LAJMI I FUNDIT:

Mitrovica me rrethrrotullim të ri

Mitrovica me rrethrrotullim të ri

Me qëllim të lehtësimit të qarkullimit për automjete dhe këmbësorë, Komuna e Mitrovicës, përkatësisht Drejtoria për Infrastrukturë dhe Shërbime Publike, ka nisur realizimin e një projekti për ndërtimin e një rrethrrotullimi të ridisajnuar në qendër të qytetit.

Drejtori i Drejtorisë për Infrastrukturë dhe Shërbime Publike, Rasim Veseli tha se duke pasur parasysh ngarkesën e madhe në komunikacion në qendër të qytetit, është vlerësuar si shumë me rëndësi gjetja e një zgjidhjeje. “Rrethrrotullimi që ka qenë aty nuk i ka plotësuar nevojat e trafikut që zhvillohet në qendër të qytetit, andaj ka qenë e domosdoshme ndërhyrja për të realizuar një projekt të përshtatshëm për atë vend”, tha Veseli.

Ai theksoi se para se të përgatitet projekti, është analizuar në detaje ngarkesa në trafik.
Drejtori Veseli sqaroi se në bazë të projektit të ri rrethrrotullimi nuk do të jetë më i ngritur sesa sipërfaqja e rrugës, me qëllim që të evitohen aksidentet e mundshme siç kanë ndodhur më parë në rrethin që ka qenë.

Parashihet që shiritat rrugorë që hyjnë në rrethrrotullim dhe shiritat tjerë të ndahen me oaza gjelbërimi, meqë më parë krijohej tollovi në mungesë të një ndarjeje të tillë.


Projektin po e realizon firma “Eurondërtimi”, ndërsa vlera e investimit është 195 mijë euro, të siguruar nga buxheti komunal. /Telegrafi/