LAJMI I FUNDIT:

Nokia Normandy në Android do të kushtojë 110 dollarë

Nokia Normandy në Android do të kushtojë 110 dollarë

Telefoni i shumë-përfolur i kompanisë Nokia, i cili do të mbështetet nga sistemi operativ i Google, Android, modeli i njohur si Nokia Normandy thuhet se është bërë gati për treg me një çmim jashtëzakonisht të volitshëm, i cili fillon me 110 dollarë.

Mirëpo, të gjithë ata që i pëlqejnë telefonat Nokia, por edhe sistemin operativ Android njëkohësisht, duhet ta dinë se ky model i ri i telefonit nuk do tu ofrojë atyre qasje në dyqanin e aplikacioneve të Android, Google Play Store, pasi që aplikacionet mobile do të merren nga dyqani i Nokia-së, i cili gjithsesi se do t’i ofrojë shërbimet e famshme, si Skype, Facebook, Twitter dhe të tjerat.

Informacionet e fundit për telefonin e lirë Android të prodhuar nga Nokia, Normandy apo edhe Nokia X, siç njihet ndryshe, thonë se ky model do të jetë vazhdimësi e linjës së telefonave Nokia Asha, dhe i njëjti do të ofrojë karakteristika solide, sikurse procesorin dual-core 1.2GHz Snapdragon SoC, 4GB memorie, 512MB RAM, dhe kamerën e pasme me 5MP.

Nokia i ka ftuar mediat për një ngjarje mediale në Kongresin Botëror Mobil, i cili mbahet këtë muaj në Barcelonë, në të cilën pritet edhe lansimi zyrtar i Nokia Normandy, dhe zyrtarizimi i projekteve dhe pajisjeve të reja nga Nokia. / Telegrafi /