LAJMI I FUNDIT:

Nga 10 mijë euro për disa orë punë në Trustin Pensional

Nga 10 mijë euro për disa orë punë në Trustin Pensional

Në këtë raport thuhet se pr kompensimin e anëtarëve të bordit janë shpenzuar 71.500 euro. Prej kësaj shume, 1.500 euro janë shpenzuar për pagesën e kontributeve pensionale të tyre përderisa pjesa tjetër është shpenzuar për honorarët e shtatë anëtarëve të bordit

Ky Bord është emëruar nga Kuvendi i Kosovës më 30 prill të vitit të kaluar dhe më 27 maj të po këtij viti ka mbajtur edhe takimin e parë treditor. Në muajin shtator është mbajtur një takim treditor duke përfunduar kështu takimet për vitin 2009.

Zyrtarët e Trustit nuk dëshirojnë të komentojnë të ardhurat e anëtarëve të bordit. Sipas tyre, nuk janë vetëm takimet që mbahen çdo tre muaj ato për të cilat paguhen anëtarët e bordit, por janë edhe aktivitetet e tyre gjatë tërë vitit në zhvillimin e politikave të bordit.

Gjatë këtyre dy takimeve për të cilat janë paguar jo më pak se nga 10 mijë euro për kokë, anëtarët e bordit kanë marrë dy vendime.


Sipas Ligjit për Trustin, personat e caktuar për anëtarë të bordit drejtues, me përjashtim të përfaqësuesve të Qeverisë pa të drejtë vote, marrin kompensim për shërbimet e tyre ngjashëm me atë që merret nga personat që mbajnë pozita ekzekutive apo të ekspertëve në institucionet financiare apo në fondet pensionale të madhësisë së njëjtë, ashtu siç është përcaktuar në buxhetin vjetor të Fondit.

Zyrtarët e Trustit të Kursimeve Pensionale thonë se e kanë të ndaluar me ligj t’i bëjnë publike të ardhurat e anëtarëve të bordit të tyre.

“Trusti obligohet me ligj që të gjitha të dhënat personale për secilin kontribuues t’i mbajë konfidenciale. Në këtë drejtim as pagat individuale të anëtarëve të Bordit nuk kemi të drejtë t’i publikojmë”, ka thënë më herët Adrian Zalli, drejtori i menaxhmentit të Trustit Pensional të Kosovës.

Për ndërmarrjet publike, Qeveria ka vënë një rregull me të cilën ka përcaktuar lartësinë e të hyrave për anëtarët e bordeve të këtyre ndërmarrjeve shuma e të cilave tashmë nuk shkon më shumë se 850 euro në muaj dhe atë për kryetar të bordit dhe jo më pak se 270 euro në muaj për anëtarët e bordeve të ndërmarrjeve të publike, të cilësuar në kategorinë e tretë. /koha ditore/