LAJMI I FUNDIT:

Në CEFTA nuk diskutohet për eksportin e prodhimeve kosovare

Në CEFTA nuk diskutohet për eksportin e prodhimeve kosovare

Në takimin e parë të CEFTA-s të mbajtur në Bruksel nuk është diskutuar fare për problemet e eksportit të prodhimeve kosovare që bëhen nga disa shtete anëtare të CEFTA-s. Përfaqësuesi i Kosovës Flamur Keqa, i cili ka kryesuar takimin, theksoi se nuk ka mundur të dal jashtë agjendës së paraparë.

Edhe pse takimi është kryesuar nga Keqa, si përfaqësues i Kosovës, ai nuk ka arritur të hap temën e shumëpërfolur në Kosovë, të bllokimit të mallrave kosovare me vulat e Doganave të Kosovës. Ai pranon se nuk është diskutuar fare për këtë çështje.

“Natyra e këtij takimi ka qenë i tillë që të raportohet para donatorëve, ndërkaq sa i përket problemeve dhe bllokadës që i bëhet Kosovës nga ana e Serbisë, ne në kontinuitet i kemi diskutuar në takimet e mëhershme”, tha ai, për radion Blue Sky.

Takimi i Komitetit Drejtues të CEFTA-s në Bruksel është mbajtur ashtu si është paralajmëruar pa simbole e pa emërtime dhe me prezencë të shkurtë të UNMIK-ut. “Prezenca e tyre ka qenë vetëm gjysmë minuti dhe në takim asnjë nga shtetet nuk ka pas ndonjë emërtim para vetes, vetëm përfaqësuesit nga Kosova i është paraqitur emërtimi në tavolinë si kryesues”, tregoi Keqa.


Në lidhje me opinionet dhe kërkesat për tërheqjen e Kosovës nga kjo marrëveshje për shkak të këtyre problemeve dhe mos-përfitimeve, Keqa thotë se nuk do të ishte veprim i mençur.

“Tërheqja nga kjo marrëveshje mendoj se do ta dëmtonte më tepër Kosovën. Sepse vet kjo marrëveshje në një formë është test për integrimin në BE. Është një lloj parakushti që nëpërmjet krijimit të një zone të lirë rajonale sa i përket tregtisë dhe ekonomisë, të fitohet e drejta për të qenë pjesë e BE-së”, është shprehur ai.

Keqa njoftoi se kah fundi i prillit fillojnë një varg takimesh tjera të CEFTA-s, ku pritet të diskutohen edhe problemet e pranimit të vulave të Kosovës. /Telegrafi/