LAJMI I FUNDIT:

Mish i prishur për konsumatorë

Mish i prishur për konsumatorë

Shitja e produkteve me afat të skaduar nëpër supermarkete, kohëve të fundit është shndërruar në një fenomen shqetësues, që rrezikon direkt shëndetin e qytetarëve të Kosovës. Tregtarë të papërgjegjshëm, por të vetëdijshëm për pasojat, shesin, apo edhe ua ndërrojnë datat e skadimit produkteve ushqimore në vend.

Qytetari N.V nga Prishtina thotë se disa herë gjatë furnizimit më produkte ushqimore ka hasur në produkte me afat të skaduar. “Së fundi në market kam hasur në ushqim të fëmijëve më afat të skaduar. I tregova punëtores së marketit, por asaj nuk i bëri përshtypje”, tha i shqetësuar ai.

Sipas tij, prania e mallrave me afat të skaduar është duke u rritur në përmasa shqetësuese nëpër supermarkete të ndryshme në Prishtinë, por edhe qytete tjera të Kosovës. Por, shpesh herë produkte ushqimore me afat të skaduar shiten edhe para syve të inspektorëve komunalë, por edhe atyre të Agjencisë së Veterinës dhe Ushqimit të Kosovës (AVUK).

Valdet Gjonovci, kryeshef i Agjencisë së Veterinës dhe Ushqimit të Kosovës thotë se gjatë vitit 2010 janë asgjësuar gjithsej 233 mijë e 146 kilogram mish dhe produkte të mishit të të gjitha llojeve, kryesisht dominojnë llojet e mishit të gjedhit dhe mishit të pulës.


Ndërkaq, sipas tij, gjatë periudhës janar – prill të vitit 2011 janë asgjësuar 150 tonë mish, kryesisht mish gjedhi dhe mish pule i konfiskuar në depot me shumicë, supemarketet dhe pikat inspektuese kufitare.

Ai tha se sasia më e madhe e mishit me afat të skaduar kryesisht është konfiskuar ne depot ftohëse me shumicë, supemarketet e konsumit të gjerë dhe në pikat inspektuese kufitare veterinare.

Sipas tij, ndaj kompanive ku u gjendën produkte pa afat, inspektorët e AUV duke u bazuar ne Ligjin e ushqimit dhe Ligjin e veterinës nëpërmes zyrës ligjore inicuan procedurat në gjykatat përkatëse.

Izer Arifi nga zyra për mbrojtjen e konsumatorit në Ministrinë e Tregtisë dhe Industrisë thotë se ndërrimi i afatit te skadencës është shqetësim jo vetëm i konsumatorëve, por është shqetësim edhe i strukturave përgjegjëse për mbikëqyrjen e tregut, por shqetësim i mbare shoqërisë. “Ndërrimi i afatit të skadencës është vepër e rëndë, e cila dëmton konsumatorët, rrezikon shëndetin publik, çrregullon tregun, cenon konkurrencën në treg etj. Si vepër e tillë ajo sanksionohet sipas ligjeve ne fuqi, si : Ligji për mbrojtjen e konsumatorit, Ligji i ushqimit dhe ligje tjera”, tha ai. /Zëri/ Telegrafi/