LAJMI I FUNDIT:

Paga minimale: E zotëron punën, sepse e zotëron veten!

Paga minimale: E zotëron punën, sepse e zotëron veten!

Përkrahësit e pagës minimale e përqendrojnë gjithë vëmendjen tek blerësi i shërbimeve e jo tek shitësi. Ata i përkufizojnë të drejtat e të parit duke iu drejtuar atyre të fundit. Por, nuk e pyesin as veten se kush e zotëron punën në fjalë.

Një ligj për këtë është në interesin e atyre të cilët dëshirojnë të ofrojnë vetëm paga të ulëta mbi diçka që është tërësisht në dorën e atij që e ofron punën. Ashtu si çdo gjë tjetër, punëtori e zotëron atë që i ofrohet për shitje, ku ai ka të drejtë të përcaktojë se cili do të jetë çmimi minimal për punën.


Në debatin e pagës minimale, argumenti kryesor kundër është se një rregullim ligjor, në kushtet kur informaliteti është në qendër të vëmendjes, do të sillte shkurtim të vendeve të punës për shkak të rritjes së kostove të biznesit – duke ulur konkurrencën dhe pa e zgjidhur aspak problemin e varfërisë.

Por, kur pagat janë më të larta, ka arsye të priten edhe normat më të ulëta të varfërisë, pavarësisht se si definohet kjo pagë që logjikisht do ta lehtësonte nivelin e varfërisë.

Ky është një argument, se rritja e pagës minimale mund të reduktojë shumë mirë varfërinë në periudhën afatshkurtër. Mirëpo, në realitet, një pagë më e lartë minimale e ndryshon më shumë llojin e njerëzve që jetojnë në varfëri sesa tërësinë e tyre.

Në fakt, një pagë më e lartë minimale e ndihmon atë që aktualisht është në marrëdhënie pune, por jo atë që është në kërkim të një pune. Pra, favorizon punëtorin me përvojë i cili në përgjithësi është më produktiv. Kjo për punëdhënësin është më e arsyeshme: të punësohet dikush me përvojë, pasi një punëtor i tillë është në gjendje të prodhojë një nivel më të lartë të vlerave. Në të njëjtën kohë, kjo krijon një kurth: punëtori ka më pak dëshirë për të lëvizur në pozita më të paguara.

Nëse do të kishte lidhje midis pagës minimale dhe varfërisë, sot do të kishim ritme më të larta të varfërisë. Megjithatë, e kundërta është e vërtetë.

Në vitin 1968, në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, shkalla e varfërisë te afrikano-amerikanët ishte 34.7 për qind, ndërsa pesë dekada më vonë kjo normë ra në 21.4 për qind. Faktori kryesor që kontribuoi në këtë rënie ishte disponueshmëria e vendeve të punës, jo paga minimale më e lartë.

Me raste, kjo pagë ka qenë e lidhur negativisht me varfërinë. Kështu, nëse paga minimale rritet në terma realë, varfëria gjithashtu zvogëlohet. Por, kjo vjen gjatë periudhave të rritjeve të jashtëzakonshme ekonomike. Kur njerëzit janë të punësuar, ata përgjithësisht shpëtojnë nga varfëria, pasi në thelb vendet e punës bëhen më të disponueshme e varfëria zvogëlohet.

Provat empirike ofrojnë pak mbështetje për pretendimet se pagat minimale nxisin rritjen ekonomike ose e lehtësojnë varfërinë gjatë rënies. Në fakt, më tepër sesa një politikë ekonomike pozitive dhe për të mirën e përgjithshme, paga minimale ndikon në kategori të veçanta njerëzish dhe po kaq dëmton të tjerët. Kështu, kjo pagë mund të ndihmojë ata që punojnë me kohë të pjesshme, pasi kjo rritje e pagës ua bën më të vështirë për punëtorët – me kualifikim të ulët – të sigurojnë një vend pune, si dhe për këdo që kërkon fleksibilitet për t’u përshtatur me orarin e punës.

Filozofi anglez dhe babai i liberalizmit, John Locke, tek “Traktati i dytë për Qeverinë”, ndër të tjera shkroi: “Edhe pse Toka dhe të gjitha qëniet e ulëta janë të përbashkëta për të gjithë njerëzit, megjithatë, çdo njeri ka pronë në personin e vet fizik. Tek ky trup askush nuk ka të drejtë, pos vetes së tij. Puna e trupit të tij dhe puna e duarve të tij, me të drejtë mund themi se janë të tijat”.

Pra, pronësia e punës është e lidhur drejtpërsëdrejti me pronësinë e vetvetes. Në terma praktikë, puna është mjeti i mbijetesës.

Të pretendosh pronësinë mbi punën e një personi tjetër është të kërkosh pronësinë mbi jetën e tij. Është parimi që mbështet skllavërinë. Kjo nuk do të thotë se të jetosh sipas ligjeve minimale të pagave është po aq keq sa skllavëria.