LAJMI I FUNDIT:

Pak qytetar interesohen për bonot e privatizimit

Pak qytetar interesohen për bonot e privatizimit

Qeveria e Shqipërisë ka shpallur si prioritet të saj privatizimin e rreth 1280 asete shtetërore, të cilat aktualisht janë prona në përdorim nga Ministria e Mbrojtjes. Por kjo fushatë privatizimesh duket se nuk ka gjallëruar tregun e letrave me vlerë.

Tregtarët e bonove të privatizimit thonë se janë të paktë qytetarët të cilët kërkojnë të shesin letrat me vlerë që disponojnë. Ditën e shtunë, në tregun e brendshëm një bono 100 mijë lekëshe blihet nga tregtarët për 5.8 për qind të vlerës së saj dhe shitet prej tyre me 6 për qind të vlerës.

Sipas tregtarëve, ka disa muaj qe është kjo situatë në treg. Në dhjetor të vitit që shkoi, qeveria vendosi shtyrjen e afatit të përdorimit të këtyre letrave me vlerë, deri në fund të vitit 2011, pasi ato janë përfshirë tashmë në fusha me ndjeshmëri të lartë publike, siç është ajo e legalizimit të objekteve pa leje.

Në total, janë emetuar 74.9 miliardë lek në bono privatizimi, nga të cilat 51.2 miliardë janë shpërndarë në duart e publikut. Deri tani, vetëm 10 miliardë prej tyre janë përdorur për procesin e privatizimit ndërsa mbeten te papërdorura dhe 41 miliardë lekë të tjera në prerje bonosh privatizimi.


Pak dite më parë, zëvendës-ministri i Ekonomisë, tha se nuk pritet që bonot e privatizimit të përdoren në procese privatizimi të cilësuara si strategjike, të tilla si privatizimi i aksioneve të mbetura në ish-ndërmarrjen e naftës “ARMO”, të aksioneve qeveritare në kompaninë telefonike “Albtelekom” apo në kompaninë e sigurimeve INSIG. /Telegrafi/