LAJMI I FUNDIT:

Panoptikoni i “Vëllait të Madh” përballë sinoptikonit të publikut

Panoptikoni i “Vëllait të Madh” përballë sinoptikonit të publikut
Ilustrim

Nga: Gëzim Tushi

Debati që zhvillohet dhe që ka kapur sinoptikonin e analizës së publikut, shpeshherë duke vënë në diskutim edhe panopitikonin e “Vëllait të Madh” [Big Brother]. Kjo është një ngjarje sociale me shikueshmëri dhe audimetër të lartë televiziv, për të cilin ia vlen të diskutohet, jo për ta mohuar, por për ta bërë më shëndetshëm dhe biofilik, të lidhur me natyrën dhe nevojat e shoqërisë dhe njeriut postmodern i cili i ndodhur individualisht, i përballur me turbulencat e postmodernitetit të cilat përgjithësisht duhet t’i përballojë vetë me energjitë, forcat, vullnetin, vigjilencën sociale dhe aftësitë e zgjeruara të orientimit urban, sikurse thotë sociologu Zigmunt Bauman, ka nevojë për këshilla utilitare sociale, për “shembuj socialë” për të parë, mësuar dhe krahasuar modelet se si i kanë trajtuar problemet burrat apo gratë e tjera që kanë pasur halle të ngjashme. Kështu që nihilizmi, tallja apo konsiderimi si gjë e gabuar, me efekte çorientuese i spektaklit, nuk është qëndrim i drejtë. Nga ana tjetër, i gabuar është edhe dogmatizmi edukativ, apo pritmëritë e hipertrofizuara për ndikimet etike të tij.


“Vëllai i Madh” nuk e meriton të humbasë thelbin deontologjik, vlerën publike e as të katandiset në një “lojë” e zhvilluar si qëllim në vetvete, por larg çdo synimi apo objektivi social. Njerëzit e ndjekin masivisht këtë spektakël. Një pjesë për kuriozitet dhe argëtim, disa për të plotësuar kuotat e “ushqyerjes” së vanitetit individual, ca të tjerë për të stërholluar format e sjelljeve ekzibicionale, të tjerë me synimin që përmes paradigmave të zhvilluara nga banorët e “Shtëpisë” dhe duke njohur përvojat e tyre jetësore, duke “lexuar” dhe njohur hallet e të tjerëve mund të kuptojë dhe t’u “verë emër” halleve e shqetësimeve të veta. Jam i sigurt që shumë njerëz, duke parë spektaklin, nuk kanë vetëm synime të argëtimit, vanitetit apo “djegies” së kohës së tepërt.

Ka shumë njerëz që qëndrojnë para ekranit, vëzhgojnë me “vigjilencë sociale” dhe individuale për të mësuar si duhet të veprojë në zgjidhen e problemeve vetjake analoge, si mund të përballojë vështirësitë, pengesat, intrigat e kësaj jete që ka aq shumë negacione në thelbin e saj. Besoj se është një nga mesazhet që duhet të vijë nga “Vëllai i Madh”, në mënyrë që njerëzit, duke parë përvojat e njerëzve të “zgjedhur” apo të “përzgjedhur”, të zbulojë edhe shkaqet e halleve, problemeve dhe palumturisë vetjake, përmes shansit elektronik dhe mundësisë virtuale për të bërë të mundur telespektatorin që t’u “verë emër” atyre halleve, të mësojë për mënyrat si duhet t’i shikojë dhe vlerësojë, por edhe për mjetet jetike e komunikative që duhet të përdorë, në mënyrë që të rezistojë dhe t’i mposhtë ato.

Qoftë edhe për kaq, vlera e spektaklit, mesazhet që transmetohen në “eterin social” dhe “atmosferën civile”, nuk është pak. Kjo besoj është e mjaftueshme që të gjykosh sociologjikisht pa ambiguitete morale të dyshimta dhe të sjellësh argumente se pse nuk mund dhe nuk duhet të jemi apriori kundër apo totalisht nihilist të vlerave të “Vëllait të Madh”. Ka gjithmonë zëra në publik që ankohen, duke stigmatizuar qoftë spektaklin en block, apo edhe lojën e personalizuar të secilit banor, nën gjykimin moral dhe paragjykimin deontologjik të vlerësimit thjeshëtzues sikur medoemos shembujt që propagandohen janë paradigmë për t’u ndjekur në jetën tonë sociale. Kjo nuk është e vërtetë dhe synimet e “Vëllait të Madh” nuk janë kaq absolute, apo me pretenciozitet sociale e qëllime deterministe.

