LAJMI I FUNDIT:

Në 9 vjetorin e vdekjes, kujtohet Riza Lluka – veprimtari i çështjes kombëtare

Në 9 vjetorin e vdekjes, kujtohet Riza Lluka – veprimtari i çështjes kombëtare

Në 9 vjetorin e ndarjes nga jeta, është kujtuar sot në Pejë, veprimtari i njohur i çështjes kombëtare dhe humanisti i njohur Riza Lluka.

Me homazhe pranë varrit të tij, një grup i miqve, bashkëpunëtorëve e dashamirëve të të ndjerit, nga mediat dhe kultura, të prirë nga ish-kreu i Bashkësisë Islame të Pejës, mulla Nexhmedin Hoxha, kanë nderuar dhe kujtuar veprën e Llukës.


Kolegë të dikurshëm të punës në media, Fitim Behluli, Arbër Grabovci, Bahri Anadolli, Mehmet Trakaniqi e Tomor Grabovci bashkë me përfaqësues të dy SHKA-ve të njohura të qytetit, ‘Sofra Pejane’ dhe ‘Përparimi’, Afrim Gruda dhe Nagip Gjikolli e të shoqëruar nga këngëtari i njohur kosovar, Ramadan Krasniqi-Dani kanë vënë lule pranë varrit ku pushon trupi i Riza Llukës.

Gishtërinjtë që trandën Jugosllavinë, 34 vjet më parë Riza Lluka i tha JO Serbisë
Lexo po ashtu Gishtërinjtë që trandën Jugosllavinë, 34 vjet më parë Riza Lluka i tha JO Serbisë

Lajmin, të cilit ia ka bashkuar edhe një historik të shkurtër të rrugëtimit jetësorë të Riza Llukës, e ka bërë të ditur, miku i tij dhe bashkëpunëtori i dikurshëm, Fitim Behluli – kryeredaktor i ‘RADIO 1’.

I lindur në vitin 1943 në një familje tregtare të Pejës, Riza Lluka, qysh në rininë e tij të hershme kishte filluar t’i ngjizej ndjenja patriotike e bashkëdyzuar më një dashuri të madhe për arsimin, e cila më vonë kishte bërë që Lluka të ishte një personalitet që nuk hoqi dorë nga ëndrra dhe angazhimi për ditët e mira të shqiptarëve, përmes angazhimit të tij si politik dhe intelektual.

Delegat i Kuvendit të Kosovës, nga viti 1982 deri më 1990, anëtar dhe kryetar i Këshillit për urbanizëm dhe punë komunale në ish-Dhomën e Punës së Bashkuar të Kosovës, njëherësh deputet i Kuvendit të Republikës së Kosovës, në kuadër të institucioneve paralele, por atëherë si anëtar i Partisë Parlamentare (1992-1998), ishin disa prej angazhimeve të Riza Llukës që e bën atë njërin prej personaliteteve me ndikim dhe kontribut në çështjen e shqiptarëve të Kosovës.

Por, në kohën kur çdo veprim kundër ish – sistemit konsiderohej rrezik edhe për eliminim fizik, Lluka tregoi një rezistencë të pashoqe politike kundër aneksimit të Kosovës nga ana e Serbisë.

Në vitin 1989 shqiptarët po humbnin edhe ato pak të drejta që kishin në kuadër të ish federatës së Jugosllavisë. Serbia me në krye Millosheviqin kishte nisur përpjekjet që ta aneksonte vendin e shqiptarëve që kishin mbetur pjesë e Jugosllavisë.

Më 23 mars të vitit 1989, në Kuvendin Krahinës Socialiste Autonome të Kosovës, në kundërshtim me vullnetin e qytetarëve, do të ndryshohej Kushtetuta e vitit 1974, me çka suprimohet autonomia e Kosovës në Federatën Jugosllave, duke e lënë Kosovën si pjesë përbërëse të Serbisë.

Më 23 mars, në sallë të Kuvendit trysnia fillon me gjoja mysafirët e ftuar në seancë. Gjysma e tyre pozicionohen në rendet e para të ulëseve të Kuvendet. Pas tyre ishin përcaktuar vendet e delegatëve.

Gjithçka ishte bërë me qëllim. Numri i madh i “mysafirëve” të pranishëm ishte sinjal për vendime antishqiptare, për manipulime me vota.

Sipas dëshmive, qoftë nga dëshmitarët e edhe nga stenogramet e asaj kohe, komploti zbulohet nga Riza Lluka, delegat nga Peja.

Nga foltorja e Kuvendit, Lluka kërkon që të ndalohet votimi i “mysafirëve”, e që të merret parasysh vetëm vullneti i delegatëve. Kështu, kufizohet vota e tyre. Por, fatkeqësisht, kjo nuk u arrit në tërësi.

Në xhirimet të cilat janë publikuar nga mediat ndërkombëtare, ku dominon imazhi i deputetit Lluka duke ngritur gishtat kundër ndryshimeve, simbolizohet rezistenca dhe përfaqësimi i vullnetit të shqiptarëve shumicë të Kosovës.

Karriera politike e Riza Llukës është e bujshme, ku ishte këshilltar komunal në Kuvendin Komunal të Pejës, për tetë vjet me radhë.

Riza Lluka do mbahet mend edhe si misionar në pajtimin e gjaqeve në SHBA, në krye me Anton Çetën, gjatë viteve të ’90-ta.

