LAJMI I FUNDIT:

In Memoriam: Mario Vargas Llosa (1936-2025) – e jetoi jetën siç deshi dhe, mbi gjithçka, e dashuroi letërsinë

In Memoriam: Mario Vargas Llosa (1936-2025) – e jetoi jetën siç deshi dhe, mbi gjithçka, e dashuroi letërsinë
Mario Vargas Llosa (1936-2025)

Nga: Nick Caistor, gazetar dhe përkthyes / The Guardian
Përkthimi: Telegrafi.com

Shumë shkrimtarë nga Amerika Latine janë tunduar të marrin një rol publik, por pak prej tyre e kanë ndjekur këtë ambicie aq shumë sa autori peruan Mario Vargas Llosa, i cili në vitin 1990 ishte shumë pranë zgjedhjes si president i vendit të vet. Vargas Llosa, i cili ka ndërruar jetë në moshën 89-vjeçare [më 13 prill 2025], kishte mundësinë për një post të lartë politik falë romaneve të tij të cilat e vendosën në radhën e parë të shkrimtarëve botërorë për më shumë se 50 vjet.

Lexo nga Mario Vargas Llosa:
Koka e Millosheviqit
Vendi i shqiponjave
Fshehja e faktit
Zhdukja e erotizmit
Borgesi në shtëpinë e tij: Politika është një nga format e mërzisë
Si e mbyti argëtimi global letërsinë
Elementi i fshehur

Veprat e tij të hershme, si Shtëpia e gjelbër [La Casa Verde, 1966] apo Biseda në katedrale [Conversación en La Catedral, 1969], e konsoliduan si një nga autorët kryesorë të asaj që më vonë u quajt shkolla e “realizmit magjik”, ndonëse në rastin e tij kjo kishte më shumë të bënte me teknikën narrative sesa me një këndvështrim magjik mbi historinë e vendit të tij. Ai zhvilloi gjithashtu një damar komik, më së shumti i vërejtshim te Halla Hulia dhe skenaristi [La tía Julia y el escribidor, 1977], që e veçoi edhe më tej nga shkrimtarët e tjerë të të ashtuquajturit “bum” të letërsisë latine-amerikane.


Vargas Llosa ka thënë se dëshira për të shkruar i lindi nga rrethanat e pazakonta që shoqëruan fëmijërinë e tij. I lindur në qytetin jugor peruan të Arekipës, ai u dërgua nga gjyshi, së bashku me nënën e tij Dora Llosa dhe vëllezërit e motrat, për të jetuar në Bolivi, pasi babai i tij, Ernesto Vargas, e braktisi familjen. I riu Mario u rrit duke besuar se i ati kishte vdekur.

Kur ishte 10 vjeç, nëna e tij e prezantoi me një të panjohur dhe i tha se ky ishte babai i tij. Ernesto u bashkua sërish me familjen dhe ata jetuan së bashku në kryeqytetin e Perusë, në Lima. Duke e kujtuar këtë marrëdhënie të vështirë në autobiografinë e tij Peshku në ujë [El pez en el agua, 1993], Vargas Llosa foli për “inferioritetin shoqëror” që i ati ndiente ndaj nënës së tij, dhe këtë e quajti “sëmundja kombëtare … që përshkon çdo shtresë dhe çdo familje në vend dhe ua lë të gjithëve një shije të keqe urrejtjeje, duke helmuar jetën e peruanëve në formën e mllefeve dhe komplekseve shoqërore”.

Kompleksitetet e hidhura të jetës peruane iu bënë edhe më të dukshme Marios adoleshent kur, në moshën 14-vjeçare, u dërgua në një akademi ushtarake. Ai e urrente disiplinën e ashpër, por kjo eksperiencë i dha mundësinë të njihte njerëz nga shtresa dhe rajone të ndryshme. Përvoja u bë materiali themelor i romanit të tij të parë, Koha e heroit [La ciudad y los perros, 1963], dhe ndikoi në disa nga veprat e tij të mëvonshme.

