LAJMI I FUNDIT:

Paga mesatare 272 euro

Paga mesatare 272 euro

Në bazë të statistikave zyrtare, paga mesatare në Kosovë arrin në 272 euro në muaj. Kjo shumë, thonë qytetarë në Prishtinë dhe përfaqësues të sindikatave, është e pamjaftueshme. Sipas tyre, se karshi çmimeve të larta në tregun kosovar, pagat janë minimale.

Pagat në Kosovë janë shumë të ulëta dhe nuk mjaftojnë për t’i përmbushur kërkesat elementare të punonjësve, thonë përfaqësues të sindikatave të punëtorëve dhe vetë qytetarët.

Të dhënat zyrtare të Entit të Statistikave të Kosovës, tregojnë se pagë mesatare prej 272 eurosh, marrin afër 76 mijë të punësuar në sektorin publik.
Suzana Berisha, punon në sektorin publik. Ajo për punën që bën, paguhet 265 euro në muaj. Suzana, e cila ka tre fëmijë, thotë se paga nuk mjafton për t’i përmbushur kërkesat e familjes. “Me rrogë nuk jam e kënaqur, sepse nuk mjafton as për ushqim, e lërë më për gjëra të tjera, siç janë rryma, uji dhe shërbimet tjetra. E, sa për gjëra luksoze, të mos flasim fare”, shprehet Berisha.

Një qytetar tjetër, Brahim Ibishi, ndërkaq thotë se karshi çmimeve të larta në tregun kosovar, pagat janë minimale. “Ushqimi është me çmime ekstremisht të larta në krahasim më vendet tjera që na rrethojnë”, thotë Ibishi.


Ndryshe, sipas raportit të fundit të Entit të Statistikave, çmimet e konsumit në Kosovë janë ngritur për 6 për qind në muajin tetor të këtij viti, krahasuar me muajin tetor të vitit 2009.

Ngritja e çmimeve vërehet kryesisht te buka, drithërat, produktet e qumështit, vajrat, rryma etj.

Edhe Ali Dragusha nga Konfederata e Sindikatave të Lira të Kosovës, thekson se standardi i jetesës në Kosovë varet nga niveli i pagave që marrin punëtorët, ndërkohë mesatarja e pagave përballë çmimeve në treg, është e pamjaftueshme.
“Duke pasur parasysh shkallën e lartë të papunësisë, varfërinë ekstreme, mandej numrin e anëtarëve të një të punësuari, kjo(paga) as përafërsisht nuk i përmbush obligimet, apo vetëm shportën ditore të një të punësuari, e të mos flasim për beneficione të tjera”, pohon Dragusha.

Dragusha thekson se për shkak të pagës së ulët që marrin punëtorët, konkretisht në sektorin publik, numër jo i vogël i tyre detyrohen të punojnë punë nga më të ndryshme jashtë orarit të punës apo ditëve të vikendit.

Në anën tjetër, ministri në dorëheqje i Ekonomisë dhe Financave, në fund të kësaj jave, ka deklaruar se në tremujorin e parë të këtij viti, paga mesatare në sektorin publik, është rritur për 16.4 për qind.

Mirëpo, sipas të dhënave zyrtare, Kosova mund të krahasohet për nivelin e rrogave vetëm me Shqipërinë, ndërkohë që qytetarët e vendeve tjera ballkanike paguhen dukshëm më shumë se kosovarët. /Rel/Telegrafi/