LAJMI I FUNDIT:

“Nuk keni parë gjë akoma”, skema e vjedhjes së dy milionë eurove, shuarja e Task-forcës antikorrupsion – top temat e javës që lamë pas  

“Nuk keni parë gjë akoma”, skema e vjedhjes së dy milionë eurove, shuarja e Task-forcës antikorrupsion – top temat e javës që lamë pas  

Javën e kaluar në Kosovë ka pasur zhvillime të shumta, ndërsa ajo që ka shokuar opinionin këtu është ‘avullimi’ i dy milionë eurove nga Thesari i shtetit dhe një ditë më pas vjedhja edhe në Agjencinë e Ushqimit dhe Veterinës.

Në javën që lamë pas EULEX-i ka dal me një raport lidhur me sistemin e drejtësisë, ku thuhej se kishte tendencë që disa raste të mbahen në fazën fillestare, ndërsa hapja e hetimeve zyrtare vonohej nga Prokuroria Speciale.


Po ashtu, gjatë javës që lamë pas është shuar Task- forcën Anti-Korrupsion të Policisë së Kosovës, e që ka ngjallur shumë reagime në vend.

Gjatë javës po ashtu është vendosur për mbajtjen e zgjedhjeve në Podujevë dhe Mitrovicë të Veriut.

Raporti i EULEX-it

Të hënën, më 19 tetor EULEX-i ka dalë me një raport ku thuhet se kishte tendencë që disa raste të mbahen në fazën fillestare, ndërsa hapja e hetimeve zyrtare vonohej nga Prokuroria Speciale

EULEX-i ishte deklaruar edhe për Task- forcën Anti-Korrupsion të Policisë së Kosovës e cila është shuar nga Qeveria e Kosovës, duke thënë se luajtur rol esencial në fushën e zbulimit, hapave fillestar dhe hetimeve kundër korrupsionit dhe se kjo Task-forcë ka zbuluar dhe ndërmarrë hetime të profilit të lartë që përfshijnë persona të njohur dhe të ekspozuar politikisht, si dhe raste të ndërlikuara financiare.

Tutje, kjo Task-forcë që operon në kuadër të Policisë së Kosovës, sipas raportit nga EULEX-i ka vërejtur se shumë prej të dyshuarve dhe të pandehurve pjesë e gjykimeve për raste të korrupsionit ishin shumë të pasur dhe me ndikim, me lidhje politike apo financiare të forta, çka padyshim se mund të shpije në presion apo ndërhyrje në këto procedura penale.

Hoti për shfuqizimin e Task-forcës antikorrupsion: Ishte antikushtetuese, nuk keni parë gjë akoma

Kryeministri Avdullah Hoti ka bërë të ditur se vendimi për krijimin e Task-forcës kundër korrupsionit në Policinë e Kosovës ka qenë antikushtetues.

Hoti në një konferencë për media ka përmendur dy pikat e këtij vendimi që sipas tij nuk kanë qenë në përputhshmëri me ligjin.

“Në pikën e parë të këtij vendimi thuhej Qeveria e Kosovës në bashkëpunim me EULEX-in kërkon nga Prokuroria Speciale e Kosovës që në kuadër të saj të krijojë një departament special anti korrupsion me qëllim të hulumtimit dhe luftimit të dukurive korruptuese në Kosovë. Në pikën e dytë ia përcakton edhe numrin e prokurorëve ku thuhet se departamenti special anti korrupsion të përbehet nga 8 prokurorë, pesë prej të cilëve do të jenë vendor dhe tre do të emërohen nga autoritetet e EULEX-it… Këtij vendimi i kanë munguar vetëm emrat e prokurorëve…”, tha Hoti.

“Ju garantoj se do të kthejmë ligjshmërinë sipas organizimit ligjor që ka Policia e Kosovës në përputhje me Kushtetutën. Policia do të jetë në dispozicion të organeve të drejtësisë. Jemi të vendosur që të kthejmë ligjshmërinë. Nuk keni parë gjë akoma sa i përket kthimit të ligjshmërinë”, tha Hoti.

Prokuroria e Hagës: Thaçi po tenton ta zhbëjë Gjykatën Speciale

Zyra e Prokurorit të Specializuar në Hagë ka hedhur sërish akuza të ashpra në drejtim të presidentit të Kosovës, Hashim Thaçit. Ky institucion e akuzon ish-drejtorin politik të UÇK-së se po tenton ta zhbëjë Gjykatën Speciale.

Zyra e Prokurorit të Specializuar vlerëson se mandati i saj përcaktohet në Kushtetutën e Kosovës dhe se sipas tyre çdo interpretim tjetër mund të ndikojë në dëmtimin e proceseve që aktualisht janë në zhvillim e sipër. Prokuroria pretendon se Thaçi si subjekt i një aktakuze të përpiluar nga ajo, po tenton ta zhbëjë në çfarëdo forme këtë organ ndjekës penal.

