LAJMI I FUNDIT:

Në verë i kthehen Kosovës preferencat tregtare

Në verë i kthehen Kosovës preferencat tregtare

Prodhuesit kosovarë duhet të presin edhe disa muaj që t’u hapen rrugët për eksportin e mallrave të tyre drejt tregjeve të BE-së. Kthimi i preferencave tregtare të BE-së për Kosovën do të mundësojë që prodhimet kosovare të vazhdojnë të kalojnë në tregun evropian pa iu nënshtruar tarifave doganore.

Kosova deri në fund të vitit 2010 i ka pasur këto preferenca, të cilat i ka vendosur BE-ja për të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor. Mungesa e tyre gjatë kësaj periudhe të këtij viti u ka sjellë humbje prodhuesve vendorë, raportoi Express.

Ministrja e Tregtisë dhe Industrisë, Mimoza Kusari-Lila, ka thënë se për kthimin e këtyre preferencave kanë filluar edhe bisedimet me Komisionin Evropian dhe së shpejti thotë se do të udhëtojnë edhe në Bruksel për të diskutuar për këtë çështje.

Ajo shpreson se për një kohë shumë të shkurtër do të arrijnë marrëveshje me shtetet e BE’së për kthimin e këtyre preferencave.


“Ne kemi filluar të përgatisim edhe materialin për këtë marrëveshje dhe shumë shpejt do të udhëtojmë në Bruksel që të bisedojmë me shtetet anëtare të BE-së që të mundësojnë kthimin e preferencave tregtare”, ka thënë ministrja Kusari-Lila.

Komisioni Evropian i kishte vendosur këto masa për të gjitha vendet që janë pretendente për t’u futur në bllokun 27-anëtarësh, në mënyrë që të mbështesin integrimin ekonomik me BE-në, të forcojnë stabilitetin politik dhe përparimin ekonomik në mbarë rajonin.

Vendimi i Komisionit Evropian u lejon vendeve të Ballkanit Perëndimor që t’i eksportojnë prodhimet e tyre në tregjet e BE-së pa tarifa doganore apo kufizime mbi sasitë. Ky vendim është nënshkruar në vitin 2000, është ripërsëritur në vitin 2005, për të skaduar më 31 dhjetor të vitit 2010. /Telegrafi/