LAJMI I FUNDIT:

Naço: Nuk ka tolerime për konçesionet energjetike

Naço: Nuk ka tolerime për konçesionet energjetike

Ministri i Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës, Nasip Naço, shprehu të martën mbështetje për të gjithë investitorëve të huaj apo vendas të cilët po realizojnë projekte të rëndësishme në ndërtimin e hidrocentraleve duke thënë se qeveria shqiptare do të jetë një partnere konkrete për realizimin e tyre duke krijuar të gjitha lehtësitë e nevojshme, ligjore e proceduriale.

Ai shtoi se puna për ndërtimin e hidrocentraleve dhe përdorimi i burimeve të tjera energjetike të rinovueshme shkon përkrah objektivit të Ministrisë së Ekonomisë për për ta bërë Shqipërinë një fuqi rajonale energjetike.

Zoti Naçi përmendi investimin prej 200 milion eurosh në Hidrocentralin të Ashtës, duke e cilësuar atë si “unik në botë nga teknologjia e përdorur” dhe një histori suksesi në proçesin e konçesioneve.

Megjithatë, Ministri Naço, gjatë workshopit me temë Biznesi për biznesin “Hidrocentralet në Shqipëri-Kompanitë lokale dhe ndërkombëtare, potenciali i bashkëpunimit”, theksoi vendosmërinë e METE-s për respektimin rigoroz të të gjithë kontratave konçesionare dhe marrjen e masave konkrete për ata konçensionarë që nuk respektojnë detyrimet kontraktuale, “qoftë edhe në zgjidhjen e kontratës për disa subjekte, siç i kemi identifikuar tashmë rreth 10-15 raste flagrante”. Ai i akuzoi këto kompani se kanë luajtur rolin e sekserit duke ia shitur konçensionet palëve të treta.


“Sikurse kam shprehur gadishmërinë e plotë për të qënë avokat i kompanive koncesionare në raport me pushtetin lokal, në përshpejtimin e procedurave, në lehtësimin e burokracive apo marrjen e lejeve për të filluar nga punimet, ashtu edhe nuk mund të rri duarkryq në rastin e një kompanie që ka marrë koncesionin në vitin 2007 dhe akoma nuk ka bërë regjistrimin në QKR, apo të ndonjë koncesionari tjetër, që kontrata parashikonte rritjen e kapaciteteve instaluese, ndërkohë që nga ana e tij deri tani nuk është bërë asnjë investim edhe pse ka disa vite që e shfrytëzon. Ne nuk mund të tolerojmë që këto investime dhe projekte me rëndësi kombëtare të mbeten peng i disa kompanive fantazëm, sic po na rezultojnë në disa raste, të cilët janë kthyer në sekserë në dyert e kësaj ministrie, për të shitur kontratën koncesionare në dhjetëra, apo qindra mijëra euro. Do të ishte e patolerueshme për ekonominë shqiptare që nga rreth 98 koncesione të marra vitet e fundit, disa prej tyre 10 apo 15 të mbeten vetëm në letër, në një kohë kur janë me dhjetëra kompani serioze, vendase dhe të huaja, sic janë edhe kompanitë që janë sot prezente këtu, që janë gati të investojnë kapitalet e tyre për të përfunduar këto projekte, duke shtuar kapacitetet gjeneruese energjitike në vend”, tha zoti Naço.

Ministri i Energjetikës, Naco tha gjithashtu se qeveria do të shfrytëzojë edhe kaskadat e lumenjve Vjosë, Osum dhe Drin i Zi për ndërtimin e hidrocentraleve, ku projekti më i rëndësishëm është HEC-i i Skavicës. Sipas të dhënave, biznesi vendas dhe i huaj ka lidhur kontrata për ndërtimin e rreth 280 hidrocentraleve të vegjël, të mesëm dhe të mëdhenj, si dhe ndërtimin e rreth 12 parqeve me erë për prodhimin e eneregjisë elektrike./Telegrafi/