LAJMI I FUNDIT:

Nesër vendoset për kredinë nga Banka Botërore

Nesër vendoset për kredinë nga Banka Botërore

Autoritetet vendore deri nesër duhet t’i japin një përgjigje Bankës Botërore rreth marrëveshjes për grant dhe kredi, në vlerë prej 20 milionë e 200 mijë dollarësh. Ministri i Ekonomisë dhe Financave, Ahmet Shala, ka thënë për Radio Kosovën, se nëse jepet përgjigje negative, atëherë përcillet mesazh negativ para institucioneve financiare ndërkombëtare.

Kuvendi i Kosovës dy herë radhazi nuk arriti ta ratifikojë marrëveshjen me Bankën Botërore për grant dhe kredi në vlerë mbi 20.2 milionë dollarë për modernizimin e kadastrit dhe administratës publike.

Ministri i Ekonomisë dhe Financave, Ahmet Shala, thotë se pavarësisht ankesave të deputetëve për mosinformim apo ndonjë çështje tjetër teknike, në asnjë mënyrë nuk do duhej të cenohej relacioni i ngritur me Bankën Botërore. Megjithatë, ai shfaqi shpresën se kjo marrëveshje do të ratifikohet.

“Unë jam optimist se para skadimit të afatit me BB-në, që është 7-8 qershori, ne do duhej t’i dërgonim BB-së një mesazh pozitiv. Në qoftë se ndodh e kundërta, në të vërtet relacionet e Kosovës me Bankën Botërore nuk do të jenë në nivelin që do duhej ta kishim”, thotë Shala.


Nga ana tjetër, kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Safet Gërxhaliu vlerëson se refuzimi apo mosratifikimi i kësaj marrëveshjeje nga Kuvendi i Kosovës është anomali, duke marrë parasysh se ajo i hap rrugë Kosovës të përfitojë edhe rreth 200 milionë dollarë tjera, ndihmë për buxhetin e Kosovës.