LAJMI I FUNDIT:

Miratohet buxheti për vitin 2010

Miratohet buxheti për vitin 2010

Deputetët e Kuvendit të Kosovës në mbledhjen e fundit për sivjet, me 66 vota për, 4 kundër dhe pa asnjë abstenim e kanë miratuar të martën gjatë seancës së fundit për këtë vit, buxhetin për vitin 2010, në vlerë prej 1 miliard e 461 milionë euro.

Me hapjen e diskutimeve për buxhetin e vitit të ardhshëm, ishin deputetet e pozitës që kanë dhënë arsyetimet e tyre për të mbështetur dhe votuar buxhetin, ndërsa ato opozitare shprehën kundërshtimet e tyre.

Në fillim të seancës, shefi i Grupit parlamentar të AKR-së, Ibrahim Makolli, ka kërkuar të hiqet krejt nga rendi i ditës pika e buxhetit, për faktin se nuk janë respektuar procedurat.

“Janë procedurat parlamentare që duhet të respektohen. Sipas tyre një ditë më parë ka qenë dashtë të bëhet dorëzimi i materialeve për projekt-buxhetin për vitin 2010 dhe kjo nuk është respektuar”, ka thënë Makolli.


Mirëpo, ligjvënësit e Republikës së Kosovës me 66 vota për, 4 kundër dhe pa asnjë abstenim e kanë miratuar të martën gjatë seancës së fundit për këtë vit, buxhetin për vitin 2010, në vlerë prej 1 miliard e 461 milionë euro.

Para se të miratohet në tërësi buxheti, janë miratuar një pas një edhe 39 amendamente dhe rekomandimet e Komisionit për buxhet dhe financa për buxhetet e organizatave buxhetore, si Gjykatën Kushtetuese, Avokatin e Popullit, ART-në, Këshillin e Kosovës për Trashëgimi Kulturore, etj.

Ndërkaq, grupet parlamentare nga tri partitë opozitare, ai i AAK-së, AKR-së dhe LDD-së kanë dalë nga salla e Kuvendit në kohën kur kanë filluar procedurat për votimin e buxhetit për vitin 2010.

Me këtë seancë, Kuvendi i Kosovës e përmbyll punën e tij për vitin 2009, gjatë të cilit janë miratuar mbi 40 ligje, ndërkaq vitin 2010 Kuvendi do ta nisë me një seancë solemne me rastin e vizitës së presidentit në largim të Kroacisë, Stipe Mesiq, i cili do të mbajë një fjalim para ligjvënësve të Kosovës. /rtv21/