LAJMI I FUNDIT:

Mourinho mposht ish-skuadrën

Mourinho mposht ish-skuadrën

Interi dhe Chelsea janë takuar në Giuseppe Meazza për të zhvilluar takimin e parë të 1/8 së finales të Ligës së Kampionëve, takim i cili i takoi skuadrës vendase. Në ndeshjen e të mërkurës mbrëma, Nerazzurët fituan me rezultat 2-1.

Vendasit e filluan furishëm pjesën e parë dhe pas një kombinimi të sulmuesve zikaltër, Diego Milito lëvizi mirë për ta plasuar topin në rrjetin e portierit Petr Cech (3’).

Me epërsi minimale të Interit, prej 1-0, përfundoi gjysma e parë e takimit, edhe pse në bazë të statistikave, për një nuancë Chelsea ishte skuadër më e mirë në fushë.

Atë që e bënë vendasit në pjesën e parë, mysafirët e bënë në të dytën. Në minutat e para të fraksionit të dytë të lojës (51’), me një goditje nga distanca, Salomon Kalou mposhti portierin Julio Cesar.


Mirëpo ky barazim nuk zgjati shumë, pasi që me tentativën e tij të dytë, Esteban Cambiasso shënoi një gol të bukur për të rikthyer epërsinë e vendasve (55’).

Blutë nuk arritën të ndryshojnë asgjë deri në fund të takimit, kështu që në ndeshjen e kthimit do të duhet doemos të fitojnë, por njëherit të pranojnë më pak gola.

Nga ana tjetër, në Stamford Bridge, kampioni i Italisë do të siguronte çerekfinalen edhe me një barazim. /Telegrafi/