LAJMI I FUNDIT:

Nisin punimet për tunelin Tiranë-Elbasan

Nisin punimet për tunelin Tiranë-Elbasan

Të premten, nisin punimet për ndërtimin e tunelit, pjesë e aksit rrugor Tiranë-Elbasan. Ky është një tjetër projekt i rëndësishëm, që pritet të shkurtojë distancat kohore midis Tiranës dhe Elbasanit.

Autostrada e re shkurton mbi 50 minuta, në distancë e shpejtësi, rrugën drejt Elbasanit dhe kjo jo vetëm për qytetarët e Elbasanit, por edhe për qytetarët e Sarandës e Konispolit, Delvinës e Gjirokastrës, Tepelenës e Përmetit, Skraparit e Beratit, Gramshit, Kolonjës, Korçës, Pogradecit e Librazhdit, duke qenë ajo segmenti i parë e më i rëndësishmi i Boshtit të Jugut. Investimet për ndërtimin e kësaj rruge bëhen nga Banka Islamike për Zhvillim (IDB), e cila ka dhënë një kredi të lehtë prej 222.7 milionë dollarësh, ndërsa një pjesë tjetër e rrugës do të financohet nga buxheti i shtetit.

Autostrada Tiranë-Elbasan, pjesë kryesore e aksit kombëtar të jugut do të ketë një gjatësi prej 31.17 km, nga 55 km që është aktualisht dhe do të ndërtohet në kushte teknike për t’u përshkruar me një shpejtësi sa trefishi i asaj që është lejuar sot në këtë segment, njofton gazeta Start.

Rruga do të ketë katër korsi, e pajisur ndër të tjera me një numër të madh viaduktesh, 21 të tilla, 7 mbikalime dhe 4 nënkalime. Gjithashtu, do të ketë një numër të konsiderueshëm urash, disa prej tyre më të gjata se 400 metra. Investimi më i rëndësishëm i saj është tuneli me një gjatësi prej rreth 2.4 km, i ngjashëm me tunelin e Bolzanos në Itali. Shpejtësia e udhëtimit do të shkojë nga 100 në 120 km në orë.


Por bashkë me këtë segment, qeveria ka në plan të mbyllë brenda 4 vitesh, gjithë boshtin rrugor të Jugut. Vlera totale e investimit të segmentit prej rreth 400 milionë dollarësh. Kompania që do të ndërtojë rrugën është grekja “Aktor”, e cila është shpallur fituese nga tenderi i zhvilluar gjatë muajit mars. Sipas Ministrisë së Transporteve, kjo kompani paraqiti koston më të ulët për ndërtimin e rrugës. /Telegrafi/