Angazhim të veçantë pati në aktivizimin e tërë potencialeve ekzistuese të Kosovës. Ishte njëri nga iniciatorët për elektrifikimin e rajonit të Rugovës. Ishte Riza që mbështeti luftën e pastër të UÇK-së dhe rimëkëmbjen e Pejës.

Ai ishte një prej humanistëve më të mëdhenj të kohëve moderne në Kosovë. Përkrahu dhe ndihmoi projektin e shoqatës “Jetimët e Ballkanit” për hapjen e kuzhinës popullore në Pejë. Mbi të gjitha, ai ishte ndihmës i madh për njerëzit në nevojë. Dhe këto janë vetëm disa nga të bëmat e tij në jetën që e la pas.

Ai ishte misionari që nuk u ndal e dorëzua kurrë, optimisti i përjetshëm që i buzëqeshte cilësdo sfidë.

Kontributi i tij për ndërtimin e shtetit nuk ndal as në vitet e pasluftës. Shpesh do të rrethohej nga shumë njerëz, që nga veprimtarë e atdhetarë të devotshëm, akademikë e politikanë të ekuilibruar, deri tek karrieristë të pacipë. Nganjëherë kishte shumë inat e zemërim por në çaste vendimtare dinte të shmangej dhe të merrte vendime unifikuese.

“Para neve veprimtarëve të asaj kohe dhe veprimtarëve të tashëm, gjithmonë ekziston vetëm një qëllim, të angazhohemi për këtë popull që ka vuajtur shumë”, kishte thënë në një deklaratë të dhënë në vitin 2013.

Në dekadën e fundit të jetës së tij Riza ishte në krye të RTV Dukagjini, ku deri në fund të jetës do të ishte në pozitën e drejtorit të këtij institucioni në kuadër të Korporatës “Dukagjini”, që udhëhiqet nga vëllai i tij, Ekremi.

Riza Lluka në rolin e drejtorit do ta ndihmonte guximin gazetaresk. Me idetë e tij do ta bënte Pejën të madhe duke i ofruar frymë qytetarie dhe shpresë. Do t’i falte Pejës dhe Kosovës atë që i mungonte, fjalën e lirë dhe mendimin kritik. Do të ishte ky Riza Lluka që sa herë fliste, kishte shumë për të treguar.

Më 25 nëntor të vitit 2014, do të ishte beteja e parë dhe e fundit që Riza Lluka do ta humbte, ajo me vdekjen, për tu ndarë fizikisht nga kjo botë, por për të lënë pas një vepër të madhe dhe një jetë kushtuar kauzës kombëtare në shumë drejtime.

Riza Lluka do të ikte bukur, ashtu edhe siç jetoi bukur. Në gjirin e ngushtë familjar, në shtëpinë e mbushur plot. Do të mbahej si trim edhe në vdekje. Të gjithë ata që do ta njihnin nga afër, ose do ta dëgjonin nga larg, do ta kenë  në mendje me fjalët: Riza Lluka, Lamtumirë. Ne do të të duam gjithmonë!

Amanet kishte lënë që për në banesën e fundit të shoqërohej me muzikë. Dëshmi që jeta e tij ishte një këngë. Këngë e një populli që po vuante dhimbjen dhe vuajtjen që shkakton padrejtësia.

Ndryshe, Lluka shkollën fillore e kreu në vendlindje, ndërsa në Prizren përfundoi studimet në drejtimin e arkitekturës, duke qenë njëri ndër kuadrot e para e të kualifikuar të kësaj fushe.

U punësua në ndërmarrjen ndërtimore “Izgradnja”, një ndërmarrje e njohur e kohës brenda dhe jashtë vendit. Aty tregoi gjithë profesionalizmin e tij, duke qenë ideator i shumë projekteve të mëdha.

Në trend Lajme

Më shumë
Njësiti special serb “Kobra” dyshohet të jetë pjesë e trajnimeve të grupeve terroriste pranë kufirit me Kosovën

Njësiti special serb “Kobra” dyshohet të jetë pjesë e trajnimeve të grupeve terroriste pranë kufirit me Kosovën

Siguri
Togerja e Policisë së Kosovës fiton çmim ndërkombëtar për shërbim në komunitet

Togerja e Policisë së Kosovës fiton çmim ndërkombëtar për shërbim në komunitet

Siguri
A po e kushtëzon Sllovenia Kosovën me Asociacion për t'u bërë pjesë e Këshillit të Evropës - flet presidentja Pirc Musar

A po e kushtëzon Sllovenia Kosovën me Asociacion për t'u bërë pjesë e Këshillit të Evropës - flet presidentja Pirc Musar

Lajme
Italiania e dashuruar me Sarandën: Sa erdha thashë do të jetoj këtu, tani kam biznes

Italiania e dashuruar me Sarandën: Sa erdha thashë do të jetoj këtu, tani kam biznes

Lajme
Meta: Ambasadorin italian do ta kisha shpallur “non grata” në Shqipëri

Meta: Ambasadorin italian do ta kisha shpallur “non grata” në Shqipëri

Lajme
Konkursi për gradimin e policëve, dyshohet për favorizime të familjarëve të eprorëve

Konkursi për gradimin e policëve, dyshohet për favorizime të familjarëve të eprorëve

Siguri
Kalo në kategori