LAJMI I FUNDIT:

Mami! Po më dhemb koka!

Mami! Po më dhemb koka!

Dhimbja e kokës është një nga patologjitë më të shpeshta te fëmijët, por shpeshherë mund të jetë treguese e problemeve emotive.

Edhe më të vegjlit vuajnë nga dhimbja e kokës. Mos e nënvlerësoni problemin kur prezantohet dhe kuptoni cili është shkaku i dhimbjes për të gjetur kurën e duhur.

Cefalea dhe migrena


Shpesh, për të treguar një dhimbje të zakonshme të kokës, përdoren termat cefalea dhe migrenë, por në realitet termat shprehin dy situata të ndryshme. Me cefalea kuptohet çdo lloj dhimbjeje që i referohet kafkës dhe shkaktohet nga disa patologji, si: traumat, temperatura që vjen si pasojë e sëmundjeve infektive (gripi), sforcimeve pamore që vijnë si pasojë e shqetësimeve të shikimit, pezmatimit të indeve trunore apo meningjitit, të nxehtit etj.

Me t’u gjetur faktori shkaktues dhe me t’u përdorur masat e duhura për rastin, cefalea sprapset plotësisht. Me migrenë kuptohet një sindromë e karakterizuar nga një dhimbje e lokalizuar në gjysmën e kokës. Është një sindromë, shkaku i së cilës mbetet i panjohur. Dihet që godet njësoj të rriturit dhe fëmijët dhe që ekziston një prirje familjare. Prindërit që vuajnë nga migrena kanë probabilitet të lartë të kenë fëmijë që vuajnë nga migrena.

Një shqetësim i vazhdueshëm në moshën pediatrike

Dhimbja e kokës është një nga patologjitë më të shpeshta te fëmijët. Sipas disa studimeve, rreth 30% e fëmijëve në moshë shkollore vuajnë nga disa lloje dhimbjeje koke. Cefalea është më e shpeshtë te më të vegjlit, megjithëse nën moshën 7 vjeç është pak e vështirë për t’u klasifikuar.

Fëmijët, siç dihet, nuk dinë ta shprehin me saktësi llojin e dhimbjes që ndiejnë, prandaj është e vështirë për prindërit të kuptojnë se shqetësimi vjen nga dhimbja e kokës. Deri në moshën e pubertetit, shqetësimi godet meshkuj dhe femra në të njëjtën mënyrë. Nga 12-13 vjeç e tutje godet më shpesh vajzat, si shkak i ndryshimeve hormonale që nisin me zhvillimin, transmeton Telegrafi.

Dhimbjet kronike dhe akute të kokës

Fëmijët mund të vuajnë nga dhimbje kronike të kokës (cefalea primare, format më të përhapura të së cilës janë cefalea tensive dhe migrena) ose akute (cefalea sekondare).

Cefalea sekondare shfaqet rrallëherë dhe mund të jetë simptomë e ndonjë shqetësimi, si:

– Infeksionet: është rasti i gripit, sinusitit (pezmatimi i kanaleve parahundore) ose të meningjitit;
– Traumat: të shkaktuara nga ndonjë rrëzim ose goditje të vogla në kokë;
– Probleme me dhëmbët dhe nofullat;
– Probleme me të parit: miopi ose hipermetropi.

Cefalea tensive

Cefaleat tensive përfaqëson formën më të përhapur të dhimbjes së kokës te fëmijët. Shkaktohet nga ngurtësimi i muskujve të qafës, shpatullave dhe fytyrës. Dhimbja mbërthen të dyja anët e kokës. Zakonisht nuk është shumë e fortë, por është bezdisëse dhe e vazhdueshme. Një krizë cefalea tensive mund të zgjatë nga gjysmë ore deri në një ditë. Drita dhe zhurmat mund ta theksojnë krizën e dhimbjes. Ende nuk janë zbuluar shkaqet e cefolea tensivës te fëmijët.

Ashtu si te të rriturit, cefolea tensive lidhet shpesh me stresin dhe tensionin e nervave, duke shkaktuar kontraktim te muskujt edhe te fëmijët krizat shfaqen kur i nënshtrohen ngjarjeve stresuese: Frekuenca shkollore (veçanërisht kthimi pas pushimeve), lindja e një vëllai ose motre etj.

Migrena

Migrena godet rreth 5-10 % të fëmijëve që vuajnë nga dhimbja e kokës. Simptoma e parë e migrenës është një dhimbje e fortë në kokë, e lokalizuar në njërën prej dy anëve të trurit (fëmijët më të vegjël kanë dhimbje në të dyja anët e kokës), e shoqëruar me një rrahje të fortë të tëmthave dhe një hiperndjeshmëri ndaj dritës dhe zhurmave. Imazhet në lëvizje mund ta shtojnë shqetësimin.