Dëshira për të imituar apo ndjekur shembuj nga jeta e personazheve, për të mësuar nga sukseset, dështimet konkurruese dhe pësimet në jetën e tyre, për ne si shikues dhe për sinoptikonin social në tërësi është një gjë krejt voluntariste. Spektakli është realitet social, që lidhet me shembujt që pasqyron në këtë shtëpi, por e lidhur doemos me vlerat dhe autoritetin e personazheve që shembullëzojnë me idetë, sjelljet, mënyrat e komportimit social dhe format dialektike të lidhjes sinkretike apo ndërtimit të marrëdhënieve sociale konjukturale. Në këtë kontekst, qoftë kur i miratojmë si të dobishme, apo i kritikojmë si sjellje negativiste, si qytetarë jemi në të drejtën të kemi idetë dhe pikëpamjet tona, të cilat mund të mos jenë adekuate me ato që pasqyrohen në këtë “shtëpi të famshme”.

“Big Brother”, dialektika e lojës dhe reagimet sociale …
Lexo po ashtu “Big Brother”, dialektika e lojës dhe reagimet sociale …

Kjo është e natyrshme, sepse koha që jetojmë është postmoderne dhe shoqëria është në kuadrin e një bote me “qëllime sociale përgjithësisht të personalizuara dhe njëherësh të paqarta”. Zakonisht, në tërë këto javë intensive të atmosferës së spektaklit, shumë qytetarë kanë shtruar pyetjen dilematike: pse na duhet “Vëllai i Madh”, çfarë qëllimi kanë producentët dhe cili është mesazhi social që i duhet apo i shërben shoqërisë. Padyshim ky është një nga eksperimentet social mediatike, më të realizuar në pikëpamje të spektakolaritetit dhe ndoshta nga më të ndjekurit. Edhe nga ata që e kritikojnë me nihilizëm apo ata që e idolatrizojnë në nivele panegjerike e me nota mbivlerësuese. Personalisht mendoj se nuk mund ta nxjerrim këtë spektakël nga synimet dhe “shinat sociale”, nga objektivat e drejtpërdrejta e të tërthorta, afatshkurtra e afatmesme.

Fakti që ndiqet është tregues sintetik i raporteve dialektike, që përjeton shoqëria shqiptare e ndodhur midis “gjendjes likuide” (të rrëshqitshme apo të paqëndrueshme sipas z. Baumanit) dhe e përbërë nga njerëz që ndihen të shqetësuar, të pasigurt, madje edhe depresivë përballë këtij realiteti, i cili duke qenë kaotik dhe antinomik i bën ata të jenë të dëshiruar, për të pasur modele e paradigma, në mos për t’u imituar, të paktën të mund të përdoren si modele dhe të shërbejnë si udhërrëfyes në rrugën plot zigzage të jetës. Është çështje tjetër nëse epiteti “VIP” është pasqyrim dhe në përputhje me staturën e banorëve të përzgjedhur, për të mbajtur këtë “barrë sociale” mbi shpatullat e tyre të brishta, apo me nivelet e autoritetit publik të tyre jo dhe aq të mjaftueshme për t’u konsideruar individë të “famshëm”. Njeriu është i famshëm kur ka kapital social të mjaftueshëm, nivele cilësore të autoritetit publik për të qenë i denjë, i besueshëm qoftë për ato që thotë, apo mënyrat si sillet. Por, a e kanë banorët këtë status për të luajtur këtë rol? A janë të denjë për të merituar sipas të dhënave të audimatit tërë këtë vëmendje sociale, statistikisht të zgjeruar të shoqërisë shqiptare, për të dhënë këto mesazhe me vlerë individuale dhe në mënyrë sintetike për të formuluar orientime sociale për jetën e përditshme?

Shumë nga personat e “shtëpisë” kanë sjellë material, informacion të personalizuar dhe përvoja nga sukseset apo dështimet e tyre në jetë. Sigurisht kjo është në logjikën deontologjike të këtij spektakli, dhe një nga synimet për ta bërë atë estetikisht atraktiv, moralisht ndikues e të dobishëm. Por pyetja është se cili është autoriteti i personalizuar, që sjell apo ndan “historitë lineare të jetës” së përditshme jetike apo erotike, që të mund të tërheqë vëmendjen racionale dhe emocionale të shikuesve?

