LAJMI I FUNDIT:

Nata pa Hënë në festivalin e filmit të Evropës Juglindore

Nata pa Hënë në festivalin e filmit të Evropës Juglindore

Po zhvillohet në Los Angelos festivali i filmit për Evropën Julindore. Gjatë ditëve të këtij festivali janë paraqitur dhe presin të shfaqen ende për publikun dhe jurinë, rreth 20 filma. Mes tyre është përzgjedhur si konkurrent dhe filmi "Nata pa hënë" i regjisorit shqiptar Artan Minarolli. Ky film ishte në konkurrim ditën e diel.

Emigracioni dhe dramat që mbart ai, është subjekti i filmit “Nata pa hënë”, i cili është pjesëmarrës në festivalin e filmit për Evropën Juglindore që organizohet në Los Anxhelos në datat 30 prill deri në 5 maj. I vlerësuar dhe më parë në aktivitete të tjera, si në festivalin e filmit të New Jerseyt për filmin më të mirë të huaj në vitin 2005, apo si filmi më i mirë në festivalin e filmit mesdhetar në Itali 2004, regjisori i filmit Minarolli, është i kënaqur për pjesëmarrjen në festivalin e LA këtë vit.

Temat sociale dhe të përditshmërisë shqiptare, janë ngacmime për krijimtarinë dhe shërbejnë si muza frymëzuese për regjizorin Minarolli. Projekti i tij më i ri është për një tjetër plagë therëse në shoqërinë shqiptare, e pikërisht për gjakmarrjen.

Kinemaja shqiptare e vendosur përpara rregullave të reja të tregut, ka vite që ngre problemin e financimeve të pamjaftueshme. Për këtë çështje Minarolli thotë se ideja dhe përgatitja e një materiali dhe skenari, është po aq i rëndësishëm sa dhe gjetja e fondeve.


‘Natë pa hënë” filmi pjesëmarrës në festivalin e LA u shfaq të dielën përpara jurisë dhe publikut kalifornian, duke rrëfyer përmes artit të regjisorit Minarolli një pjesë të dramës shqiptare të emigrimit, e cila riciklon nëpër breza histori të trishta, dhimbjeje, malli dhe dashurie për njerëzit e dashur lënë atje larg. /VoA/