LAJMI I FUNDIT:

Nokia debuton me Lumia 525, kushton 200 dollarë

Nokia debuton me Lumia 525, kushton 200 dollarë

Muajin e kaluar, prodhuesi finlandez Nokia kishte paralajmëruar modelin e ri të telefonit të saj, Lumia 525, i cili është pasardhësi i modelit më të shitur të telefonit në Windows Phone 8.

Tani, Nokia e ka prezantuar modelin Nokia Lumia 525 në Singapor për një çmim mjaft të ulët i cili arrin në 200 dollarë. Ky model i ri i telefonit të Nokia-së tani është në dispozicion në ngjyrën e portokalltë, të bardhë, të verdhë dhe të zezë, me mundësi të ndërrimit të ngjyrës për personalizim të pamjes së telefonit.

Modeli i ri i Nokia Lumia 525 ka karakteristika të ngjashme me versionet paraprake të telefonit, por me përditësim të RAM-it i cili tani sjell 1GB, për dallim nga versioni paraprak i cili kishte 512MB.

Përveç kësaj, Nokia Lumia 525 vjen edhe me ekranin 4.0 IPS LCD me rezolucion prej 480 x 800 pikselëve, procesorin dual-core Snapdragon S4 Pro me 1GHz dhe 8GB memorie të brendshme me microSD për 64GB tjera shtesë dhe 7GB memorie në shërbimin SkyDrive.


Karakteristikat tjera të telefonit përfshijnë edhe kamerën me 5MP me f/2.4, baterinë me 1,430 mAh që mundëson aktivitet të telefonit deri në 10 orë në 3G, Bluetooth, WiFi, dhe Windows Phone 8 me Lumia Black të para-instaluar.

Ende nuk dihet se kur do të paraqitet ky model i telefonit edhe në tregjet tjera të botës, duke përfshirë edhe kontinentin evropian. / Telegrafi /