LAJMI I FUNDIT:

Mos ejani!

Mos ejani!

Është jokorrekte të mbledhësh përmes një operacioni të thjeshtë matematikor premtimet parazgjedhore të dy partnerëve të koalicionit për hapjen e vendeve të reja të punës për kosovarët dhe të kërkosh që ata bashkërisht të hapin mbi 400 mijë vende pune. Pak a shumë kaq kishin premtuar. Edhe po të qeverisnin veç e veç, Kosovës në këtë fazë i mjaftonin kaq. Kjo është matematikë e saktë gjithsesi, por jo edhe në politikë ku dy edhe dy nuk bëjnë katër.

Partnerët e koalicionit e kanë mbajtur fjalën. Vendet e punës janë në Evropë. Edhe më shumë se 400 mijë. Harrojeni vërejtjen e cila shkon bashkë me vendimin për liberalizimin e vizave se kjo vizë nuk mund të shfrytëzohet për të punuar “në të zezën”. Jo, thotë burokracia evropiane, jo thonë edhe politikanët tonë, por kështu – larg kamerave – thonë: hajt-hajt se do të gjendeni ju diqysh! Jemi popull i gjindshëm, gjithsesi! Edhe mishi të piqet, edhe…! E kush të ndalë të ruash fëmijët e të afërmve, të punosh nëpër shtëpitë e tyre apo edhe të shëtisësh qenin e dikujt sa për të hequr shpenzimet e qëndrimit?!


Eksodi! Askush që lexon gazeta në glob nuk ka mbetur pa i parë ato pamje atdhedashurie, kur mijëra e mijëra shqiptarë duke u kapur për njeri-tjetrin, për këmbësh apo kudo që mundeshin, po përpiqeshin me panik të ngjiten në anijet të cilat po fundoseshin nga pesha e një populli që po ikte nga vendi i vet. Përkundrejt ligjeve të fizikës, një vështruesi të huaj ishte vështirë të mos i hapej dilema: kush po fundosej? Anijet që mezi po e bartnin barrën e njerëzve që po iknin nga vendi i tyre, apo të Shqipërisë e cila po boshatisej dhe po dukej e shkretë?

Diçka e tillë ndodhi edhe vetëm para dy vitesh në Kosovë. Pasi që Kosova nuk kufizohet me det, por me Serbinë, ikja ndodhi me autobusë të cilët po merrnin popullatën nëpër stacione dhe nga dikush i organizuar tepër mirë, po e depërtonte deri në kufi të Hungarisë para syve të Qeverisë e cila duke rrudhur krahët sikur thoshte se “vet po ikin se askush nuk po i ndjek”. Po të mos kishte edhe invalidë me karroca, pleq, gra me fëmijë në gjinj, dikush edhe mund të kujtonte se qytetarët po shkojnë të zënë vendet e premtuara të punës nga politika. Por, jo! Ata po iknin nga dështimi i qeverisjes vendore dhe ndërkombëtare në Kosovë, të cilët nga ana e tyre u pasuruan skajshëm qoftë nga donacionet apo edhe nga buxheti i varfër i vendit, por për qytetarët nuk arritën të krijojnë një jetë të dinjitetshme. Epo, nuk kishte për të gjithë!

Kjo prirje për të ikur përpara qeverisjes së korruptuar, e sidomos përpara asaj informale që është e egër dhe despotike, i ka shqetësuar qendrat politike të Evropës. A do të ketë sërish eksod kosovar? A do të shpërngulet bashkë me ta edhe informaliteti?

A do të sjell liberalizimi I vizave një eksod të ri të kosovarëve drejt vendeve të Bashkimit Evropian, pyeten analistët ndërkombëtarë e vendorë? Pyetjet dhe shqetësimet e tyre gjithsesi nuk janë të pabaza kur kihet parasysh e kaluara jonë e largët, e madje edhe ajo e afërt.

Eksodi është dukuri gjithë shqiptare, pra për Shqipërinë, Kosovën apo dikur Çamërinë, Toplicën dhe klith dhimbshëm nga kujtesa jonë kolektive. Klith edhe nga ekranet, librat dhe tashmë edhe portalet tona. Kundër ikjes deklarohen fuqishëm dhe plot emocione edhe ata që me decenie e kanë lënë vendlindjen. Mos ikni. Këta të fundit sikur thonë: “mos ejani”!

