LAJMI I FUNDIT:

LG e synon vendin e tretë në botën e telefonave të mençur

LG e synon vendin e tretë në botën e telefonave të mençur

Përveç lansimit të modelit të saj më të ri të telefonit, G Pro 2, prodhuesi i njohur jug-korean LG ka prezantuar edhe strategjinë e saj për tregun global, dhe ambiciet e kompanisë janë mjaft të guximshme edhe përkundër faktit se rivali i saj kryesor, Lenovo së fundmi e ka blerë kompaninë amerikane Motorola, dhe kjo e fundit do t’ia mundësojë edhe një pjesë të re të tregut të cilën nuk e ka pasur më parë.

Drejtori i produkteve të LG-së, Kim Jong Hoon, ka deklaruar se “përkundër zhurmës së madhe që po bëhet lidhur me marrëveshjen Motorola-Lenovo, ne nuk jemi shumë të mërzitur për këtë”.

Për më shumë, plani i LG-së është që ta marrë vendin e tretë në tregun global të telefonave të mençur, ose një pozitë më lartë sesa ajo që e ka aktualisht, pasi që si prodhues LG ka rreth 5% të tregut dhe dërgesave të telefonave mobil, në nivel global.

Nëse analizohen lëvizjet e fundit të LG-së, vërehet se kompania ka ambicie të mëdha dhe guxim të garojë me liderët e sajkryesor, sikurse Apple dhe Samsung, pasi që disa nga modelet e saj të telefonave, sikurse LG G2, G Pro 2 dhe Nexus 5, janë disa pajisjet më të avancuara mobile në sistemin operativ Android, dhe hyjnë në kategorinë e modeleve të avancuara të telefonave.


Mbase me këtë strategji, LG do të jetë lojtar serioz në treg, edhe pse do të jetë e vështirë të rivalizojë me gjigantin Lenovo, i cili kohëve të fundit ka regjistruar të arritura të jashtëzakonshme në biznesin e saj të pajisjeve elektronike. / Telegrafi /