Vargas Llosa e kishte të qartë tashmë se lavdia që e priste nuk ishte ajo ushtarake, por ajo letrare. Në moshën 16-vjeçare punoi si reporter për rubrikën e krimeve në një gazetë ditore, dhe në moshën 19-vjeçare u arratis dhe në vitin 1955 u martua me kunatën e dajës që ishte goxha më e vjetër se ai, Julia Urquidi. Edhe këtë përvojë ai e shndërroi në literaturë, në romanin Halla Hulia dhe skenaristi, që fliste për një autor telenovelash radiofonike i cili e ka gjithnjë më të vështirë të dallojë realitetin nga krijimet e tij letrare. Ky ishte i vetmi nga librat e Vargas Llosas që tërhoqi vëmendjen e Holivudit. William Boyd, autori i skenarit për filmin e vitit 1990 (i njohur në ShBA si Bëhu gati për nesër / Tune in Tomorrow), e përshkroi veprën origjinale si “thuajse suiftiane, me një cilësi fantazie që e sheh botën si të stërngarkuar dhe absurde”.

Pasi u diplomua në Universitetin Kombëtar të San Markos në Lima, në vitin 1958, Vargas Llosa jetoi në Evropë, kryesisht në Barcelonë, Londër ose Paris. Në atë kohë, kryeqyteti francez ishte i mbushur me shkrimtarë të rinj nga Amerika Latine – përfshirë emrat si Gabriel García Márquez, Julio Cortázar dhe Carlos Fuentes – dhe ishin shtëpitë botuese franceze ato që krijuan për herë të parë “bumin” e letërsisë latine-amerikane. Romancieri i ri peruan u prit ngrohtësisht si anëtar i këtij klubi letrar.

Romanet e Vargas Llosas në këtë periudhë janë më afër traditës realiste sesa “realizmit magjik”, pasi ofrojnë përshkrime të mprehta të niveleve të ndryshme të shoqërisë peruane. Magjia qëndronte në aftësinë e romancierit për të ndërthurur rrëfime dhe zëra të ndryshëm, pa lidhje të drejtpërdrejtë, duke krijuar një kompleksitet të pasur dhe duke shprehur një oreks të madh letrar.

Këto romane të hershme përmbanin një kritikë të gjerë ndaj gjendjes së shoqërisë peruane dhe, më gjerësisht, asaj latine-amerikane. Brezi i ri i shkrimtarëve e merrte dimensionin politik të veprës së tyre shumë më seriozisht dhe kuptohej gjerësisht se ata ndanin një pikëpamje të majtë. Mario shpejt filloi të shihej si person më ndryshe. Siç ndodhte shpesh, ishte revolucioni i Fidel Castros në Kubë ai që ndezi përplasjen. Kur doli revista Libre, një botim pan-latino-amerikan në Paris, nuk kaloi shumë kohë deri te momenti kur Vargas Llosa, García Márquez dhe të tjerë u përplasën mbi çështjen nëse duhej apo jo të mbështetej Castro.

Vargas Llosa mbajti vazhdimisht një qëndrim liberal dhe nuk e pranonte idenë se duhej bërë dallim mes vendeve në zhvillim dhe Evropës, ShBA-së apo demokracive të tjera përfaqësuese. Mbrojtja e tij e rreptë për këtë qëndrim ia solli shumë armiq në të majtën peruane dhe në Amerikën Latine në përgjithësi, ku shpesh është argumentuar se shkrimtarët duhet të jenë në anën e shumicës së varfër dhe të shtypur, duke u dhënë atyre zërin që u mohohet.

Gjatë dekadave në vazhdim, Vargas Llosa vazhdoi të publikonte romane që i sollën sukses dhe vëmendje në mbarë botën. Disa prej tyre, si Tregimtari [El Hablador, 1987] apo Vdekja në Ande [Lituma en los Andes, 1993], sugjerojnë se ai po përpiqej të ndërtonte një version peruan të koleksionit shumëvëllimësh të Balzacut, Komedia njerëzore [Comédie Humaine], duke përfshirë në veprat e tij gjithë shoqërinë peruane. Por, siç e bëri të qartë në veprën kritike Orgjia e përjetshme [La orgía perpetua. Flaubert y Madame Bovary, 1975], preferenca e tij personale ishte për mjeshtrin tjetër francez, Gustave Flaubert – për frymën e tij moderne, ndjenjën e ironisë dhe shqetësimin e thellë për gjuhën dhe stilin.