Hapja e Zyrës së Mbrojtjes ruse në Serbi, Qehaja: Kërcënim serioz për Kosovën dhe NATO-n

Eksperti i çështjeve ushtarake dhe të sigurisë, Ramadan Qehaja, hapjen e Zyrës të Ministrisë së Mbrojtjes të Rusisë në kuadër të Ministrisë së Mbrojtjes së Serbisë e sheh një hap të paramenduar të Beogradit zyrtar për zbatimin e një lufte speciale për t’iu kanosur shteteve fqinje, në veçanti shtetit të Kosovës.

Një veprim të tillë Qehaja e konsideron si të rrezikshëm dhe një sfidë para se gjithash për vetë NATO-n kur dihet se Serbia tashmë ka krijuar një partneritet të afërt bashkëpunues me Rusinë dhe Kinën, vende këto të cilat kanë ambicie për zgjerimin e ndikimit të tyre në Ballkan.

Keqpërdoren 2 milionë euro në Thesarin e Shtetit – policia arreston një person, dy të tjerë në arrati

Të mërkurën, më 21 tetor është bërë e ditur se mbi dy milionë euro janë marrë ilegalisht nga Thesari i Shtetit. Sipas raportit 24-orësh të Policisë së Kosovës, lidhur me rastin është arrestuar një i dyshuar dhe dy të tjerë janë në arrati.

Po ashtu, njoftohet se është kërkuar bllokimi i llogarive pasi që dyshohet se një pjesë e parave janë transferuar jashtë vendit, përcjell Telegrafi.

“Më 20.10.2020 23:35 pas hetimeve të zhvilluara është arritur të arrestohet një i dyshuar m/k dhe dy të tjerë gjenden në arrati. Të dyshuarit dyshohet se duke keqpërdorur detyrën zyrtare duke përdorur thesarin shtetëror të Republikës së Kosovës kanë transferuar para në vlerë 2.077.995.90 milion euro. Është kërkuar bllokimi i llogarive pasi që dyshohet se një pjesë e parave janë transferuar jashtë vendit. Janë bërë bastisje të shtëpive të dyshuarve, nuk është gjetur asgjë vetëm është konfiskuar një veturë pronë e njërit nga të dyshuarit. Me urdhër të prokurorit i dyshuari është dërguar në mbajtje”, thuhet në raport.

Bajrami për vjedhjen e 2 milionëshit: Janë thyer passworde, e gjitha ka ndodhur përmes një falsifikimi

Ministrja e Financave, Hykmete Bajrami, derisa ka raportuar në Komisionin për Mbikëqyrjen e Financave Publike, ajo ka thënë se lidhur me transaksionin prej 2 milionë eurove nuk është kërkuar nënshkrimi i saj e as i drejtorit të Thesarit, duke shtuar se e gjitha ka ndodhur përmes një falsifikimi.

Bajrami ka thënë se pas informatave të marra, pas tre minutash kanë njoftuar Policinë e Kosovës.

“Të jap një qëndrim të keqpërdorimit ka ndodhur para disa ditësh. E di që është interesim i të gjithëve. Ne kemi një kërkesë informacione të disa transaksioneve dhe për të parë Thesarin, pas tre minutash ne kemi informuar Policinë. Ky është një krim ekonomik ku janë krijuar qasje të pa autorizuara, është bërë keqpërdorim detyre dhe janë thyer pasworde. Nuk është marrë asnjë nënshkrim i imi e as i drejtorit të Thesarit. Transaksioni është i gjurmuar dhe aty mund të vërehen se ku janë transferuar, nga kush janë transferuar e kështu më radhë”, ka thënë Bajrami.

Ndryshe, gjatë ditës Veton Rrecaj, avokat i Labinot Grudës, të dyshuarit për vjedhjen e mbi 2 milionë eurove nga Thesari i Shtetit, ka thënë se klienti i tij është befasuar nga akuzat që po i bëhen për vjedhje.

Rrecaj ka mohuar se Gruda është fajtor i këtij rasti, ndërsa përmend se si ka mund të kryhej ky transaksion. ”Klienti im e ka spjeguar në mënyrë të qartë, mënyrën e transferimit të parave”.

Vjedhja e mbi dy milionë eurove nga Thesari i Shtetit, i dyshuari thotë se është i pafajshëm

I dyshuari për transaksionin e paligjshëm mbi 2 milionë euro nga Thesari i Kosovës, Labinot Gruda, ka deklaruar në gjykatë se ndihet plotësisht i pafajshëm dhe se pretendimet për këtë shumë parash “nuk kanë të bëjnë aspak” me të.

