LAJMI I FUNDIT:

Mblidhen për krizën financiare

Mblidhen për krizën financiare

Udhëheqësit evropianë do të zhvillojnë të premten një takim tjetër për të diskutuar krizën në vendet e Eurozonës të cilat janë duke u përballur me vështirësi. Sipas mediave ndërkombëtare eurozona po përjeton një tjetër javë të zymtë dhe problemi i borxhit në Amerikë e ka shtuar pasigurinë.

Më shumë lajme të zymta vijnë për 17 vendet e Eurozonës. Këtë javë, agjencia e vlerësimit të mundësisë për huamarrje Moody`s uli statusin e Irlandës shumë poshtë pas veprimeve të ngjashme që u morën kundër Portugalisë javën e kaluar. Agjencia Moody`s parashikon se ashtu si anëtari tjetër i eurozonës, Greqia, këto dy vende do të duhet të marrin një paketë të dytë ndihmash financiare.

Duke folur nga Spanja të martën, presidenti i Bashkimit Evropian Herman Van Rompuy u përpoq ta qetësonte gjendjen e tensionuar të tregjeve.

“Unë jam plotësisht i vetëdijshëm për tensionet aktuale në tregjet e borxhit. Por më lejoni të jem shumë i qartë se ka një angazhim shumë të madh në nivelin më të lartë për të bërë çdo gjë që është e nevojshme për ta ruajtur stabilitetin financiar të eurozonës. Udhëheqësit duhet të heqin dorë nga axhendat e tyre të brendshme politike për t`u përballur me këtë situatë- dhe ata do ta bëjnë këtë” theksoi Rompuy. /Telegrafi/