LAJMI I FUNDIT:

MEF raporton para Komisionit Evropian

MEF raporton para Komisionit Evropian

Ministri i Ekonomisë dhe Financave, Ahmet Shala, ka pritur delegacionin e Komisionit Evropian të kryesuar nga Carole Garnier, shefe e Njësisë për ekonomitë e vendeve kandidate dhe vendeve kandidate potenciale - DG ECFIN, ku u mbajt takimi i radhës i Mekanizimit të Mbikëqyrjes Fiskale, ndërmjet Ministrisë së Ekonomisë dhe Financave dhe Komisionit Evropian (DG- EFCIN).

Në këtë takim, ministri Shala me bashkëpunëtorët e tij raportuan para delegacionit të Komisionit Evropian mbi zhvillimet e fundit ekonomike si dhe projeksionet afatmesme.

Më specifikisht, raportimi u bazua në prezantimin e zhvillimeve të fundit makro-fiskale duke u fokusuar në ekzekutimin e buxhetit të vitit 2010 dhe planifikimin për vitin 2011, procesin e harmonizimit të Kornizës Afatmesme të Shpenzimeve me marrëveshjen e arritur me Fondin Monetar Ndërkombëtar, si dhe rrjedhën e procesit të privatizimit të ndërmarrjeve publike.

Për më tutje para Komisionit Evropian, përfaqësuesit nga Ministria e Ekonomisë dhe Financave raportuan mbi përmbushjen e veprimeve paraprake të përcaktuara në marrëveshjen e arritur me Fondin Monetar Ndërkombëtar. Njëkohësisht gjatë këtij takimi u konstatua që të gjitha kushtet e përcaktuara nga Komisioni Evropian për disbursimin e pjesës së parë të mbështetjes direkte buxhetore nga ky institucion tashmë janë përmbushur. Aprovimi formal i shpërndarjes së këtyre fondeve nga ana e Komisionit Evropian pritet të ndodhë pas aprovimit formal të Programit me FMN nga ana e Bordit të këtij institucioni, gjatë muajit korrik të këtij viti.


Në këtë takim morën pjesë edhe përfaqësuesi rezident i Fondit Monetar Ndërkombëtar në Kosovë, Edgardo Ruggiero dhe përfaqësuesi i ICO-së, Andrea Capussela. /Telegrafi/