nostalgjike dhe mirënjohëse për njerëzit me të cilët kam jetuar dhe jetoj.

Ju jeni një koleksioniste shumë e suksesshme. Në raport me fushën tuaj të koleksionimit, a mendoni se ka ndikuar edhe frymëzimi për të bukurën, apo dhe më gjerë, frymëzimet kulturore dhe artistike?

Koleksioni është një fjalë që e kam mësuar herët në fëmijëri. Është një identitet familjar i dhuruar nga babai im, Robert Ballauri, miku më i mirë që kam pasur në jetë. Ai ishte një koleksionist par-excellence, njohës i mirë i koleksioneve të tij të pullave dhe historisë postare dhe jo vetëm. Ishte një burrë i ditur që më jepte përgjigje për pyetjet e mia të shumta që në fëmijëri. Ishte ai që u bë shkas që unë të botoj librin tim të parë me poezi.

Sa më shumë jetoja në botën e koleksionizmit në familje, aq më shumë më shtoheshin ngjyrat, më përmirësohej shija artistike, kuptova edhe se koleksionimi ishte pasion edhe i gjyshes time, ishte me shumë se im atë, apo unë më vonë, pra ishte një kulturë familjare.

Objektet e vjetra kanë qenë dëshira ime për koleksionim. Unë magjepsesha nga historitë e gjyshes time kur më tregonte se në ç’dyqan të Vjenës e kishte blerë kuletën prej fildishti. Historitë e objekteve janë frymëzimi im i parë për pasionin e koleksionimit.

Të ruash dhe ta duash objektin që ke është njëra anë, por e vështirë për një koleksionist si unë që nuk dëshiroja ta lëshoja nga dora. Asnjëherë nuk e blija apo pranoja diçka për ta shitur. Dhe, ishte lumturi kur kënaqësinë e ndaje me miq që kishin të njëjtin pasion. Por, akoma ishte vetëm kaq, dhe kaq nuk ishte e mjaftueshme.

Na prezantoni para publikut dhe lexuesit muzeun tuaj të grave, fondin e këtij muzeu dhe ndonjë objekt të rrallë të tij…

Muzeu ishte frymëzimi im i një momenti sekondash. Për çudi në ato sekonda unë e vizatova në mendje. Muzeu erdhi tamam në kohën e duhur, ishte një pretekst, një çmim që mu dha nga qeveria danezë dhe quhej Pishtari i Grave, me një slogan “Të besh diçka më shumë për gratë”. Ishte një çmim për një grua në çdo vend të botës dhe ne të gjitha duhej të zotoheshim që personalisht duhej të bënim diçka në të mire të grave në vendet tona.

Unë thashë: Një muze të grave, pa ditur se a ekzistonin të tillë dhe pa ditur ku ishin. Ama u çlirova nga ankthi i egoizmit që më kishte mbërthyer deri atëherë që t’i shijoja vetëm unë ato objekte të mbledhura me dashuri.

Muzeu ka një fond shumë të madh objektesh, një pjesë, siç ju thashë janë trashëgimi nga familja ime. Por, mënyra se si është kuruar muzeu nuk është vetëm mbi objektet e koleksionit, por edhe me instalacione për tema të caktuara.

Siç ju thashë më parë, kur e mendova për muze, e vizatova në mendje, ai vizatim qëndron pothuajse i plotë edhe sot.

Muzeu është ideuar mbi një kalim kronologjik të etapave historike. Për mua muzeu është ende një enigmë, sepse kam kuptuar se dimë shumë pak gjëra për gratë e Shqipërisë. Kemi nevojë të rrëmojmë arkivat dhe memoriet për të zbuluar thesare të mrekullueshme. Ky është një qëllim i madh, por edhe pak sikur të bëhet do të jetë një copëz e vogël kontributi për një shoqëri që ka nevojë të kuptojë se harrimi është vetëvrasje. /Mapo/