LAJMI I FUNDIT:

Operatorët turistikë të rëndësishëm në zhvillimin e turizmit në rajonin e Pejës, turizmi i qëndrueshëm mundësi e mirë për rritjen e punësimit

Operatorët turistikë të rëndësishëm në zhvillimin e turizmit në rajonin e Pejës, turizmi i qëndrueshëm mundësi e mirë për rritjen e punësimit

Zhvillimi i turizmit në regjionin e Pejës është duke shënuar trend të shpejtë të rritjes, duke e ndihmuar në mënyrë direkte banorin e kësaj ane, i cili po fuqizohet përmes ofrimit të shërbimeve për turistët si nga aspekti i hotelerisë dhe gastronomisë.

Një kontribut të veçantë në rritjen dhe fuqizimin e turizmit në këtë pjesë kanë edhe operatorët turistikë, të cilët përveç përfitimit material të tyre, kanë ndikim krucial në shtrirjen e turizmit dhe zbulimin e visareve natyrore të këtij rajoni.


Por, me zhvillimin e turizmit synohet të zhvillohen dhe përfitojnë edhe banorët, por duke u ruajtur pasuritë natyrore, gjë të cilën e synon turizmi i qëndrushëm.

Turizmi i qëndrueshëm është turizëm që merr parasysh plotësisht ndikimet aktuale dhe të ardhshme ekonomike, sociale dhe mjedisore, duke adresuar nevojat e vizitorëve, industrisë, mjedisit dhe komuniteteve pritëse.

Drejtori i Drejtoratit për Zhvillimin Ekonomik në Komunën e Junikut, Leonard Llolluni, duke folur për zhvillimin e turizmit në këtë komunë ka theksuar se në Planin Zhvillimor Komunal, prioritet kryesor ka zhvillimi i turizmit.

Sipas tij, me zhvillimin e turizmit ka parasysh potencialet që posedon Komuna e Junikut, pra resurset natyrore dhe ato kulturore.

“Ne si Komunë jemi të përqendruar të zhvillojmë turizëm të qëndrueshëm të bazuar në komunitet, pra duke përfituar komuniteti direkt dhe duke ofruar turizëm origjinal nga vet komuniteti i komunës sonë, ku për momentin është trend i turizmit mbarë botërorë dhe shumë i kërkueshëm”, ka thënë Llolluni.

Ai duke folur për qëndrueshmërinë ambientale në sektorin e turizmit, Komuna e Junikut sipas tij, është duke punuar shumë pasi që shtyllë kryesore për të zhvilluar një turizëm eko, është ambienti i cili na rrethon, dhe i cili mund të luaj rol negativ dhe pozitiv në sektorin e turizmit.

“Ne si Komunë sfidë kryesore kemi shkatërrimin e burimeve ujore dhe lumenjve nga Komuna tjera, në këtë rast nga Komuna e Gjakovës që po shkatërron burimin kryesor që degëzohet me Lumin Erenik në Komunën e Junikut”, ka shtuar Llolluni.

Rritje të numrave të turistëve ka pasur edhe Komuna e Pejës, e cila sipas shifrave zyrtare trendin e rritjes të vizitorëve e ka me një rritje prej 30 për qind në vit.

Drejtoresha e Drejtorisë për Zhvillim Ekonomik në Komunën e Pejës, Xhenet Syka ka theksuar se Peja ka një ofertë mjaft të konsoliduar dhe mjaft kompakte  turistike e cila veçohet sipas saj, nga komunat tjera të Kosovës, por edhe në regjion.

Sipas saj, hotelet dhe restorantet kanë krijuar ofertën e tyre mjaft cilësore dhe gjithnjë punojnë në ngritjen e cilësisë.

“Guidat malore kanë përfituar trajnime nga ekspertët ndërkombëtar, të cilët njëkohësisht janë certifikuar, janë investuar në zhvillimin e aktiviteteve si Via Ferrata, speologji, shtigje malore (në nivel lokal, rajonal dhe ndërkufitar), zip line, paraglide, parkun e aventurave, si dhe aktivitete tjera kulturore të cilat ja ngrisin vlerat e këtij vendi”, ka shtuar ajo.

