LAJMI I FUNDIT:

Ndezja e muskujve

Ndezja e muskujve

Një ndër dukuritë e cila shfaqet shpesh tek ushtruesit e bodibildingut është ndezja e muskujve. Këtë dukuri disa e quajnë edhe lodhje të muskujve.

Idriz Humolli,
www.fitness-prishtina.com

Ndezja e muskujve manifestohet me dhimbjet në muskuj të cilat vërehen – ndihen disa orë pas ndërprerjes së trenazhit ose zakonisht ditën e nesërme. Dhimbjet e muskujve vërehen sidomos gjatë lëvizjeve dhe me rastin e prekjes apo shtypjes. Pas nxehjes dhe përgatitjes paraprake për trenazh, dhimbjet zvogëlohen e në të shumtën e rasteve plotësisht pushojnë dhe nuk e pengojnë trenazhin i cili pason. Zakonisht kjo dukuri – ndezja e muskujve paraqitet në fillim të trenazhit edhe atë më tepër manifestohet tek individët të cilët nuk kanë pasur kurrfarë aktiviteti paraprak fizik, pastaj tek ushtruesit të cilët trenazhin e vazhdojnë me intensitet më të lartë pas ndërprerjes më të gjatë të ushtrimeve.


Ndezja e muskujve mund të paraqitet edhe te ushtruesit që gjenden në formën e plotë sportive sidomos atëherë kur në programin e trenazhit të tyre inkuadrojnë apo përfshijnë ushtrime të tipit tjetër që angazhojnë grupe tjera të muskujve ose me këtë rast muskujt goditen dhe stimulohen nga këndi tjetër, pastaj gjatë rritjes së përnjëhershme të peshës me të cilën ekzekutohet ushtrimi, numrit të serive apo përsëritjeve, ose kur ushtruesi aktiv njëkohësisht fillon të merret edhe me ndonjë sport tjetër plotësues i cili në mënyrë tjetër angazhon dhe stimulon muskulaturën. Pa marrë parasysh se cila do të jetë arsyeja e paraqitjes së ndezjes së muskujve, trenazhi nuk duhet të ndërpritet plotësisht. Nëse lodhja e muskujve apo ndezja e tyre ndihet në shumicën e grupeve të muskujve, ndërsa intensiteti i ndezjes nuk është i lartë (shkalla dhe intensiteti i ndezjes së muskujve duhet të vlerësohet realisht nga vet individi), atëherë preferohet që trenazhi të vazhdohet me intensitet mjaftë të ulët dhe ushtrimet në trenazh të përfshijnë angazhimin e pothuaj të gjitha grupeve të muskujve.

Në qoftë se ndezja paraqitet në njërën apo dy grupet e muskujve për shembull gjoks dhe biceps, atëherë trenazhi mund të vazhdohet (natyrisht nëse ndezja është e intensitetit të vogël) pas nxehjes dhe përgatitjes paraprake të muskujve duke ushtruar grupe tjera të muskujve që kanë mundësi të zhvillohen pa pengesa duke mos angazhuar grupe të muskujve te të cilat ndihet ndezja. Në shembullin tonë në këtë rast mund të zhvillohet trenazhi i dedikuar muskujve të këmbëve dhe barkut. Me qëllim që ndezja e muskujve të pushojë sa më parë ushtruesi duhet të nxehë sa më tepër muskujt në përgjithësi, të bëjë larjen e trupit me ujë të nxehtë dhe masazhin e muskujve.

Ata të cilët për herë të parë hyjnë në ushtrimore dhe ditën e parë bëjnë angazhim dhe ngarkesë më të madhe të muskujve, rrallë herë mund t’i shmangën ndezjes së muskujve, megjithatë kjo dukuri nuk duhet t’i brengosë aspak edhe pse në praktikë hasim rastet e brengosjes serioze natyrisht të paarsyeshme, sepse kjo dukuri – ndezje e muskujve është vetëm një lloj manifestimi i punës dhe angazhimit muskulor e cila dëshmon aktivitetin paraprak tejet të vogël apo të pamjaftueshëm e në shumicën e rasteve edhe joaktivitetin total. Ushtruesit që një kohë të gjatë merren pa ndërprerje me bodibilding shfaqjen e herë pas hershme të ndezjes së muskujve apo dhimbjes së tyre e vlerësojnë dhe e karakterizojnë si pozitive duke pohuar se trenazhi paraprak ishte i qëlluar, i suksesshëm dhe produktiv. Në kuadër të këtij konstatimi mund të gjenden vlerësime pozitive të pranuara megjithatë me këtë konstatim të tillë mund të pajtohemi vetëm pjesërisht.

Njëri ndër parakushtet kryesore për pengimin dhe evitimin e ndezjes dhe dhimbjes së muskujve është të nxehurit e gjithanshëm dhe parapërgatitja e muskujve për trenazh si dhe përshtatja e ushtrimeve, peshës me të cilën ekzekutohet ushtrimi i caktuar numri i serive, përsëritjet në kuadër të serisë dhe i tërë intensitetit të përgjithshëm, e sidomos përshtatja e tij mundësive reale, momentale dhe individuale. Meqenëse çdo herë kur paraqitet ndezja e muskujve pa marrë parasysh shkallën dhe intensitetin duhet ditur se gjatë tërë kohës kur zgjatë kjo, muskujt nuk janë mjaftë elastike, prandaj ekziston mundësia shumë më e madhe për lëndimin eventual të muskujve. /Telegrafi/