Besoj se duhet të mendohej më mirë për të siguruar njerëz me më shumë autoritet social, individë vërtetë të famshëm dhe jo anonimë, që nuk kanë as forcën e shembullin as fuqinë e argumentimit për të qenë tërheqës në modelin e tyre për shoqërinë. Padyshim kaq është fuqia dhe fama e njerëzve, një pjesë e madhe e të cilëve janë krejt të zakonshëm, pa ndonjë staturë të veçantë thelbësore në jetën publike, që shfaqen më shumë të dëshpëruar, pesimistë e të pafat, duke sabotuar pritmërinë sociale të njerëzve, të cilët përtej argëtimit apo kënaqjes së vanitetit prej thashethemeve ordinere, dëshirojnë dhe presin modele që ndihmojnë për të gjetur rrugë dinjitoze, për të përballuar problemet e shumta që ata kanë ata që ndodhen jashtë ekranit të spektaklit, në jetën reale.

Është shumë me vlerë që ka pasur momente, kur kanë qenë plotësisht të mundura dhe me shumë vlera disa narrative histori jetësore, që kanë sjellë ndikim të dobishëm te shikuesit. Qoftë kur kanë qenë veprime të suksesshme apo të dështuara. Ashtu sikurse është dialektika e jetës reale. Kështu që është mirë të vlerësojmë vlerat pragmatike, të cilat janë më shumë me ndikime individuale dhe interferenca kulturore të personalizuara për secilin individ (si spektator apo ndjekës). Sepse në kushtet e shoqërisë postmoderne problemet, hallet, zgjidhjet, përgjegjësitë dhe mëkatet morale janë mbi shpatullat e individit, i cili duhet të gjejë rrugët dhe mjetet e duhura për t’i përballuar ato. Në këtë kontekst, mendoj se spektakli është një mundësi sociale që njeriu ndjekës, aktiv apo shikues pasiv, jo vetëm të argëtohet apo të merret me “lëndën e thashethemeve”, herë me vlerë komunikative e shumë herë toksike, që janë të natyrshme në “jetën” e një formati “Vëllai i Madh”, e ndërtuar mbi parimet e njohura të eksperimentit social, me lidhje të mbyllura dhe komunikim social të kufizuar hermetik, por të realizojë efektet pragmatike të “pasqyrës” duke ballafaquar përvojat e jetës personale me ato të aktorëve të spektaklit, duke krahasuar jo vetëm aftësitë personale që duhen për të përballuar kostot sociale të kësaj jete, por edhe duke nxjerrë mësime nga përvojat e njerëzve, sidomos kur situatat jetike e virtual ndodh që të jenë të ngjashme.

Duam apo nuk duam, na pëlqejnë apo jo, “Vëllai i Madh” është një institucion që me të mirat dhe të metat e veta, është një mënyrë për t’i ofruar shoqërisë disa “mësime publike” pragmatike, herë utilitare dhe me vlerë, herë kontroversale e me ndikime sociale toksike. Në debatet që zhvillohen shfaqen koncepte e ide, mënyra sjelljeje individuale e forma të larmishme të komportimit social, që janë publikisht të lexueshme, me ndikim të gjerë social. Padyshim ky lloj spektakli është në një farë mënyre një “fluturim i shpejtë pindarik” nga substrati material dhe moral i realiteteve retrospektive të shoqërisë shqiptare, i cili me gjithë ndryshimet e pësuara në këto tri dekada, akoma është në gjendje “kapërcyelli” me bashkëjetesë simbiotike të mentaliteteve dhe paradigmave sociale herë arkaike e herë të shëndetshme. Ndoshta kjo është arsyeja kryesore (sepse ka dhe ca arsye më periferike) që në gjykimet e njerëzve për këtë spektakël, shfaqen shumë gjykime sempliste e paragjykime thelbësore në shumë raste të mbingarkuara me nuanca të hipokrizisë puritane apo demagogjisë së trashëguar nga “ketmanët” (gënjeshtrat) ideologjikë të së kaluarës.

