LAJMI I FUNDIT:

Mosmbledhja e taksave të parashikuara, rënie në buxhet

Mosmbledhja e taksave të parashikuara, rënie në buxhet

Raporti fiskal për periudhën janar-prill 2011, hartuar nga Ministria e Financave, tregon se të ardhurat në buxhet kanë qenë 103, 7 mld lekë, ose 4,4% më pak se parashikimi, dhe rënie me 0.8 për qind nga viti i kaluar, kjo për shkak se tatimet dhe doganat po hasin vështirësi në mbledhjen e shumë taksave, të cilat janë bazë për arkën e shtetit.

Nga analiza e bërë dikasteri i Financave, rezulton një rënie prej 0.4 për qind e të ardhurave nga TVSH-ja krahasuar me një vit më parë. Ndikimin kryesor për mosrealizimin e të ardhurave nga TVSH-ja e ka njësia e tatimpaguesve të mëdhenj, pasi një numër i konsiderueshëm kompanish të mëdha, kanë pagesa më të ulëta se një vit më parë, një diferencë që vlerësohet në 2,3 mld lekë. Të ardhurat nga taksat doganore gjithashtu janë në rënie me 8% kundrejt parashikimit, ndërkohë që të ardhurat nga akciza kanë mbetur në të njëjtin nivel të një viti më parë, në rreth 10,3 mld lekë.

Rënie konstatohet edhe tek të ardhurat që mblidhen nga pushteti vendor. Sipas ministrisë së Financave, për periudhën janar-prill ato arritën në 4,9 mld lekë, nga 5,1 mld të planifikuara në buxhetin 2011. Ndërkohë që kundrejt një viti më parë janë rreth 3% më të ulta. Bashkitë dhe komunat po hasin probleme edhe në mbledhjen e taksës së pasurisë. Ministria e Financave shpjegon se për nivelin ende të lartë të informalitetit, ka mjaft vështirësi në vlerësimin e bazës së taksueshme, për arsye të mangësive në deklarimin real të pasurive. Për 4-mujorin taksat mbi pasurinë arritën në 862 mln lekë, ose 3,3% më të ulëta se një vit më parë, raportoi BW.

Një ndër taksat që ka mundësuar mbushjen e arkës së shtetit është tatimi mbi të ardhurat personale, që paguhet në masën 10% të pagës mujore, nga cdo punonjës në sektorin publik dhe privat. Nga kjo taksë u mblodhën në 4 muajt e parë të vitit 9 mld lekë, me rritje 9% në krahasim me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Rritje vihet re edhe te të ardhurat nga tatimi mbi fitimin, ku për 4 mujorin u mblodhën 7,7 mld lekë, me rritje 21% kundrejt vitit të kaluar.


Performancë pozitive konstatohet edhe tek të ardhurat nga taksat nacionale, ku në total janë mbledhur për 4 muajit e këtij viti 6,4 mld lekë me rritje 25,6%. Mosrealizimi i të ardhurave të planifikuara detyroi qeverinë që të rishikonte buxhetin e këtij viti duke reduktuar me 14 mld lekë planin. Drafti u miratua në parim vetëm me votat e mazhorancës, të enjten e kaluar në parlament./Telegrafi/