Në disa raste migrena mund të paraprihet nga një seri shqetësimesh pamore (shkëndija, njolla, fleshe) ose fizike (të ndjesh një dorë ose një krah që shpon).

Krizat e migrenës te fëmijët janë më të shkurtra se tek të rriturit dhe mund të zgjasin nga dy orë deri në dy ditë. Shpesh shoqërohen me marrje mendsh, të vjella dhe diarre. Shkaqet e migrenës te fëmijët ende nuk janë shumë të qarta. Është e sigurt që krizat mund të shkaktohen nga faktorë të ndryshëm dhe në rastin e fëmijëve, ata më të zakonshmit janë:

– Stresi: i shkaktuar nga probleme shkollore ose familjare;
– Uria: agjërimi ose një ushqyerje e pamjaftueshme mund të shkaktojë dhimbje koke;
– Dieta: disa ushqime (si p.sh. çokollata dhe disa lloje djathërash) mund të provokojnë migrenën;
– Aktivitet fizik tepër intensiv: sforcimi fizik mund të shkaktojë dhimbjen;
– Mungesa e gjumit: pamjaftueshmëria e gjumit, ritmet jo të përshtatshme për një fëmijë mund të jetë një faktor i rrezikshëm;
– Faktorë mjedisorë: aroma, zhurma, drita shumë të forta, ndotje, ndryshime klimaterike dhe meteorologjike.

Kur fëmija ka dhimbje koke
Lexo po ashtu Kur fëmija ka dhimbje koke

Nëse është shenjë e një shqetësimi emotiv

Dhimbja e kokës te fëmijët mund të jetë sinjali i një shqetësimi të brendshëm, ashtu si e qara është një mënyrë për t’u komunikuar të rriturve nevojat vetjake, tensionin dhe stresin e grumbulluar. Motivet që çojnë në dhimbjen e kokës mund të jenë të shumta: probleme shkollore, tensione familjare, ndryshime të rrepta (si lindja e ndonjë vëllai, motre ose ndryshim i qytetit).

Dhimbja e kokës ndikon shumë në cilësinë e jetës te fëmijët që vuajnë prej saj. Kufizon mundësitë e tyre për të luajtur dhe për t’u argëtuar. Ndikon në rendimentin shkollor, por mund të kufizojë edhe jetën sociale. Për këtë arsye nuk duhet nënvlerësuar dhe është e nevojshme t’i drejtoheni me qetësi pediatrit sapo janë shfaqur simptomat e para. Nëse kriza e dhimbjeve fsheh një shkak psikologjik, është e nevojshme të kuptohet se çfarë e bën kaq shumë të vuajë një fëmijë për ta çuar te dhimbja e kokës. Nuk duhet harruar se ajo që për një të rritur mund të jetë një problem me pak rëndësi, për një fëmijë mund të përfaqësojë një pengesë të pakapërcyeshme. Duhet kushtuar vëmendje ndaj simptomave ankuese të fëmijës. Nuk duhet t’i vësh faj apo ta shqetësosh për mënyrën se si ndihet. Është e nevojshme të kërkosh të kuptosh origjinën e problemeve dhe të përpiqesh t’i zgjidhësh në kufijtë e së mundshmes. Ndonjëherë është e mjaftueshme t’i kushtosh pak vëmendje, ta ndihmosh me detyrat dhe të mos e mbingarkosh me punë jashtëshkollore.

Kurat

Kura e dhimbjes së kokës te fëmijët ndryshon nga frekuenca e krizave. Nëse dhimbja e kokës e zë rrallë, është e mjaftueshme ta vësh për të fjetur në një dhomë të errët, larg zhurmave dhe rrëmujave. Nëse kjo nuk është e mjaftueshme për të larguar shqetësimin, mund t’u drejtohesh analgjetikëve, domethënë medikamenteve të duhura për të larguar dhimbjen.

Nëse krizat janë të vazhdueshme, është mirë të konsultoheni me pediatrin ose t’u drejtoheni qendrave të specializuara për cefaleat. Është shumë e rëndësishme të mbani një ditar të vogël me krizat e dhimbjes: dita, kohëzgjatja, kushtet mjedisore, afër apo larg vakteve të ngrënies, të vjella apo marrje mendsh, lloji i dhimbjes, faktorë të mundshëm që mund të kenë qenë nismë, si: ushqimet, stresi, çfarë e lehtëson dhimbjen (për shembull çlodhja), prania e rasteve të cefalea-s në familje, sëmundje të tjera nga të cilat vuan fëmija, medikamentet që merr.

Specialisti ka në këtë mënyrë të gjithë elementët e nevojshëm për të diagnostikuar formën e dhimbjes së kokës nga e cila vuan fëmija dhe mund të vendosë një kurë të përshtatshme për të. Në çdo rast është e rëndësishme ta sigurosh fëmijën se nuk ka asgjë të rëndë dhe se dhimbja do të kalojë menjëherë. /Telegrafi/