Si na mësojnë librat, por edhe rrëfimet e gjysheve, deri nga fundi i shekullit të kaluar gjithnjë ishim larguar duke ikur nga dhuna e shteteve të cilave shqiptarët për ndonjë arsye gjithnjë u pengonin diçka, edhe pse ishin në tokat e tyre prej se mbahet mend – e besa edhe më herët. Viteve të ‘90-ta të shekullit të kaluar shënojnë kulmin e eksodit shqiptar, fillimisht në Shqipëri duke rrënuar kështu regjimin komunist dhe në vitin 1999 për arsye krejt të tjera. Viti 1999 ishte viti i cili e ngriti në këmbë civilizimin perëndimor për të mbrojtur një popull të cilin po e largonin dhunshëm nga qytetet dhe fshatrat e veta, nga vendi i vet i lindjes dhe i rritës. Mediat perëndimore pas disa vitesh patën regjistruar edhe skena krejt tjera ku familje kosovare hynin në grevë urie për të mos u riatdhesuar, por edhe kjo mirëkuptohej duke pasur parasysh vendin i cili ende nuk i kishte marrë këmbët nga lufta. Por, ky nuk ishte i fundit.

Eksodi I fundit, i cili llogaritet se e la Kosovën me më se 100 mijë banorë më pak, në fakt nuk ndodhi i nxitur nga ndonjë presion ushtarak, nga ndonjë shtet tjetër, siç kishte ndodhur gjithnjë më parë. Nuk ndodhi as me ikje individuale për kafshatën e gojës. Po ky i fundit ishte një eksod i përmasave të mëdha, i cili po zhvillohej para syve tanë dhe dukej qartë se ishte një proces I organizuar mirë dhe me një qendër koordinuese të cilën askush nuk arriti të e detektojë dhe denoncojë publikisht. Mediat luteshin thekshëm duke përhapur ndjenjën e apokalipsit të vendit që po shuhet, edhe pse tashmë ishte i lirë si nuk kishte qenë asnjëherë në të kaluarën e vet. Nëpër dasma dhe syneti, “turbo” këngëtarët, të pasuruar nga malli për vendlindjen, po këndonin: “Mos ikni”!

Autobusët çdo mbrëmje niseshin nëpër Stacione të Autobusëve dhe Policia e shtetit mbante rendin që të mos vinte deri te konfliktet, pasi që kishte të atillë të cilët përmbi koka të njerëzve të tjerë po përpiqeshin të hynin me çdo kusht në autobusët që çonin në Evropë. Aty një vend paguhej shumë!

Kështu, shteti deklarohej I pafuqishëm për të penguar “lëvizjen e lire” të njerëzve drejt Serbisë dhe tutje. Mijëra njerëz shitën gjithçka që kishin për të siguruar biletat dhe (anash)kalimin e kufirit, për të përfunduar në ndonjërin nga kampet e stërmbushuara të refugjatëve – kryesisht në Gjermani. Ka shumë gjasa që krejt ky të ishte test, sikur po krijohej modeli për atë që pamë një vit më vonë me “ortekun” e refugjatëve nga vatrat e luftës në Azi – si Siria, Iraku, Afganistani etj. Ndoshta edhe strategët dhe organizuesit ishin të njëjtë. Ishte vetëm biznes.

Tash, në rrethana të reja, me viza dyert janë të hapura. Askush nuk do të ketë nevojë të shes shtëpinë për të sfiduar sistemin social në BE, duke u paraqitur atje si i pastrehë. Askush nuk ka nevojë më të martohet për “letra” me dikë që nuk e do, vetëm për të ikur në Evropë. A do të ketë ikje masive, pas liberalizimit, duke ditur se sa e madhe është pakënaqësia me jetën në shtetin e ri, ku mbretëron krimi dhe korrupsioni dhe ku nuk ka punë përkundrejt pasurimit të skajshëm të klasës politike?

Padyshim, mjaft kosovarë do të shkojnë në vendet e BE pas liberalizimit të vizave. Gjithsesi pjesa dërrmuese e tyre, në mënyrë të ligjshme. Kjo do të bashkojë shumë familje të ndara, por edhe mjaftë të tjerë do të kthehen të jetojnë këtu sërish, duke ditur se Gjermania është vetëm dy orë larg, pa llogaritur në pritjen në Aeroport. Pak a shumë sa një udhë në Tiranë me automobil. Pastaj, do të ketë edhe vikend udhëtime, ekskursione nxënësish dhe aktivitete kulturore të shumta të cilat ishin të pamundura për shkak të vizave. Kjo do të nxiste edhe bizneset e ligjshme të këndellen. Kjo do të ulte edhe çmimet e udhëtimit.

Mijëra kosovarë do të shkojnë në Evropë të dëgjojnë këngëtarët e popullarizuar të cilët nëpër diskotekat e shqiptare atje këndojnë këngën: “Mos ejani”! Edhe ne “Facebook” mërgimtarët tanë tashmë i ka kapur paniku. Shumë prej tyre po shkruajnë në statuset e tyre se dy muaj pas liberalizimit nuk do të jenë në shtëpi… ose janë të “rezervuar” për të afërmit!

Mos ejani…!

Gjithsesi do të shkojmë! Edhe do të kthehemi. Edhe prapë do të shkojmë…! Në mos për asgjë tjetër, së paku për me u sigurua se nuk është ëndërr! Dikur njerëzit i shisnin shtëpitë për një vizë…!