LAJMI I FUNDIT:

Nuk pajtohen për guvernatorin

Nuk pajtohen për guvernatorin

Qeveria e Kosovës nuk po pajtohet me kandidatët e mbetur në garë për guvernator. Expressi ka mësuar se sherri ka plasur pas eliminimit që i bëri ICO-ja Gazmend Lubotenit. ICO-ja, gjithashtu i ka intervistuar tre kandidatët pas Panelit përzgjedhës. Edhe vetë Mejdi Bektashi tregon se ka pasur ndërhyrje.

Pas mospajtimeve për rritjen e pagave, ka filluar edhe një “duel” mes Qeverisë së Kosovës dhe Përfaqësuesit Civil Ndërkombëtar. Tash sherri ka plasur në rastin e zgjedhjes së guvernatorit të BQK-së.

Qeveria e Kosovës nuk po pajtohet me kandidatët e mbetur në garë. Fjala është për Gani Gërgurin, aktualisht ushtrues detyre i guvernatorit dhe profesori i ekonomisë, Safet Merovci. “Ka mundësi që të anulohet krejt konkursi”, ka thënë një burim brenda Qeverisë së Kosovës.

E gjithë kjo kishte filluar pas eliminimit të Gazmend Lubotenit nga Përfaqësuesi Civil Ndërkombëtar nga gara për guvernator. Ky kandidat shihej si më i preferuari për guvernator nga Qeveria.


Megjithatë, zyrtarisht arsyet e eliminimit thuhej se ishin mungesa e kritereve formale që kërkonte konkursi. Për me tepër, sipas të njëjtit burim, ICO-ja është përzier në punët e Panelit përzgjedhës, duke intervistuar për herë të dytë kandidatët. Pas intervistimit, ka eliminuar Lubotenin nga gara.

Këto ndërhyrje, Zyra Civile Ndërkombëtare i bazon në Pakon e Ahtisarit, edhe pse pajtohet se kompetencë e saj është veç ta japë pëlqimin. Nga ana tjetër, Paneli i BQK-së thotë se nuk ka pasur nevojë për këto ndërhyrje. Madje, paralajmërojnë se për ketë punë do t’i dërgojnë selam edhe Qeverisë.

Zëdhënësi i ICO-së, Andy McGuffie ka thënë se këto kompetenca dalin nga Pakoja e Ahtisarit. /Telegrafi/