LAJMI I FUNDIT:

Miratohet buxheti, rrogat me rritje

Miratohet buxheti, rrogat me rritje

Kuvendi i Kosovës miratoi Projektbuxhetin për vitin 2011. Megjithëse me kundërshtime të ashpra të deputetëve të opozitës, Kuvendi miratoi Projektbuxhetin, neni 4 i të cilit ka të bëjë me hapjen e rrugës për privatizimin e Postë-Telekomit.

Ligji për buxhetin u miratua me 66 vota pro, 25 kundër dhe 12 abstenime. Me miratimin e buxhetit rreth 75 mijë punëtorë pagat e tyre do t’i marrin me rritje nga 30 deri në 50 për qind. Po ashtu është hapur rruga për privatizimin e Postë Telekomit të Kosovës (PTK), i cili kishte hasur në kundërshtime të forta nga Sindikata e Punëtorëve të PTK-së dhe opozita.

Buxheti për vitin 2011 parasheh 1 miliard e 264 milionë euro të hyra buxhetore, ndërsa 1 miliard e 434 milionë euro shpenzime.

Qeveria e Kosovës më 6 janar të këtij viti kishte marr vendim për rritjen e pagave të administratës publike dhe disa kategorive tjera shoqërore. Sipas këtij vendimi, mësimdhënësit parauniversitarë do të merrnin pagë 50 për qind më të lartë. Familjet e dëshmorëve dhe invalidët e luftës do të kenë ngritje prej 50 për qind, policia e Kosovës 40 për qind, shërbyesit civilë 30 për qind, pasuar nga zyrtarët doganorë, punëtorët shëndetësorë dhe zjarrfikësit.


Dilema pas miratimi të buxhetit mbetet nënshkrimi i këtij dokumenti pasi Kosova, nuk ka president pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese. /Telegrafi/