LAJMI I FUNDIT:

Modernizohen hekurudhat

Modernizohen hekurudhat

Hekurudhat e Kosovës janë duke e përmirësuar rrjetin hekurudhor të Kosovës këto komente u bënë të enjten pas përurimit të lokomotivës së rifabrikuar të Hekurudhave të Kosovës.

Ministri i Transportit dhe Postë-Telekomunikacionit Fatmir Limaj, tha se Hekurudhat e Kosovës e kanë përfunduar një projekt shumë të rëndësishëm të rifabrikimit të lokomotivës, projekt i cili do të rritë mundësinë dhe cilësinë e transportit hekurudhor të udhëtarëve dhe atij të mallrave.

Ai ka premtuar angazhimin e ministrisë të cilën e drejton për zhvillimin dhe ndërtimin e infrastrukturës hekurudhore. “Falë angazhimeve kemi arritur, që linjën hekurudhore veri-jug e cila lidhë Kosovën me Serbinë dhe Maqedoninë, ta fusim si prioritet në kuadër të korridoreve Pan Evropiane, me emrin linja e dhjetë hekurudhore”, theksoi ai.

Po ashtu Limaj ka bërë të ditur se në fund të muajit përfundon studimi i fizibilitetit për modernizimin e kësaj linje hekurudhore, studim ky i financuar nga Komisioni Evropian.
“Muajin e kaluar nga Komisioni Evropian, kemi kërkuar që të financohet studimi i fizibilitetit edhe për dy projekte shumë voluminoze në sektorin e hekurudhave, për projektdizajnet për modernizimin e të gjitha linjave tjera hekurudhore. Ndërsa projekti i dytë ka të bëjë me ndërtimin e linjës hekurudhore Prishtinë-Aeroporti “ Adem Jashari”.


Ministri në dorëheqje Limaj, tha se është duke u punuar edhe për lidhjen e Hekurudhave të Kosovës me ato të Shqipërisë. “Ju them se ne do të jemi të gatshëm të përfundojmë pjesën tonë të obligimeve ashtu siç po e përfundojmë edhe autostradën rrugore apo Rrugën e Kombit cila i lidh këto dy shtete”, u shpreh ai.

Rifabrikimi i kësaj lokomotive ka kushtuar rreth 2 milionë e 500 mijë euro, ndërsa rifabrikimi i saj është bërë nga kompania kroate “Gredel”.

Drejtori ekzekutiv i Hekurudhave të Kosovës Xhevat Rmosaj ka falënderuar Ministrinë e Transportit dhe Qeverinë e Kosovës, për ndihmën e tyre dhënë hekurudhave. /Telegrafi/