LAJMI I FUNDIT:

Me kujtue

Mosmarrëveshjet janë të çastit: “Asgjë nuk di i vdekuri poshtë në varr çka di i gjalli!”, kanë thënë me zërin e pashpjegueshëm! Tashmë nga xhelozia e inateve dritësore, duhet porositur, siç na ligjëronte profesori i nderuar Hasan Mekuli, në kohën e ndriç(uesh)me: GJITHÇKA ËSHTË THËNË PARA EPOKËS SONË!” Eteri ishte i ngopur me kaosin e planetit. Mos vetëdija e shkapërderdhur kërkon flijime të reja për ta riprovuar vetveten?! Nuk kemi kohë për ta njohur etnikumin ballkanik. Vetëm nuk mund të fshihet si sekret shpirtëror. Pushtuesit e rrënuesit janë ndryshkur këtu. Kanë filluar të ulërijnë. Qeni nuk po e njeh të zotin e shtëpisë. Është bërë aleat me ujqit! “Të akuzuarit edhe llafazanë”- shkruante një ditore për një akt kriminal para afro dyzet vjetësh.

Kritika ad hoc: Na ishte një herë anatomia e kritikës! Për kode mësohet vetëm në planin e përgjithshëm. Copëzimi nëpër pjesë të imëta risolli mikrotekstin. Studiuesit e letërsisë ishin bërë “anatomë” të vërtetë të “shkencës” së letërsisë. Dhe njohës të rrjedhave për t’i shthurur kodet dhe për t’i rivënë në kontekstin e përshkallëzimit në “copën” e vogël, ta zëmë të një periudhe letrare, të një uni shkrimtari, të një përplasjeje të njohjes së rrjedhës (censurë dhe autocensurë), etj. e gjithë kjo e paparë më parë. Derisa “atëherë” numëroheshin në gishta dhe tashmë ishin “liderë” jo vetëm të pasqyrimit, gjithmonë në aspektin letrar (të njohur si njohës të albanologjisë), sot ata janë tejhuasuar në kuptimin e ndikimit! Megjithatë, ata e kanë historinë e tyre, që “të rinjtë” i kanë harruar, sepse këta të fundit e kanë grushtin migjenian që kanë thyer tradicionalizmin dhe makrotekstin “universal” e kanë vënë në zbulimet më të “imëta” mikrotekstuale. Na ishte edhe një Northrop Fraj me moduset, përfytyrimet dhe kritikën retorike! Ai tashmë “është vjetërsuar”! I shekullit “të mplakur”! Dilema mbetet “postmoderniste” se a ekziston autori, a do kemi liderë të “niveleve” përshkallëzuese që i kanë kodet për të strukturuar ekzistencën e letërsisë, për t’na dhënë anatominë e rrjedhave dhe për t’na vënë në pikën e njohjes kuptimore të “tehnes” letrare?! Më shumë shtëpi botuese, më shumë vepra të botuara, më shumë autorë, më shumë dhe pambarim promovime, emra të rinj e “të zvetënuar”, të ndryshkur e të harruar, emra të fjetur e të përfolur dhe më shumë emra drejtorësh! Të mos flasim për emra ministrash! Dhe nga të parët të paktë krijues, ndërsa nga të fundit asnjë letrar.


Dyshimet e autocensurës: Ende dyshoj në autocensurën e shkrimtarit e publicistit H. M.! Librin e lajmësit modern mund ta rilexoni, sepse Ai pati shkruar aty se”….” ata” për Shabanin (Jashari) edhe mund të jenë krejt të njohur, por për socialinguistikën e politikës zyrtare ende janë enigmatikë”. Një muaj më pas, “ata” i hoqën thonjëzat bashkë me maskat. Ata tashmë janë të njohur për socialinguistikën e politikës botërore. Edhe në zërin e rapsodit. Analogji: “Lajmësi memec bashkëbisedoi me skulpturën e Laookontit në Kullën e Vraninës. Dëshmitar sekret mbeti Oso Kuka “. Kjo ndodhi në kohën tonë!

Post scriptum: Dashuria nacionaliste është futur në jetën dhe në vizatimet e fiseve gjysmë të egra me ritualet e vrasjes e therjes pas gjakut e para shiut. Paradoksi i absurditetit të jetës, realiteti i imagjinatës së vdekjes, hierarkia e tragjikes së vetmuar dhe sekreti i vrasjes së (pa)paralajmëruar janë shtysë, vija të romaneve të pavdekshme e të përkryera botërore: “Krimi e dënimi”, “Ana Karenina”, “Zonja Bovari”, “E kuqja dhe e zeza”, “Martin Iden”, “I huaj”, “Një tragjedi amerikane”, “Procesi”, “Tuneli”, “Kronikë e një vrasjeje të paparalajmëruar”, etj. Edhe pse në realitetin shqiptar (s’)mungon edhe një rast i vetëm, në letërsinë shqipe jemi në pritje të një romani të tillë. Vegimet janë dhënë.
Ripërsërisim vargun e H. M. “Mbi gjyqin fiton vetëm fuqia e trillit”.