“Unë gjithmonë i kam përmbushur detyrimet e mija sipas përshkrimit të vendit të punës dhe asnjëherë nuk i kam tejkaluar ato”, ka thënë ai.

Kështu deklaroi Labinot Gruda gjatë seancës dëgjimore të mbajtur të enjten në Gjykatën Themelore të Prishtinës, pas së cilës iu caktua masa e paraburgimit prej një muaji, në bazë të kërkesës së prokurorit. Kjo deklaratë citohet në aktvendimin e gjykatën, në të cilën Radio Evropa e Lirë ka pasur qasje.

Prokuroria: 2 milionë euro u transferuan për 8 minuta

Sipas deklaratës së prokurorit të rastit, Labinot Gruda më 9 tetor mes orës 12:11 dhe 12:19 nga zyra e tij në Thesarin e Kosovës, “duke krijuar user-a (llogari) të ndryshëm si user-a të punëtorëve të Ministrisë së infrastrukturës dhe të njëjtat i ka përdorur në mënyrë të kundërligjshme, ka realizuar katër transaksione në vlerë prej 2,077,995 në llogarinë bankare të kompanisë ‘LDA Group’ Sh.p.k… veprime të cilat i kanë shkaktuar dëm buxhetit të Republikës së Kosovës”.

Punëtori i Thesarit, Gruda megjithatë ka deklaruar se është e pamundur që transaksionin ta ketë kryer nga ora 12:11 deri në ora 12:19, përkatësisht për 8 minuta.

“Nëse e marrim mënyrën reale të ekzekutimit të një transaksioni, duhet të kalojë nëpër duart e së paku pesë zyrtarëve, t’i marrë të gjitha nënshkrimet apo aprovimet e duhura, gjë që nuk mund të arrihet të kryhet një transaksion i tillë në afatin kohor prej 8 minutash”, ka thënë ai.

Flet pronari i kompanisë “LDA – Group”, të cilës iu trasferuan mbi dy milionë euro nga Thesari i Shtetit

Kadri Shala emri më i përfolur i këtyre ditëve ka vendosur që të flas për ngjarjen që bëri bujë të madhe e që ka të bëjë me 2,1 milionë eurot që nga Thesari i shtetit, u transferuan në llogarinë e kompanisë së tij “LDA – Group”.

Ai ndodhet jashtë Kosovës, por ka shkruar një letër të cilën e ka dërguar në adresë të Gazetës Express përmes vëllait të tij. Në këtë letër që mban datën 24 tetor 2020, Shala ka treguar historinë se si ka përfunduar një shumë kaq e madhe e parave nga buxheti i shtetit në llogarinë e firmës së tij.

“Diku rreth orës 3 kam shkuar në bankomat të TEB Bankës në Prizren për t’i tërhequr një shumë të mjeteve për nevojat e mija personale nga llogaria e firmës të cilës jam përfaqësues, LDA Gruop, pasi në llogari kam pasur mjete të mjaftueshme afërsisht 20 000 euro. Në atë moment kam vërejtur se shuma në llogari ishte mbi vlerën të cilën e kam pasur.

Nga ai moment kam menduar se kam pranuar mjete nga kompanitë me të cilat kam punuar por nga përmbaruesit të cilët i kam angazhuar për kompanitë të cilat më kanë obligime”, shkruan Shala në letrën e tij.

“Për momentin jam jashtë vendit dhe brenda 2-3 ditësh do të lajmërohem të organet kompetente” , ka njoftuar Shala I cili njëkohësisht ka mohuar të ketë ndonjë lidhje me punëtorin e Thesarit Labinot Gruden, i cili u arrestua me dyshimin se ka bërë transaksionin e pareve në kompaninë LDA-Group.

“P.S asgjë dhe asnjëherë nuk kam punuar në institucione shtetërore dhe as që kam lidhje me punëtorët e ministrisë apo thesarit”, përfundon letra e Shalës.

Skema e vjedhjes së 2 milionë eurove – 17 llogaritë në të cilat u shpërndanë paratë e Thesarit të Shtetit

Pas transferimit ilegal të dy milionë e 77 mijë eurove nga Thesari i Shtetit në llogarinë e kompanisë private LDA Group SH.P.K më 9 tetor, një shumë prej mbi 1 milionë e 300 mijë eurove është procesuar në 17 xhirollogari të tjera.

Nga këto, 17 llogari, paratë janë shpërndarë në rreth 50 llogari tjera, firmash e individësh të cilët kanë kryer blerje të ndryshme, nga ushqimi, deri të veturat luksoze.

Mësohet 261 mijë euro të tjera janë tërhequr në para të gatshme në banka nga pronarët e LDA Group Sh.P.K: Valon dhe Kadri Shala.

Rreth 400 mijë të tjera dyshohet se janë bllokuar në xhirollogaritë e kompanisë, në të cilën u realizuan katër pagesa ilegale në emër të Ministrisë së Infrastrukturës.

