LAJMI I FUNDIT:

MUZIKË E RE, POEZI E RE

MUZIKË E RE, POEZI E RE

Nga: Amiri Baraka
Përktheu: Fadil Bajraj

Poezia para së gjithash është një formë muzikore. Është të folurit e muzikuar. Ajo, për të qenë më e fuqishme, duhet të arrijë atje ku fillon të folurit, si tingull, dhe ta sjellë tingullin në fokus të plotë dhe komunikim shumë ritmik. E folme e lartë. Poezia për epokën që po vdes (racizmi dhe kapitalizmi monopol, imperializmi) ekziston


kryesisht në letër. Është shtypur dhe lidhur për merak dhe në fakt është menduar për një elitë të veçantë. Ajo, si vetë struktura e ekonomisë, nuk ka për qëllim të arrijë ose të përfitojë një numër të madh njerëzish.

Poezia angleze vdiq kur Perandoria vdiq, ajo u shpenzua nga fillimi i shekullit të 20-të. Disa amerikanë shkuan atje për ta ringjallur (Pound, Eliot dhe të tjerë), por stafetën e kishin marrë amerikanët në atë kohë dhe ata nuk kishin pse të mbulonin aq çmenduri dhe gënjeshtra sa Perandoria. Dhe, kulturat e ndryshme brenda përvojës amerikane: që ngërthente përvojën afrikane, latino-amerikane, të banorëve autoktonë, aziatike, të emigrantëve europianë, dhe e pomponin përditë plot realitet dhe ritme komplekse të jetesës. Kombinuar me ritmet e punëtorit dhe fermerit anglo-amerikan, Poezia Amerikane, shkrimi, kultura në tërësi u bë vërtet e frikshme si një forcë në botë. Megjithëse, padyshim, u përhap nga kërkimi i sundimtarëve amerikanë për fitime në të gjithë botën. Ashtu si kur ndizni Zërin e Amerikës ose Radion e Forcave të Armatosura jashtë vendit diku ju nuk dëgjoni Brahmsin, por Stevie Wonderin ose Bobby D ose klone të ndryshme të tyre.

Poezia e Zezakëve, në formën kryesore, nga premisa e saj (përveç nëse shënjuesi është zbardhur në mënyrë të konsiderueshme) do të thotë të tregosh origjinën e tij muzikore dhe të zgjidhet si e dhënë. Bash ashtu siç është Blluzi, në një nivel, një formë vargjesh, kështu që Poezia e Zezakëve fillon si muzikë që futet në fjalë.

Poetët zezakë laureatë si Langston Hughes janë shembuj bindës të muzikës së zezakëve që futen në të folurit e lartë. Ai thoshte se donte “të kapte dhe të mbante disa nga kuptime dhe ritmin e xhezit”. Ndërsa, në gjeneratat më të fundit poetë si Larry Neal, Yusef Rhman, Poetët e Fundit, Askia Touré, Jane Cortez, shkruajnë një poezi që sjell fjalët në muzikë duke pasqyruar më bashkëkohoren nga të dyja shprehjet, të bëra një.

“Poezi dhe xhez” e pashë për herë të parë të bëhej në Greenwich Village kur unë dola nga farsa e gabimit në vitin 1957 apo ashtu diçka. Langston Hughes ishte poeti i parë që kishte njëfarë reputacioni që pashë duke përdorur këtë formë, në 5 Spot në fund të viteve ‘50. Ama ai këtë e kishte bërë këtë, deri në atë kohë, për vite me radhë.

Kurrë nuk më ka shkuar mendja se do të kishte ndonjë arsye për të mos lexuar poezi me muzikë. Dhe, sa më të qarta që i kisha burimet e mia legjitime historike dhe kulturore, aq më e qartë u bë për mua se jo vetëm që poezia duhej të ishte aq muzikore sa mund të ishte, por leximi me muzikë vetëm sa do ta rriste dhe zgjeronte kuptimin e saj dhe do t’i jepte forcë të re formës së saj.

Poezia që nuk doja të shkruaja është ajo gojore sipas traditës, e cila synon masën si funksion dhe motiv themelor të saj. Poezia e zezakëve, në rrjedhën e saj kryesore është orakulare, predikueses, ajo përfshinë piskama, britma dhe rënkime e vajtime të njerëzve brenda dhe jashtë kishave. Pëshpëritja dhe gjëmimi vibrato dhe stakato e brendshme dhe e jashtme e vetë njerëzve dhe dëshiron të jetë po aq e vërtetë sa çdo gjë tjetër dhe po aq e arritshme sa një këngë – një këngë për një botë reale, plot të mira dhe të këqija. Muzika po ashtu është anglo-amerikane, si lojtarët dhe poeti. Por, muzika ka huazuar nga çdo gjë që e ka interesuar në botë, ama ende është vetvetja. David Murray dhe Steve McCall janë artistë të mirë të muzikës bashkëkohore afro-amerikane. Është një muzikë, origjina e së cilës e lëmuar nga përvoja e saj amerikane, bash ashtu si njerëzit. Ka ardhur nga Kënga dhe Spiritualja, ndërsa blluzi është e folme e tij e përbashkët personale. Murray dhe McCall janë pjesë e këtij brezi aktual që kanë marrë këto baza themelore historike dhe kulturore dhe duke pasur parasysh risitë mahnitëse të njerëzve si z. Armstrong, z. Ellington, z. Young, z. Parker dhe z. Coltrane, kanë vazhduar të na tregojnë sekondat minutat, orën, ditën muajin,

vitin, dhe epokën e realitetit tonë.

Së bashku ata (Murray dhe McCall) janë krahët e jashtëzakonshëm për fluturimin e poezisë/muzikës që dëgjohet këtu. Ne donim që muzika dhe fjalët të zgjeronin njëra-tjetrën, të ishin pjesë e së njëjtës shprehje, pjesë të ndryshme të një tërësie dhe puna për ta prodhuar këtë dukej e lehtë, dhe ishte një kënaqësi, një përvojë e bukur. Ngandonjëherë të punosh me muzikantë të tjerë, më pak të aftë që përpiqen të bashkojnë poezinë me muzikën është punë e zahmetshme dhe e gjatë. Muzikantët mund të mos duan të merren me poezi, mund të mos jenë në gjendje të kuptojnë se që muzika të jetë e duhur ajo duhet të fillojë me frymën e poezisë të vendosur në atë dhe si tingëllon. Ama kjo është diçka tjetër. Në këtë pllakë ne u përpoqëm të shprehnim pak nga gëzimi që kishim derisa krijonim poezi/muzikë.

Ne po ashtu kemi dashur të themi disa gjëra. /Telegrafi/