LAJMI I FUNDIT:

Mitrovicë, për tri projekte mbi 22 milionë euro

Mitrovicë, për tri projekte mbi 22 milionë euro

Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, i shoqëruar nga ministrat Bajram Rexhepi, Bedri Hamza dhe Memli Krasniqi, ka marrë pjesë të martën në prezantimin e projekteve që financohen nga Komisioni Evropian (KE) dhe që mbështeten edhe nga Qeveri e Kosovës në Mitrovicë. Investimi i KE-së me 14.5 milionë euro si dhe i Qeverisë me 8 milionë për tri projekte, u vlerësua tejet i rëndësishëm për Mitrovicën, duke pasur parasysh problemet e mëdha ekonomike.

Shuma e ndarë nga KE-ja dhe Qeveria do të përdoret për riparimin e palestrës “Minatori”, ndërtimin e një qendre shumfunksionale si dhe i një qendre komerciale.

Kryeministri Hashim Thaçi, tha se Mitrovica i ka merituar këto projekte me punën dhe përkushtimin e treguar edhe nga udhëheqjes komunale. “Nuk ka qenë lehtë, por përkushtimi i madh i kryetarit Kastrati dhe ekipës së tij kanë krijuar mundësi që në Mitrovicë të investohen 23 milionë euro. Synim yni është zhvillimi ekonomik i gjithë vendit andaj edhe përkrahja jonë në këtë drejtim nuk do të mungoj për asnjë komunë të vendit”, deklaroi kryeministri.

Thaçi, theksoi se këto projekte në Mitrovicë do të ndihmojnë në zhvillimin ekonomik dhe do të hapin vende të reja pune.


Kurse, Kjartan Bjorson nga KE-ja, tha se janë katër pika kryesore ku do të investohet në Mitrovicë. Së pari përmendi renovimin detal të palestrës së sportit “Minatori”, e cila do të shndërrohet në një objekt shumë fleksibël, që do të ofroj mundësi të shumta për aktivitet sportive. Sipas tij, do të krijohen mundësi të shumta edhe për aktivitetet e shoqërisë civile.

Ndërsa kryetari i komunës së Mitrovicës, Avni Kastrati, ka shprehur kënaqësinë e madhe për këto projekte kapitale që do të realizohen brenda dy vitesh në Mitrovicë. “Të gjithë e dimë për vështirësitë e mëdha që e kanë përcjellë qytetin dhe qytetarin tonë pas luftës. Rrethanat politike kanë ndikuar shumë në gjendjen ekonomike. Në këtë kontekst nevoja për të investuar në Mitrovicë ka qenë dhe mbetet shumë e madhe”, u shpreh kryetari Kastrati.

Sipas tij, ky investim është një investim kapital që do të gjeneroj zhvillim ekonomik dhe të përgjithshëm në këtë komunë. /Telegrafi/