LAJMI I FUNDIT:

Nokia bashkë me Apple kundër Samsung

Nokia bashkë me Apple kundër Samsung

Prodhuesi i famshëm finlandez, kompania Nokia e ka mbështetur iniciativën e rivalit Apple për të ndaluar shitjen e produkteve të liderit botëror të telefonave mobil, kompanisë Samsung, me arsyetimin se disa prej produkteve të kësaj të fundit po i shkatërrojnë patentat dhe markat e mbrojtura.

Gjatë muajit gusht të vitit të kaluar, një gjykatë amerikane e pati urdhëruar kompaninë Samsung të paguajë një gjobë masive në vlerë prej mbi 1 miliardë dollarësh, ndaj palës së dëmtuar që në atë rast ishte rivali i saj, kompania Apple, lidhur me shkeljen e patentave të regjistruara të produkteve të saj të famshme, si iPad dhe iPhone, ndërsa po e njëjta gjykatë kishte kundërshtuar kërkesen e Apple për ndalimin e shitjeve për 26 produktet e Samsung.

Megjithatë, Apple ka apeluar ndaj këtij vendimi të gjykatës dhe kërkesës së gjigantit amerikan tani i është bashkëngjitur edhe kompania finlandeze Nokia.

Në arsyetimin e saj për mbrojtjen e patentave, Nokia ka thënë se vetëm patentat që mundësojnë përdorimin e teknologjisë për të mirën e përgjithshme do të duhej të lejohen.


Mediat megjithatë janë befasuar me faktin se Nokia i është bashkuar kompanisë Apple, duke marrë parasysh betejën midis këtyre dy kompanive e cila kishte ndodhur në 2009, pikërisht për shkak të mospajtimeve për përdorim të patentave.

Shumica prej 26 produkteve të kompanisë Samsung të cilat kërkohen që mos të shiten në treg, tashmë edhe nuk shiten, duke përfshirë edhe produktet e famshme të Samsung, si telefoni Galaxy SII. / Telegrafi /