Syka ka dhënë një vlerësim maksimal edhe për operatorët turistikë, ku ka thënë se Peja është e vetmja komunë e cila ka numër më të madh të operatorëve turistikë privat, të cilët sjellin sipas saj, grupe të turistëve pothuajse nga e gjithë bota.

“Për këtë Peja është vlerësuar në vitin 2013 si destinacion i së ardhmes për turizëm të qëndrueshëm nga WTTC (World Travel and Tourism Council) me projektin ndërkufitar ‘Majet e Ballkanit’ 1 . Gjithashtu ajo që duhet potencuar është vlerësimi i komunës së Pejës si ‘Komunë model në Europeran Green Belt’ që është bërë në vitin 2018 si komuna e parë në historin e Balkanit 2”, ka shtuar ajo.

Syka ka thënë për të ardhmen e turizmit është i rëndësishëm drejtimi i investimeve në turizmin e aventurës, duke u kujdesur sipas saj, për mbrojtjen e trashëgimisë natyrore dhe kulturore, si dhe krijimin e impaktit ekonomik sa më të madh tek banorët lokal që orienton në zhvillimin e qëndrueshëm.

“Si sektor i turizmit mendoj se numri i njësive akomoduese është i nevojshëm të rritet pasi që edhe numri i turistëve dhe net-qëndrimet janë duke u rritur gjithnjë. Gjithashtu sa i përket restoranteve është gjithnjë kërkesë që të ketë më tepër restorante të cilat do të ofrojnë ambient me lokal dhe të ofrojnë ushqime tradicionale”, ka shtuar ajo.

Sipas saj, Komuna e Pejës është e orientuar në zhvillimin e qëndrueshëm dhe sektori i turizmit është sektori i vetëm i cili mund të ndikoj në zhvillimin e qëndrueshëm të komunës së Pejës pasi që kërkon që respektohen standarde nëse dëshirojmë një zhvillim.

“Sektori i turizmit ka filluar të konsolidohet mjaft mirë edhe pse me hapa të ngadalshëm, por është në rrugë të mirë. Tani ekziston një bashkëpunim i përafërt dhe i vullnetshëm nga akterët të cilët veprojnë në Pejë. Është krijuar zinxhiri bashkëpunues në mes të sektorit publik – privat dhe shoqërisë civile, ku secila ka përgjegjësit e saja në zhvillimin e turizmit në Pejë e që njëherit është edhe zhvillim i qëndrueshëm. Fuqizimi edhe më i madh i turizmit do të ndodh nëse projektet do të orientohen gjithnjë në ngritjen e kapaciteteve njerëzore në shërbimet turistike, ngritja e vetëdijesimit në mbrojtjen e kulturës, trashëgimisë dhe natyrës, investimet kapitale të orientuara me kujdes si dhe promovim më i madh në nivel nacional dhe internacional”, ka thënë Syka.

Drejtoresha e Drejtoratit për Zhvillim Ekonomik në Komunën e Pejës ka thënë se sipas statistikave zyrtare nga Agjencioni i Statistikave të Kosovës (ASK) numri i turistëve për vitin 2018, ka qenë 75.151 dhe me 130.954 net fjetje, që njëherit sipas saj, zë vendin e dytë në Kosovë duke lënë mjaft pas Prizrenin.

“Ajo që vlen të theksohet është se turizmi në Pejë ka arritur që çdo vizitor të qëndroj dy ditë, ndërsa për vitin 2019 (për periudhat TM1 dhe TM2) 4 kemi arritur që çdo turist të qëndroj deri në 3 net gjë që e tregon një rezultat mjaft të mirë dhe qëndrueshmëri të turizmit në Pejë. Gjithashtu vlen të theksohet se zyret informative të cilat funksionojnë në qendër të qytetit dhe ‘Visitor Center’, në hyrje të grykës kryejnë një punë shumë të madhe në informim të drejt të turistëve dhe nga të dhënat statistikore kanë më se 10 mijë turistë gjatë vitit që kërkojnë informata në mënyra të ndryshme”, ka thënë Syka.

Prej operatorëve turistik më të njohur në Pejë është edhe ‘Balkan Nature Adventure’, që merret me aranzhimin e turistëve.

