LAJMI I FUNDIT:

Muaji i dorëheqjeve të Thaçit (Video)

Muaji i dorëheqjeve të Thaçit (Video)

Pas 16 vjetësh në krye të Partisë Demokratike të Kosovës, Hashim Thaçi këto ditë pritet ta dorëzojë librezën partiake. Ngjitja në ulësen e të parit të shtetit, ia imponon atij tërheqjen nga çdo funksion në parti. Kështu e parasheh neni 88 i Kushtetutës së Kosovës.

Aty shprehimisht thuhet se: Presidenti nuk mund të ushtrojë asnjë funksion tjetër publik dhe pas zgjedhjes, Presidenti nuk mund të ushtrojë asnjë funksion në parti politike.

Largimi i tij nga PDK-ja, e shtyn partinë më të madhe në vend që futet në zgjedhje për kryetarin e ri.


Deri atëherë, konform statutit të PDK-së, partinë do ta udhëheq zëvendëskryetari Kadri Veseli.

Në fakt, zyrtarë të lartë të kësaj partie e shohin kryetarin aktual të Kuvendit të Kosovës, si favorit për kryetar.

Të pyetur nga Tribuna Channel, ata kanë thënë se ende nuk kanë biseduar për kohën se kur do të nis ky proces, ndonëse nuk shohin ndonjë telash për ta zgjedhur kreun e ardhshëm.

Në fakt, Thaçi ka kohë më shumë se një muaj për ta dhënë dorëheqje nga funksionet në parti, përkatësisht deri me 7 prill, kur edhe pritet ta jap betimin në Kuvend dhe ta pranoj detyrën nga presidentja e deritashme, Atifete Jahjaga.