LAJMI I FUNDIT:

NMV: Kushtet për Bashkimin Evropian?!

NMV: Kushtet për Bashkimin Evropian?!

Ndërmarrjet e Vogla dhe të Mesme (NVM) në Kosovë duhet të plotësojnë dhjetë fusha veprimi për tu inkuadruar në Bashkimin Evropian. Lidhur më këtë, zyrtarë të qeverisë thonë se Kosova ka shënuar progres në këtë sektor. Ndërsa ekspertë për çështje ekonomike, theksojnë se ekzekutivi duhet të përmirësojë mjedisin ligjor, institucional dhe fiskal për zhvillimin e veprimtarive të këtyre ndërmarrjeve.

Autoritete kompetente në Kosovë janë duke u angazhuar vazhdimisht që ndërmarrjet e vogla dhe të mesme të plotësojnë kushtet bazë për inkuadrimin e tyre në Bashkimin Evropian.

Janë dhjetë fusha veprimi, nëpërmjet të cilave Akti Evropian për Biznese të Vogla, (AEBV) që është vazhdimësi e Kartës Evropiane të Ndërmarrjeve të Vogla dhe të Mesme, monitoron arritjet vjetore të vendeve anëtare, e ku është edhe Kosova.

Naser Graiçevci, drejtor i Agjencisë së Ndërmarrjeve të Vogla dhe të Mesme, në Ministrinë e Tregtisë dhe Industrisë, pohon se më gjithë problemet ekzistuese në këtë sektor, Kosova ka shënuar progres. “Ky mision vlerësues konstatoi se Kosova ka një progres të mirë. Në këtë drejtim Kosova ka një ecje përpara që është vlerësuar edhe nga Komisioni Evropian, dhe që do të jetë pjesë e raportit të progresit të Komisionit Evropian për Kosovë, në fushën e ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme”, tregon Graiçevci .


Megjithatë, ai thotë se ekzistojnë edhe disa sfida në përmbushjen e këtyre dhjetë fushave të veprimit, të cilat i ka vendosur Komisioni Evropian për vendet e Ballkanit Perëndimor.

Sidoqoftë, në Kosovë janë të regjistruara mbi 10.3000 ndërmarrje të vogla dhe të mesme, ndërsa aktive janë mbi 60 mijë prej tyre, thotë Graiveci. Sipas tij, mbi 99 për qind të numrit të përgjithshëm të bizneseve në Kosovë, janë ndërmarrje të vogla dhe të mesme, kurse 98.37 për qind prej tyre janë mikro- ndërmarrje që kanë të punësuar nga 1 deri në 9 punëtorë.

Ymer Havolli, ekspert për këtë sektor, thekson se më gjithë problemet e shumta më të cilat ballafaqohet kjo fushë, autoritet kompetente duhet gjithsesi të plotësojnë kushtet bazë për inkuadrimin e ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme në Aktin Evropian për Biznese të Vogla. “Kosova do të inkuadrohet, do të jetë pjesë e këtij akti Evropian dhe duhet që të insistojë për shkak se biznesi në Kosovë sot po punëson dhe krijon një vlerë mjaft të madhe të ardhurave dhe të punësimit. Për këtë, qeveria duhet që të jetë shumë e angazhuar që të krijojë këtë rrethinë të përshtatshme për bizneset çoftë brenda, çoftë jashtë”, shprehet Havolli. /Rel/Telegrafi/