Virtyt Gacaferri, drejtues i ‘Balkan Nature Adventure’ ka thënë se numri i vizitorëve që ata i shoqërojnë është shumë i lartë, duke theksuar se numri i vizitorëve është rritur e me këtë edhe kompania e tyre.

Ai ka thënë për Telegrafin se vizitat e turistëve; me së paku një natë fjetje në pjesën kosovare të Bjeshkëve të Nemuna, janë me mijëra, dhe ky numër është duke u rritur vazhdimisht, ku për momentin kjo kompani ka 4 punëtorë me orar të plotë, dhe rreth 15 guida të ndryshme të cilët punojnë 120 ditë brenda vitit, me një pagesë prej 40 deri në 100 euro në ditë.

“Pengesa kryesore e rritjes në këtë biznes është mungesa e profesionistëve të fushës. Si unë, po njëjtë edhe kolegët e mi në kompanitë tjera, e bëjmë këtë punë me shumë pasion, por asnjëri nuk kemi ndonjë shkollim cilësor në këtë fushë. Përveç kësaj, shkollimi në Kosovë nuk ofron ndonjë cilësi në këtë fushë, kështu që edhe ne e kemi problem zhvillimin i saj si industri”, ka thënë Gacaferri.

Sipas tij, Fakultetet e Turizmit në Kosovë nuk kanë lëndë të cilat merren me turizmin malorë dhe shërbimin që duhet t’i jepet klientëve të huaj, shtoja këtu faktin se disa nga studentët edhe pse kanë më shumë se 10 vjet mësim të gjuhës angleze, ata ende nuk dinë të flasin as anglisht as ndonjë gjuhë tjetër të huaj.

“Këto mbeten sfidat më të mëdha për biznesin tonë dhe biznese të tjera kosovare. Qeveritë duhet të kujdesen që fëmijët të kenë mundësi të mësojnë. Qeveria lokale është shumë e interesuar dhe përkrahëse për turizmin, duke financuar projekte të ndryshme. Gjithsesi duhet të mendohet edhe për zhvillimin dhe qëndrueshmërinë, duke vendosur një ekuilibër në mes tyre. Kjo gjë mbetet sfidë në dy rrafshe: Nën një, ku duhet të ndalet zgjerimi dhe ndërtimet, që të ruhet qëndrueshmëria, dhe nën dy kur të gjendet ky kufi, të zbatohet”, ka sqaruar Gacaferri.

Duke përshkruar hartën e turistëve që vizitojnë Pejën gjatë vitit, drejtuesi i ‘Balkan Nature Adventure’ ka theksuar se klientët e tyre janë nga pjesë të ndryshme të botës, duke filluar nga Australia, Singapori, Malejzia, Hong Kongu, Turqia, Jordani, Arabia Saudite, mirëpo dominojnë turistët nga vendet e Bashkimit Evropian (BE).

“Pjesëmarrja e tyre në numrin e përgjithshëm ndryshon secilin vit, për shembull në vitin 2019 kemi pasur një rritje të ndjeshme të turistëve nga Izraeli”, ka thënë Gacaferri.

Ai ka folur edhe për ofertën e gastronomisë për turistët në rajonin e Pejës, ku këtë ofertë e ka vlerësuar si të mirë, por që ka thënë se është e ngjashme me ofertat e qyteteve tjera.

Gacaferri ka treguar se pjesët më të vizituara në rajonin ku operon kompania e tij, janë Bjeshkët e Nemuna  – që në rajon janë ‘bukuroshe’ të pakonkurrencë, duke e bërë sipas tij, një rajon që garon me top destinacionet botërore për shkak të gjërave që ofrojnë.

Ndryshe, ky tekst është bërë në kuadër të projektit “Turizmi i qëndrueshëm në funksion të zhvillimit të qëndrueshëm”, të cilin e zbaton INter së bashku me Marimangat me partnerët medial Telegrafi dhe Crno Beli Svet. Projekti është përkrahur nga Fondacioni Kosovar për Shoqëri të Hapur dhe zbatohet nga qershori deri ne dhjetor të vitot 2019. Qëndrimet ne këtë tekst janë të autorit dhe nuk përfaqësojnë KFOS-in./Telegrafi/