Reputacioni ndërkombëtar i Vargas Llosas bëri që qeveria peruane ta përfshinte drejtpërdrejt në çështjet politike të vendit. Në vitin 1983, atij i kërkojnë të ndihmojë në hetimin e vrasjes së tetë gazetarëve në fshatin e largët të Andeve, Uçurakai. Ngjarja ndodhi në kulmin e përplasjes mes guerilëve të Rrugës së Ndritshme dhe forcave të armatosura peruane, dhe Vargas Llosa i zemëroi sërish të majtët në Peru dhe gjetkë, kur u pajtua me versionin zyrtar që thoshte se fshatarët kishin ngatërruar gazetarët me guerilët dhe i kishin vrarë ata – në vend që të ngulmonte se fajin e kishin forcat e sigurisë.

Kthimi i tij drejt liberalizmit të djathtë kishte lidhje edhe me leximet e tij të pangopura. Ishin historianët francezë si Fernand Braudel ata që e bindën se zhvillimi i tregjeve dhe mundësia për të tregtuar që në Mesjetë ishin thelbësore për natyrën njerëzore. Ai gjeti më tej një konfirmim të filozofisë së tij politike në karrierat e Ronald Reaganit dhe Margaret Thatcherit, të cilët shumë i admironte.

Edhe një herë, Vargas Llosa i përktheu këto bindje në veprim në vendin e tij, në Peru. Kur, në vitin 1986, qeveria populiste e majtë e udhëhequr nga Alan García shpalli synimin për të mos shlyer borxhin e vendit dhe për të shtetëzuar bankat, Vargas Llosa nisi një fushatë proteste në emër të lirisë individuale. Ishte një fushatë që ushqeu ambiciet e tij presidenciale. Në vitin 1989, ai u paraqit si kandidat i një spektri partish të djathta dhe qendrore, duke zhvilluar një fushatë mbi bazat konservatore të tregut të lirë. Ai solli menaxherë fushate nga Britania dhe u përpoq të përdorte aftësitë e tij si shkrimtar dhe orator për të fituar mbështetjen e elektoratit peruan.

Fatkeqësisht, ishte e qartë gjatë mitingjeve të tij se, ndonëse mund ta kuptonte në mënyrë imagjinative realitetin e shtresave shumë të ndryshme të shoqërisë peruane, ai nuk dinte si t’u fliste drejtpërdrejt atyre. Megjithatë, ai fitoi shumicën e votave në raundin e parë të zgjedhjeve presidenciale dhe ishte i bindur se do ta fitonte edhe raundin e dytë kundër një agronomi të panjohur peruano-japonez, Alberto Fujimori.

Por, në javët mes dy raundeve të votimit, Fujimori fitoi gjithnjë e më shumë mbështetje nga peruanët e varfër, të cilët në figurën e Vargas Llosas – të bardhë, kozmopolit – panë të njëjtin lloj sundimtari që u kishte bërë premtime boshe për qindra vjet. Në fund, nuk ishte ndonjë befasi që Fujimori ishte ai që fitoi. Vargas Llosa u tërhoq nga politika, fillimisht i paaftë për ta besuar se ishte refuzuar në atë mënyrë.

Hidhërimi i tij doli në pah në romanin Vdekja në Ande (1993), në të cilin ai e portretizoi shoqërinë e Andeve të Perusë si aq të prapambetur saqë është e aftë edhe për kanibalizëm. Në të njëjtën periudhë, ai u tërhoq drejt një bote më intime letrare, duke eksploruar mundësitë e erotizmit në romanet Lavdi njerkës [Elogio de la madrastra, 1988] dhe Shënimet e Don Rigobertos [Los cuadernos de don Rigoberto, 1997].