Eksperimento social i “vëllait të madh” dhe debati pa kuptim
Lexo po ashtu Eksperimento social i “vëllait të madh” dhe debati pa kuptim

Kjo është arsyeja pse shumë njerëz (është e drejta e tyre individuale), por aspak moralisht determinante e totalizuese, që reagojnë ashpër në forma gati imponuese për të vlerësuar ngjarjet e treguara të jetës sociale apo intime të banorëve të “Vëllait të Madh”. Për shoqërinë moderne të hapur, të qytetëruar “asgjë që është njerëzore nuk është dhe nuk duhet të jetë e huaj”. Kjo tezë iluministe duhet kuptuar, për të pranuar të drejtën e ekzistencës së “diskursit publik” në lidhje me ato që dikur në shoqërinë shqiptare janë konsideruar “tabu”, gjëra të rrezikshme dhe shoqërisht të paprekshme, çështje të mbuluara të idolatrizuara të mbyllura të jetës private. Sociologët e modernitetit e nënvizojnë këtë epërsi sociale të këtyre formateve, të cilët të krijojnë kushte që njeriu të “flas hapur, këtej e tutje, për gjëra të cilat gabimisht konsideroheshin të turpshme, poshtëruese ndaj dhe të detyronin t’i mbaje sekret dhe të vuaje në heshtje”. (Zygmunt Bauman)

Kjo është arsyeja që shpesh përballemi me situate dhe njerëz që bëjnë të çuditurin social apo të tronditurin moral, për tipologjinë e dialogut apo fenomenologjinë e sjelljes së banorëve te “Vëllai i Madh”, edhe pse nga ana tjetër jemi të ndërgjegjshëm se ato biseda, dialogë racionalë apo konflikte të paarsyeshme janë ato gjëra për të cilat njerëzit i thonë dhe i bëjnë në mënyrë të zakonshme, pa tronditje në jetën e përditshme individuale apo në relacionet sociale me të tjerët. I vetmi ndryshim është se këto narrative morale, debate humane, meditime personale, lidhje e zgjidhje të raporteve interpersonale, shfrimi i tekave dhe emocioneve, diagramat e ulje-ngritjeve të tonit të zërit, sjelljet dhe raportet shoqërore, miqësore dhe intime zhvillohen para panoptikonit të “Vëllait të Madh” dhe ndiqen “online” nga qindra apo ndoshta edhe mijëra shikues.

Një nga shqetësimet sociale që është ngritur kohët e fundit në biseda informale qytetarësh, apo edhe në media është fakti nëse është mirë që çështjet private të banorëve të bëhen objekt i hapur në përmasat e “çështjeve publike” dhe mbi të gjitha nëse ato e meritojnë të jenë të tilla (sikurse është ngritja në status publik e mediatik). Në të vërtetë, nëse do të arsyetojmë drejt, pa paragjykime problemet e jetës private të banorëve nuk janë çështje abstrakte apo “objekte epifenomenale”, që janë shqetësime ekskluzivisht të personalizuara, të brendshme dhe tipikisht vetëm të “tyre”. E vërteta nuk është kështu. Problemet që janë objekt i debatit në “Shtëpinë e Famshme”, lënda humane që qarkullon në ato ambiente nuk është “tutkal social” që ngjitet vetëm me jetën dhe personalitetin e tyre. Në fakt, për të qenë objektiv, duhet të pranojmë se ato janë edhe problemet tona, të jetës private.

Merita e “Vëllait të Madh” është që këto probleme private e çështje të personalizuara, të lidhura me personalitetin e banorëve, në thelb, në një vështrim më të gjerë social i evidenton si probleme që i kam edhe unë, i keni edhe ju, i ka shoqëria jonë. Pavarësisht se situatat, mesazhet pozitive dhe negative që evidentohen nga secili sipas shijes sociale dhe botëkuptimit të vet, që janë të natyrshme në ontologjinë e këtij spektakli, por nga ana tjetër një gjë është e sigurt. “Vëllai i Madh” nuk pengon, përkundrazi ndihmon që njerëzit që e ndjekin nuk janë të detyruar të jenë imitues të situatave apo epigonë të sjelljeve personale të banorëve. Merita e spektaklit është se ai është i hapur për gjykime të personalizuara, me mundësi të gjëra të perceptimit në diversitet të ngjarjeve që pasqyrohen, idetë dhe sjelljet e banorëve. Dhe më në fund ajo që ka rëndësi, nuk ka pse ngremë “tufan në gotë” sikur ai po na prish jetën publike, moralin social madje sikur po na “trondit themelet” e shoqërisë.

