LAJMI I FUNDIT:

Më 2010 mbi 28 milionë euro suficit

Më 2010 mbi 28 milionë euro suficit

Qeveria e Kosovës ka përmbyllur vitin 2010 me mbi 28 milionë euro suficit, në kushtet kur buxheti “vuan” nga shpenzimet enorme. Raporti i fundit i BQK-së tregon se deri në nëntor të vitit 2010, të hyrat buxhetore ishin 1.09 miliard euro, kurse shpenzimet 1.06 miliard euro.

Pavarësisht shpenzimeve enorme dhe në kushtet e një deficiti buxhetor që shkon mbi 300 milionë euro, Qeverisë së Kosovës deri në nëntor të vitit 2010 i kanë tepruar hiq më pak se 28.7 milionë euro.

Raporti i fundit i Bankës Qendrore të Kosovës tregon se deri në nëntor 2010, të hyrat buxhetore ishin 1.09 miliard euro, kurse shpenzimet buxhetore 1.06 miliard euro.
Në kuadër të kësaj, shpenzimet kapitale ishin kategoria ku u shpenzua më së shumti me 33.5 për qind në gjithsej shpenzimet buxhetore, raporton Express.

“Shpenzimet kapitale deri në fund të vitit 2010 arritën vlerën prej 354.5 milionë euro”, thuhet në raportin e BQK-së. Kategoria e dytë më e shtrenjtë pa dyshim ishin pagat dhe mëditjet me 26.1 për qind, të cilat arritën deri në 276.1 milionë euro.


“Subvencionet dhe transferet, morën pjesë 21.4 për qind në gjithsej shpenzimet buxhetore, apo 226 milionë euro”, thuhet në raport. Si kategori më e vogël e shpenzimeve buxhetore ishin mallrat dhe shërbimet, të cilat deri në nëntor 2010 arritën vlerën prej 122 milionë euro.

Megjithatë, në kuadër të shpenzimeve buxhetore, prej vitit 2009 kanë filluar të zënë vend edhe financime të tjera, në të cilat bëjnë pjesë huat ndaj KEK-ut dhe servisimi i borxhit të jashtëm. “Deri në nëntor 2010, huat ndaj KEK-ut ishin 52 milionë euro, ndërsa pagesat për borxhin e jashtëm ishin 10.3 milionë euro”, konstatohet në raport.

Nga ana tjetër, sa u përket të hyrave, vazhdojnë të dominojnë të ardhurat e mbledhura në kufi, të cilat deri në nëntor 2010 përbënin 58.2 për qind të gjithsej të hyrave. Deri në këtë periudhë, të hyrat e mbledhura në kufi arritën vlerën prej 632.4 milionë euro. /Telegrafi/