LAJMI I FUNDIT:

Milionat e plaçkitur nga kusuri

Milionat e plaçkitur nga kusuri

Mund të duket joreale, por bizneset në Kosovë prej 1 cent, kusur të pakthyer ndaj konsumatorit, fitojnë 30 milionë euro në muaj. Në vend të këtij kusuri, e tëra që mund të merrni është një çamçakëz. E, qytetarët thonë se kjo është një plaçkitje.

Ndërkaq, Selatin Kaçaniku, nga organizata joqeveritare "Konsumatori", tha se kjo çështje është një problem i madh për konsumatorin.

Sigurisht, secilit prej jush ju ka ndodhur që, kur bëni një blerje, të hasni në produkte që kanë çmime si 0.99 euro ose 4.99 euro. Dhe për atë produkt paguani 1 euro ose 5 euro, por nuk e merrni kusurin prej një centësh. E tëra që mund të merrni në vend të centëve është një çamçakëz. Gjatë një muaji, në Kosovë, llogariten se bëhen rreth tre miliardë blerje.

Nga kjo del se fitimi i bizneseve gjatë një muaji prej një centi është tre miliardë centë ose 30 milionë euro.


Selatin Kaçaniku, nga organizata Konsumatori, tha se kjo çështje është një problem i madh për konsumatorin, raporton Lajm.

“Kemi ardhur në përfundim se në Kosovë brenda muajit bëhen tre miliardë blerje të konsumatorit. Nëse atë e vlerësojmë me shmangie nga kusuri prej një centësh, atëherë janë tre miliardë centë apo 30 milionë euro në muaj fitime për bizneset me ata centë. Dhe të gjitha këto merren nga xhepi i konsumatorit”, thotë Kaçaniku. Mirëpo, kjo nuk është e vetmja mënyrë e fitimit të bizneseve.

Sipas Kaçanikut, nëpërmjet këtyre çmimeve gënjeshtër, bizneset i ikin tatimit që u ngarkohet me çmime fikse, por e vjedhin edhe konsumatorin. /Telegrafi/