Unë mendoj se secili nga ne si ndjekës aktiv apo spektator pasiv kemi në dorë një gjë të rëndësishme dhe unike: veten. Që do të thotë se perceptimin dhe përjetimin e lëndës sociale e spektakolare e kemi në dorën tonë, si çështje private dhe në përputhje me shijet dhe identitetin tonë. Dhe së dyti, ajo që është akoma më e rëndësishme është fakti që përjetimi, trajtimi i problemeve tona që mund të jenë të ngjashme me ato të “banorëve të shtëpisë”, nuk jemi të detyruar t’i zgjidhim sipas tipologjisë dhe fenomenologjisë spektakolare, por privatisht, në formë individuale dhe me mjete e mënyra të personalizuara. Po a ka gjëra që mund të jenë më ndryshe dhe që mund të përmirësojnë shëndetin e spektaklit. Sigurisht. Ai nuk është pa të meta.

Duke bërë gjithë këto vlerësime pozitive për vlerën publike të tij, nga ana tjetër nuk mund të jem plotësisht dakord kaosin, kakofoninë dhe anarkinë sociale që sjell si paradigmë spektakli ynë i “Vëllait të Madh”. Në këtë kontekst, doemos ka disa gjëra që duhen parë dhe vlerësuar me kujdes. Fjala vjen nuk do ishte i tepër një sugjerim modest për nevojën e një etike më të spikatur në komunikimet interpersonale midis banorëve të “Vëllait të Madh”. Ka pasur shumë raste kur kjo etikë në komunikim, është shkelur brutalisht deri në raste flagrante kur fjalori i përdoruar, gjuha e trupit apo sjelljet tek disa personazhe të “famshëm” kanë dalë nga binarët. Besoj se është normale kërkesa deontologjike që gjuha, fjalori, sjelljet të mos e provokojnë publikun.

Lojtarët duhet paraprakisht ta dinë dhe nëse nuk e dinë, ta mësojnë se ka një të vërtetë sociale, kulturore e historike tipike për çdo epokë: shoqëria gjithnjë, në çdo kohë ka një listë të fjalëve tabu (të ndaluara) dhe një sistem të normave të sjelljes sociale. Sociologët shkencërisht, por edhe qytetarët me sensin human dhe intuitën qytetare presin gjëra utilitare për jetën e tyre. Kjo mbase është arsyeja pse ka jo pak njerëz me të drejtë janë të shqetësuar, sepse në shumë raste emisione të tilla në kohë reale sikurse është “Vëllai i Madh”, nuk kanë synim të vërtetojë tezën anormale, toksike se “qeniet njerëzore kur lihen të lira sillen si kafshë”.

Apo akoma më keq nëse në mënyrë paradoksale merren të deformuara mesazhet nga mënyra si zhvillohen ngjarjet, si ndërtohen raportet dhe marrëdhëniet midis banorëve. Sepse historitë dhe ngjarjet e spektaklit nuk janë paradigma sociale dhe edukative deterministe, stile sjellje imponuese apo si masë vlerë për qëndrimet në jetën e përditshme empirike. Nuk besoj se duam të mësojmë nga “Vëllai i Madh” mënyra si të gënjesh, të mashtrosh, të provokosh, mjetet që përdoren që të armiqësohesh me të tjerët apo akoma me keq, të nxjerrim konkluzionin se këto janë gjërat që sistemi i sotëm i lidhjeve sociale dhe marrëdhënieve morale, i ka si konditë sine qua non për të qenë i vërtetë.

Sigurisht banorët janë njerëz dhe do të sillen dhe ndërtojnë raportet në përputhje me dinamikën e lojës dhe dialektikën e rrethanave që zhvillohen në këtë shtëpi. Por kjo nuk do të thotë që të nxjerrim konkluzionin e nxituar e të gabuar se “Vëllai i Madh” është një instrument që përdoret për manipulim njerëzor apo si një mjet për të evidentuar të “keqen njerëzore”. Do ishte katastrofike nëse njerëzit tanë, sidomos të rinjtë do të nxirrnin nga loja në këtë spektakël si mësim, se duhet të jesh i keq apo të gënjesh për të qenë i suksesshëm apo fitimtar në këtë jetë. Kjo nuk duhet të ndodhë…