LAJMI I FUNDIT:

Macroni dhe befasia e hidhur për Ballkanin

Macroni dhe befasia e hidhur për Ballkanin

Ivan Krastev

Fjalimi i Emmanuel Macronit në Parlamentin Evropian ishte krisma e parë për hapjen e fushatës zgjedhore evropiane në vitin 2019. Pasi dëgjuam fjalimin e bukur, nuk e dimë akoma nëse presidenti francez do të tentojë në Evropë atë që kërkonte në Francë para një viti – shkatërrimin e partive politike ekzistuese dhe krijimin e një platforme të re proevropiane, thelbi i së cilës është refuzimi i status-kuosë. A do të rrezikojë ai t’i sfidojë aq shumë partitë e qendrës, që shumica qeverisin në Evropë, saqë të ndahet edhe nga kancelarja Angela Merkel? Si do të veprojë ai me rritjen e tensioneve mes Lindjes dhe Perëndimit? Si do ta sjellë ai energjinë e re demokratike në projektin evropian, veçanërisht, në ato shoqëri, që fjalimet e tij i lexojnë në versione të përkthyera?


Prej shekujsh ka një lidhje të thellë në Francë mes politikës dhe poezisë – dhe Emmanuel Macron i mbetet kësaj lidhjeje besnik. Ai e vuri në provë edhe talentin e tij për dramaturgjinë, kur foli për “luftën e re qytetare” në Evropë, rreziqet e nacionalizmit dhe kur deklaroi se nuk do të jetë pjesë e një “gjenerate somnambulësh”. Ai i ngacmoi kundërshtarët politikë në anën e djathtë të spektrit politik në Evropë, kur u pozicionua si mbrojtës i vlerave evropiane, jo vetëm ndaj sundimtarëve autoritarë në Rusi, Kinë, Turqi, por edhe kundër “iliberalëve” në shtëpinë e vet, Evropë, kujtojmë Hungarinë, Poloninë.

Macrono fitoi pikë me pragmatizmin politik, kur u distancua nga narrativi klasik federalist, të cilin e mbështesin shumica e francezëve dhe nuk argumentoi më për Shtetet e Bashkuara të Evropës, por për një tatim digjital të përbashkët, që do ta forconte Brukselin.

Presidenti francez ka vendosur të jetë në rolin e vizionarit të kujdesshëm. Ai vetëm i ravijëzon opsionet politike të tij, në vend që t’i trumbetojë me të madhe. Nga ana retorike, fjalimi ishte shumë i fuqishëm, por të bien në sy temat që nuk preku Macroni. Presidenti francez qëndroi dyshueshëm i heshtur në temën e reformave në Eurozonë, që ishte lajtmotivi i fjalimit në Sorbonë vitin e kaluar. Heshtja është një sinjal i qartë për vështirësitë në bisedimet francezo-gjermane për unionin monetar evropian. Ai gati nuk e preku qëndrimin e Evropës në tregtinë e lirë dhe nuk mbajti një qëndrim të qartë politik në temën e migracionit në Evropë.

Gjenerali Charles de Gaulle një herë ka thënë: “Një lider i vërtetë e mban gjithmonë të fshehur asin nën mëngë, e i jep me të publikut një gjendje entuziazmi dhe emocioni.” Asi që kishte Macroni ishte mesazhi i tij për të ardhmen e zgjerimit. “Nuk dua që Ballkani të drejtohet nga Turqia apo Rusia”, tha presidenti francez në Strasburg. Por, ai as nuk do një Evropë me 28 anëtarë, së shpejti 27, që funksionon me vështirësi e që pastaj do të vendoste të “marrë galop me 30 apo 32 anëtarë por me të njëjtat rregulla”.

Ka një të vërtetë këtu. Shumica e evropianëve do t’i jepnin të drejtë se nuk ka kuptim të flitet për zgjerimin, kur nuk është vendosur se çfarë do që të jetë ky union që do të zgjerohet. Aktualisht nuk ka asnjë miratim për një formë te re zgjerimi, pavarësisht nëse bëhet fjalë për Ballkanin, Turqinë apo Ukrainën. Nëse i pyet zgjedhësit evropianë se sa e madhe duhet të jetë BE në të ardhmen, shumë do të zgjidhnin zvogëlimin e jo zgjerimin.

Por, efekti konkret i mesazhit të Macronit është katastrofik. Konstatimi i Jean-Claude Junckerit se alternativa tjetër e integrimit në BE është një luftë në rajon është një shembull se si banaliteti mund të përdoret për shpëtim. Por, në të vërtetë, mesazhi Macron mban brenda fuqi shpërthyese, përkeqësim të gjendjes në rajon. Bullgaria, si presidente e radhës në BE, ka të drejtë të akuzojë Macronin se për shkak të tij samiti i përgatitur me aq kujdes në maj të tingëllojë më shumë si një shaka. Komisioni Evropian po ashtu ka të drejtë ta interpretojë mesazhin e Macron si thikë pas shpine. Edhe reformuesit proevropianë në rajon kanë të drejtë të akuzojnë Macron se po minon pozicionin e tyre.

“Ambiguitet konstruktiv” – ka qenë strategjia e preferuar e BE-s[ në mënyrën e sjelljes me Ballkanin. Kur bëhet fjalë për anëtarësimin e vendeve të Ballkanit Perëndimor, politikanët e BE-së thonë më dëshirë, pyetja e vetme që shtrohet është “kur”. Por, në realitet askush nuk e beson, as në Bruksel e as në Beograd, se në vitin 2025 njëri nga këto vende do të jetë anëtar i BE-së. Por, nëse deri tani loja e BE-së me Ballkanin quhej “mbajtja e derës hapur”, Macron ka vendosur të mbajë dyert mbyllur, të paktën për momentin. Për këtë nuk mund ta akuzosh. Por, ajo që mund t’i thuash është se me “ngrirjen” e zgjerimit të BE-së pa një strategji alternativë, ai kontribuon në thellimin e krizës në Ballkan dhe dobëson pozicionin e BE-së në rajon. Ajo që u bë e qartë: Kur Macroni flet për “evropianët”, elektorati të cilit ai i drejtohet është vërtet vetëm ai evropianoperëndimor. /DW/