LAJMI I FUNDIT:

Mblidhet mbi 13 milionë euro nga tatimi në pronë

Mblidhet mbi 13 milionë euro nga tatimi në pronë

Viti 2010 është viti më i suksesshëm në arkëtimin e të hyrave nga Tatimi në Pronë që nga momenti i aplikimit të këtij tatimi në Kosovë, ku Komunat kanë arritur të grumbullojnë më shumë se 13 milionë euro të hyra nga tatimit në pronë. Por disa komuna kanë dështuar në mbledhjen e këtij lloji të tatimi siç është komuna e Prishtinës.

Në nivel të Kosovës, gjatë periudhës kohore janar – dhjetor 2010, janë grumbulluar 13 milionë e 451 mijë e092 euro, një rritje prej 18 për qind krahasuar me vitin 2009 dhe janë arkëtuar 88% e shumës së faturuar për këtë vit e cila ishte në lartësi prej 15,329,900 euro. Rezultati i lartpërmendur tejkalon planifikimet e bëra për të hyra nga Tatimi në Pronë gjatë vitit 2010.

“Sukses të mirë në grumbullimin e të hyrave nga Tatimi në Pronë kanë shënuar komunat si në vijim: Novobërda një ngritje prej 212 %, Lipjani me 81%, Shtime me 77%, Vushtrria me 61%, Fushë Kosova me 58%, Malisheva me 55%”, thuhet në komunikatën e MEF-it dërguar mediave.

Në këtë rritje të përgjithshme përjashtim bën komuna e Prishtinës, Hani i Elezit dhe Shtërpca të cilat këtë vit tatimor e kanë përmbyllur me rënie, respektivisht komuna e Prishtinës ka arkëtuar të hyra nga Tatimi në Pronë 3 milionë e776 mijë e196 euro ose 238 mijë e710 euro më pak se sa vitin e kaluar, komuna e Hanit të Elezit ka arkëtuar 54 mijë e 229 euro 17 për qind më pak, ndërsa komuna e Shtërpcës ka arkëtuar 18 mijë e 028 euro ose 27 për qind më pak.


Departamenti i Tatimit në Pronë me prioritet është duke shqyrtuar dhe konsultuar të gjitha komunat e Kosovës lidhur me shpërndarjen e faturave për vitin tatimor 2011, këtë vit tatimor komunat janë ato të cilat do të bëjnë shpërndarjen e faturave dhe ato do të vendosin se në cilën formë të shpërndarjes do të shkojnë përmes PTK-ës apo përmes stafit të tyre komunal. /Telegrafi/