LAJMI I FUNDIT:

Miliardat e Pacollit, gjykata vendosë nëse do të publikohen

Miliardat e Pacollit, gjykata vendosë nëse do të publikohen

Drejtori i AKK-së, Hasan Preteni, ka thënë të enjten se Agjencia është e detyruar ta bëjë një gjë të tillë për të kërkuar një interpretim të pavarur nga gjykata pasi që Ligji për deklarimin e pasurisë së zyrtarëve obligon Agjencinë ta publikojë pasurinë e cilitdo zyrtar, ndërsa Pacolli i është referuar Ligjit për qasje në dokumente zyrtare për të mos iu publikuar pasuria.

“Unë i kam marrë dy shkresa nga zoti Pacolli edhe ai kërkon dhe thirret në Ligjin për qasje në dokumentet zyrtare që të mos i publikohet pasuria”, i ka thënë “Kohës Ditore” Preteni, dy ditë pas publikimit të pasurisë së 1.500 zyrtarëve. I vetmi që e ka deklaruar pasurinë e tij, por nuk ka dashur që t’i tregohet publikut e votuesve të tij është biznesmeni, Behgjet Pacolli.
Sipas drejtorit të AKK-së, agjencia ka të drejtë ta publikojë pasurinë e cilitdo zyrtar, por kur ai zyrtar e kundërshton këtë duke u bazuar në Ligjin mbi dokumentet zyrtare, Agjencia i drejtohet gjykatës kompetente.
“Ligji mbi qasjen në dokumentet zyrtare i jep të drejtën personit që dokumentacioni që ka të bëjë me personin e tretë ose publikohet në qoftë se vetëm ai e jep pëlqimin. Në këtë rast pëlqimin e zotit Pacolli nuk e kemi kështu që është çështje e gjyqësorit të vendosë për situatën e krijuar”, ka thënë Preteni.
Presidentit të AKR-së, Behgjet Pacolli, nuk i ka pëlqyer fortë interesimi i gazetës për kundërshtimin e publikimit të pasurisë. I pyetur se pse ka kërkuar që të mos i publikohet pasuria, Pacolli është përgjigjur me një kundërpyetje: “Pse mos me ba një gjë të tillë, edhe unë po pyes”.
Deputeti Behgjet Pacolli, i cili i është nënshtruar tashmë votës së qytetarëve në dy palë zgjedhje ka thënë se deklarimi i pasurisë së tij është në dispozicion të çdokujt që i nevojitet, mirëpo ka shtuar se nuk ka nevojë të bëhet publike.
“Ajo është në dispozicion të të gjitha strukturave gjyqësore, juridike, administrative. Kujt i nevojitet atë unë nuk e kam ndalur, unë e kam ndalur vetëm të publikohet për arsye se është një e drejtë imja. Unë jam një qytetar i një shteti ku pasuria, gjegjësisht disa gjëra ruhen në diskrecion”, ka argumentuar Pacolli. Lideri i AKR-së ka thënë se e ka kryer obligimin ligjor duke iu nënshtruar rregullave dhe ligjeve”.
“Këqyrni nenet e Rregullores së Agjencisë Antikorrupsion, i studioni pak më mirë edhe tani më bëni pyetje”, ka këshilluar ai pa saktësuar se cilës rregullore. “Unë i kam kryer obligimet e mia si qytetar ndaj çdokujt, ndaj institucioneve të mia, për çdo gjë tjetër ju drejtohuni Agjencisë Antikorrupsion”. Pacolli ka thënë se ka deklaruar krejt çka është për t’u deklaruar. (Koha)