Edhe pse nuk ishte më i përfshirë drejtpërdrejt në politikë, Vargas Llosa përdori aftësitë e tij si gazetar për të sulmuar ashpër regjimin e Fujimorit, veçanërisht pas “auto-puçit” që presidenti organizoi në vitin 1992. Vargas Llosa u ankua se, si hakmarrje, autoritetet ia shkatërruan shtëpinë në Lima. Kjo e shtyu atë të hiqte dorë nga shtetësia peruane dhe në vitin 1993 mori nënshtetësinë spanjolle.

Festa e Cjapit [La Fiesta del Chivo, 2000] është kontributi i tij më i spikatur në traditën e gjatë të romaneve latine-amerikane që analizojnë abuzimet me pushtetin nga diktatorët e rajonit. Libri trajton diktatorin e Republikës Domenikane, Rafael Trujillo, dhe korrupsionin moral, seksual dhe politik që sjell sundimi autoritar. “Desha një trajtim realist të një qenieje njerëzore që u shndërrua në përbindësh për shkak të pushtetit të grumbulluar dhe mungesës së kundërshtimit dhe kritikës … I konvertuar në zot, bëhesh djall”, komentoi Vargas Llosa për atë që shumë e konsiderojnë si veprën e tij më të mirë.

Ai vazhdoi të eksploronte tema jashtë Amerikës Latine, por gjithsesi të lidhura me Perunë. Rruga për në Parajsë [El paraíso en la otra esquina, 2003] nuk trajtonte vetëm Paul Gauguinin në Tahiti, por edhe gjyshen e tij, Flora Tristan, një feministe e hershme revolucionare në Peru. Romani i tij i vitit 2010, Ëndrra e keltit [El sueño del celta], është një rrëfim i trilluar mbi jetën dhe vdekjen e Roger Casementit, pikëpamjet e të cilit mbi skllavërinë dhe kolonializmin u radikalizuan nga përvojat e tij gjatë qëndrimit në Amazonën peruane.

Në po atë vit, Vargas Llosa u nderua me Çmimin Nobel për Letërsinë. Fjalimi i tij i pranimit të çmimit ishte një mbrojtje e zjarrtë e letërsisë dhe leximit, duke theksuar se “pa letërsinë do të ishim më pak të vetëdijshëm për rëndësinë e lirisë që e bën jetën të jetueshme dhe për ferrin në të cilin kthehet kur kufizohet nga një tiran, ideologji apo fe”.

Më parë (në vitin 1994), ai kishte fituar edhe Çmimin Servantes, nderimi më i lartë për shkrimtarët në botën hispanike. Në vitin 2011, miqësia e tij me mbretin spanjoll Juan Carlos çoi në dhënien e titullit Markez për Vargas Llosan.

Ai dhe Julia Urquidi u shkurorëzuan në vitin 1964, dhe një vit më pas ai u martua me kushërirën e tij, Patricia Llosa. Në vitin 2015, u nda prej saj dhe njoftoi publikisht lidhjen e tij me figurën e njohur të rretheve shoqërore, Isabel Preysler – një lajm që entuziazmoi revistat rozë.

Romani i tij Lagjja [Cinco esquinas, 2018] është një rrëfim mbi shtresën e pasur të Perusë, që përfshin edhe shantazhin nga revistat e tilla. Marrëdhënia e tyre përfundoi në vitin 2023, me Vargas Llosan që deklaroi se dëshironte t’i përkushtohej më shumë letërsisë.

Romani i tij Kohë të vështira [Tiempos Recios, 2019] ishte i fundit që u përkthye në anglisht [me titullin Harsh Times, 2022]. Ai shqyrton një ngjarje historike – grushti i shtetit i mbështetur nga CIA kundër qeverisë së Guatemalës në vitin 1954 – nëpërmjet një rrëfimi të trilluar.

Përveç romaneve, Vargas Llosa shkroi gjerësisht për teatrin dhe luajti në disa nga dramat e veta. Në një intervistë që më dha njëherë, kur e pyeta se çfarë do të dëshironte si epigraf në varrin e tij, ai u përgjigj: “E jetoi jetën plotësisht dhe mbi gjithçka dashuroi letërsinë”.

Nga martesa e tij e dytë ai lë pas një vajzë, Morganan, dhe dy djem, Álvaron dhe Gonzalon. /Telegrafi/