Përpos tërheqjes në formë kesh dhe elektronike të 266 mijë e 572 eurove nga xhirollogaritë e firmës, Valon e Kadri Shala kanë transferuar 26 mijë euro në xhirollogarinë e Klubit Futbollistik “KF Gryka e Llapushnikut” – një klubi të shuar futbolli, të cilin e kishte drejtuar Kadri Shala disa vjet më parë.

Dy pronarët e kompanisë “LDA Group” Sh.P.K. ndodhen në arrati që nga e marta. Atë ditë, Policia e Kosovës arrestoi Labinot Grudën, zyrtarin e Thesarit të Shtetit, i cili dyshohet për transferet ilegale në vlerë prej mbi dy milionë eurove.

Por, jo vetëm këta tre persona qëndrojnë prapa skemës së vjedhjes dhe shpërndarjes së milionave të zhdukur nga Thesari.

Vjedhje edhe në AUV, merret kasaforta

Ndërkaq, të enjten, një ditë pas vjedhjes së dy milionë eurove nga Thesari i Shtetit, ka ndodhur vjedhja tjetër në Agjencinë e Ushqimit dhe Veteranisë, bëhet fjalë për vjedhjen e një arke me peshë afro 300 kilogramë.

Agjencia i Ushqimit dhe Veterinës ka bërë të ditur se ka pasur një ndërhyrje të paautorizuar, e cila dyshohet se është bërë nga pjesa e pasme e ndërtesës.

Drejtori i AUV-it, Naser Krasniqi ka thënë se ka pasur një ndërhyrje gjatë natës së mbrëmshme, diku rreth orës 00:00 deri 04:00, kështu është bërë një ndërhyrje e paautorizuar. Dyshohet se ndërhyrja është bërë nga pjesa e pasme e ndërtesës. Me këtë është duke u marr policia, ku çdo informatë tjetër mund të ndërhyjmë në pjesë e policisë, kështu që kjo e fundit të merret me rastin nuk mund të japim diçka më tepër. Nuk ka ndonjë informatë për të arrestuar, shumë shpejtë do ta keni raportin e policisë”, tha Krasniqi, përcjell Telegrafi.

Lidhur me rastin është suspenduar një zyrtar policor. Dyshimet e para nga hetuesit e Inspektoratit policor të Kosovës janë se zyrtari policor nuk ka treguar nivelin e duhur të profesionalizmit dhe vigjilencës në raport me detyrat për të cilat kanë qenë të caktuara për të.

KQZ vendos, pesë ditë fushatë zgjedhore në Podujevë

Komisioni Qendror Zgjedhor (KQZ) ka vendosur që fushata zgjedhore në Podujevë të jetë pesë ditë, nga 23 deri më 27 nëntor.

Kryetarja e KQZ-së, Valdete Daka tha se me 9 vota për dhe me dy kundër u votuan afatet kohore.

“Fushata zgjedhore është vendosur që të mbahet nga data 23 nëntor dhe përfundon më 27 nëntor, që i bie 5 ditë. 9 vota për dy kundër. Afatet do të publikohen në ueb faqen tonë”, ka thënë ajo. /Telegrafi/

Në trend Lajme

Më shumë
Cilat ishin gjetjet e Themelores nga mbrojtja e të akuzuarve në rastin e “53-milionëshit”?

Cilat ishin gjetjet e Themelores nga mbrojtja e të akuzuarve në rastin e “53-milionëshit”?

Drejtësi
Serwer tregon se pse Serbia i frikësohet anëtarësimit të Kosovës në Këshillin e Evropës

Serwer tregon se pse Serbia i frikësohet anëtarësimit të Kosovës në Këshillin e Evropës

Lajme
Ndryshimi i motit, IHMK njofton për shi dhe borë

Ndryshimi i motit, IHMK njofton për shi dhe borë

Lajme
Von Cramon optimiste për anëtarësimin e Kosovës në KiE, tregon çka kërkojnë disa shtete

Von Cramon optimiste për anëtarësimin e Kosovës në KiE, tregon çka kërkojnë disa shtete

Lajme
O'Brien pas takimit me Vuçiqin: Shpresoj që komuniteti ndërkombëtar do të bëjë gjithçka që Kosova të themelojë Asociacionin

O'Brien pas takimit me Vuçiqin: Shpresoj që komuniteti ndërkombëtar do të bëjë gjithçka që Kosova të themelojë Asociacionin

Politikë
Lajçak dhe Ashton flasin për kandidaturën e Pahorit si lehtësues i dialogut Kosovë-Serbi

Lajçak dhe Ashton flasin për kandidaturën e Pahorit si lehtësues i dialogut Kosovë-Serbi

Politikë
Kalo në kategori