LAJMI I FUNDIT:

Pagat e mësimdhënësve pas propozimit për rritje nga kryeministri Haradinaj, SBASHK-u nuk pranon rritjen 8-10 për qind [Infografikë]

Pagat e mësimdhënësve pas propozimit për rritje nga kryeministri Haradinaj, SBASHK-u nuk pranon rritjen 8-10 për qind [Infografikë]

Sindikata e Bashkuar e Arsimit, Shkencës dhe Kulturës së Kosovës (SBASHK) nga data 14 janar ka hyrë në grevë të përgjithshme shkaku i mos plotësimit të kërkesave nga ana e Qeverisë së Kosovës për rritjen e pagave.

Kërkesë e vetme e kësaj sindikate është rritja e koeficientit të pagave të mësimdhënësve të arsimit prej 30 për qind.


Ndërsa të dielën në mbrëmje, kryeministri Ramush Haradinaj, kishte pritur në takim përfaqësuesit e SBASHK-ut, për të diskutuar lidhur me grevën në arsim.

Ai i është drejtuar me një letër kryetarit të SBASHK-ut, të cilin e ka lutur që t’i takojë urgjentë Këshillin grevistë dhe të kërkojë nga ata që të fillojë mësimi.

Në letër ai ka njoftuar se është bërë një rritje e pagave në arsim, e cila është votuar në Komisionin për Buxhet në Kuvendin e Kosovës.

Haradinaj: Oferta e Qeverisë, rritje substanciale e pagave në arsim
Lexo po ashtu Haradinaj: Oferta e Qeverisë, rritje substanciale e pagave në arsim

“Grevën e mësimdhënësve e kam marrë me seriozitetin më të madh. Pas një punë të kujdesshme dhe duke u bazuar në të gjitha mundësitë buxhetore, kam dalë me këtë propozim për rritjen e pagave të mësimdhënësve. Ftoj Këshillin Drejtues të SBASHK-ut, që të shqyrton këtë ofertë dhe të me vendim të arsyeshëm, për të mirën e nxënësve dhe të arsimit në vend”, thuhet në letrën e Kryeministrit Haradinaj drejtuar kryetarit të SBASHK-ut, Rrahman Jasharaj.

Për mësimdhënësit e arsimit parashkollor, rritja e propozuar është 8.9 për qind apo 54.9 euro më shumë nga paga aktuale prej 447 euro. Mësimdhënësve të shkollave fillore, nga paga aktuale që është 479 euro u është propozuar rritje prej 46.8 euro apo 9.5 për qind dhe për mësimdhënësit e shkollave së mesme është propozuar që paga të rritet për 74.8 euro nga 523 euro që është aktualisht apo 8.7 për qind.

Ndërsa, për 125 mësimdhënësit e kategorisë së shkollave speciale, rritja e pagës është propozuar që të rritet për 49.8 euro apo 9.5 për qind nga paga prej 476 euro që është aktualisht.

Ymer Ymeri, zyrtar për financa në SBASHK, tha për Telegrafin se kjo rritje nuk i plotëson kërkesat e kësaj sindikate.

“Kjo rritje nuk i plotëson as përafërt kërkesat tona edhe për shkak se rritja është nga 8 deri 10 për qind, por nga ana tjetër në këtë rritje nuk është përfshirë pjesa tjetër e arsimit, duke filluar nga çerdhet, pastaj personeli teknik, ai administrative në shkolla fillore dhe ato të mesme, po ashtu në është përfshirë personeli i universitetit. Pra, kjo është arsyeja se ne si SBASHK nuk e kemi pranuar ofertën e Kryeministrit Haradinaj”, tha Ymeri.

Ndërsa, eksperti i arsimit, Halim Hyseni, tha për Telegrafin se greva nuk është menduar mirë.

“Kjo grevë është e pamenduar mirë, me pasoja të pariparueshme dhe të drejtpërdrejta anësore, por edhe kolaterale. Vendimi i cili është bërë pa analizë, vendim për të cilën dikush duhet dhënë përgjegjësi, sepse pavarësisht se propozimligji për Pagat është objektivisht diskriminues, ky nuk mund të jetë shkak për t’i mbyllur fëmijët tonë dhe nxënësit tonë në shtëpi dhe për ta penguar zhvillimin e tyre normal”, tha Hyseni.

Ai tha se kërkesat duhet të realizohen në mënyra të tjera, sipas tij, kjo po e dëmton sistemin e arsimit.

“Janë të tepërta. Ato kërkesa duhet t’i realizojnë në mënyrë të programuar, në një mënyrë tjetër që nuk e dëmtojnë sistemin e arsimit. Këta janë duke e goditur totalisht sistemin e arsimit, i cili edhe ashtu është në kolaps”, tha ai.

Pagat e mësimdhënësve në rajon, krahasuar me Kosovën [Infografikë]
Lexo po ashtu Pagat e mësimdhënësve në rajon, krahasuar me Kosovën [Infografikë]

Sipas të dhënave të Ministrisë së Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, dërguar Telegrafit, paga bazë për mësuesit që japin mësim në shkolla fillore është 421.20 euro, ndërsa në shkollë te mesme kjo pagë është 459.95 euro.

“Paga bazë e një mësuesi të shkollës fillore është 421.20 euro, ndërsa paga e një arsimtari në shkollë të mesme është 459.95 euro. Për mësuesit parafillor kjo pagë është 393.22 euro”, thuhet në përgjigjet e Ministria e Arsimit.

Në buxhetin e vitit 2019, shpenzimet në arsim do të jenë rreth 292.4 milionë euro që shënon një rritje prej 10 për qind për këtë sektor.

“Në vitin 2019 prioritet në buxhet nga MASHT pritet të ketë ndërtimi i objekteve shkollore ku do të ndërtohen 38 të tilla dhe një numër i konsiderueshëm i sallave sportive. Programet që trajtojnë këto çështje, sikurse ajo për trajnimin e mësimdhënësve kanë një rritje buxhetore prej 50 mijë euro apo 13 për qind. Edhe buxheti për programi për zhvillimin e planprogrameve në arsim parauniversitar ka shënuar një rritje prej 57 mijë euro apo 40 për qind”, thuhet në Projektbuxhetin e vitit 2019, shkruan Telegrafi.

Me Projektbuxhetin e vitit 2019 shpenzimet në arsim në Kosovë do të jenë rreth 4.1 për qind të Produktit të Brendshëm Bruto, ndërsa vendet e Bashkimit Evropian, në mesatare, shpenzojnë 4.7 për qind të Produktit të Brendshëm Bruto. /Telegrafi/