LAJMI I FUNDIT:

Kush po e sulmon Policinë e Kosovës, flasin ekspertët

Kush po e sulmon Policinë e Kosovës, flasin ekspertët

Ka kaluar gati një javë nga dita kur ka ndodhur sulmi i parë ndaj zyrtarëve të Policisë së Kosovës në pjesën veriore të vendit, por, deri më tani, institucionet e Kosovës nuk kanë treguar nëse kanë identifikuar ndonjë person përgjegjës për atë sulm dhe për disa të tjera që e kanë pasuar.

Prokuroria e Kosovës, që nga java e kaluar, nuk i është përgjigjur Radios Evropa e Lirë për hetimet që po zhvillon në këtë rast. Ngjashëm, nuk janë përgjigjur as nga Ministria e Punëve të Brendshme e Kosovës, as nga Policia e Kosovës.

Më 15 prill, ministri i Brendshëm i Kosovës, Xhelal Sveçla, së bashku me drejtorin e përgjithshëm të Policisë së Kosovës, Samedin Mehmeti, kanë bërë të ditur në një konferencë për media se policia e shtetit ka qenë “cak i sulmeve të armatosura të grupeve kriminale në veri”.


Ata kanë thënë se sulmet kanë ndodhur në zonën ndërmjet Zubin Potokut dhe pikës kufitare me Serbinë, në Bërnjak.

I pari, sipas tyre, ka ndodhur më 13 prill, ndërsa për një javë janë regjistruar pesë sulme në total.

Sipas ministrit Sveçla, në sulmet ndaj policisë janë përdorur iriqë metalikë, gurë, granata dore, armë automatike dhe mjete piroteknike.

Po ashtu, ka pasur dyshime se disa nga të shtënat kanë ardhur nga territori i Serbisë.

“Gjuajtjet [me armë zjarri] kanë ndodhur diku rreth 200 deri në 300 metra distancë nga patrulla e [policisë]”, ka thënë Sveçla, duke e bërë Serbinë përgjegjëse të drejtpërdrejtë për sulmet.

“Unë mendoj se qëllimi i Serbisë në këtë moment nuk është ta sulmojë, por ta destabilizojë Kosovën”, ka thënë Sveçla më 15 prill.

Nga Serbia nuk ka pasur ndonjë reagim zyrtar pas sulmeve.

Komunat në veri të Kosovës, si Mitrovicë e Veriut, Zubin Potok, Zveçan dhe Leposaviq, janë të banuara me shumicë serbe.

Në atë zonë ka pasur disa herë trazira – të fundit kanë ndodhur shtatorin e kaluar, për shkak të disa mosmarrëveshjeve për targat e automjeteve.

Motivet e mundshme

Ish-kryeprokurori i Prokurorisë Themelore të Mitrovicës, Shyqyri Syla, thotë se beson se sulmet ndaj Policisë së Kosovës janë motivuar nga vendimi i Qeverisë së Kosovës për të mos lejuar mbajtjen e zgjedhjeve të Serbisë në territorin e Kosovës, më 3 prill.

“Kam bindjen se moslejimi i zhvillimit të zgjedhjeve të Serbisë në pjesën veriore të Mitrovicës ka nxitur ringjalljen e disa grupeve, të cilat më tepër kanë një efekt politik, sesa një efekt në rrezikimin e sigurisë së forcave policore apo të qytetarëve”, thotë Syla për REL.

everia e Kosovës nuk ka lejuar mbajtjen e zgjedhjeve serbe në territorin e saj, duke vlerësuar se një gjë e tillë është në kundërshtim me Kushtetutën e Kosovës, por ka thënë se ka ofruar opsione tjera për votimin e qytetarëve serbë.

Ish-kryeprokurori Syla thotë se strukturat paralele serbe, që janë formuar në Kosovë që nga paslufta dhe veprojnë me direktivat e Beogradit zyrtar, janë aktive në veri dhe se zakonisht shfaqen me vetëm një thirrje të një zyrtari të Qeverisë së Serbisë.

Njëjtë si Syla shprehet edhe ish-drejtori i përgjithshëm i Policisë së Kosovës, tani deputet i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Rashit Qalaj. Sipas tij, sulmet janë kryer nga individë me “bagazh kriminal”, që veprojnë brenda territorit të Kosovës.

Breshëri plumbash, granatë dore, iriqë metalikë e gjuajtje me gurë - reagimet e vendorëve dhe ndërkombëtarëve pas sulmeve ndaj Policisë së Kosovës
Lexo po ashtu Breshëri plumbash, granatë dore, iriqë metalikë e gjuajtje me gurë - reagimet e vendorëve dhe ndërkombëtarëve pas sulmeve ndaj Policisë së Kosovës

“Individët e atyre grupeve definitivisht janë nga Kosova, por që e shfrytëzojnë territorin e Serbisë, pra [sulmojnë policët e Kosovës] nga drejtimi i Serbisë”, thotë Qalaj për REL.
Qalaj, i cili ka drejtuar Policinë e Kosovës për rreth dy vjet, përkatësisht në periudhën 2018-2020, thotë se edhe në të kaluarën është dëshmuar se grupet kriminale që veprojnë në veri të Kosovës, përdoren nga shteti i Serbisë për të destabilizuar situatën atje.

“Unë mendoj se këto grupe janë të koordinuara, nuk veprojnë të vetme, mirëpo ato i përdor Serbia më shumë, si elemente kriminale për të bërë ndonjë destabilizim të mundshëm në Kosovë”, thotë Qalaj.

Ish-kryeprokurori Syla thotë se prania e strukturave ilegale të Serbisë në veri e bën të paqëndrueshme situatën.

“Strukturat ilegale asnjëherë nuk janë shuar në tërësi dhe kohë pas kohe lajmërohen dhe sigurisht se edhe në të ardhmen do të lajmërohen. Mjafton një thirrje e një politikani në Serbi që ato të ringjallen”, thotë Syla.

Për sulmet ndaj policisë nuk ka dashur të flasë as kryetari i Komisionit Parlamentar për Çështje të Sigurisë dhe Mbrojtjes në Kosovë, Bekë Berisha. Ai ka thënë se për këtë çështje do të flasë vetëm në seancën e Kuvendit të Kosovës.

Në Kuvendin e Kosovës ka qenë e paraparë që më 19 prill të zhvillohej një seancë, ku do të diskutohej për çështje të sigurisë, porse ky debat është hequr nga rendi i ditës, pasi partitë opozitare kanë bojkotuar seancën, për shkak të mospajtimeve me pozitën për formimin e një komisioni hetimor parlamentar për krizën energjetike.

Njëjtë nuk ka dashur të komentojë as anëtari i këtij komisioni, Anton Çuni. Ai ka thënë se në komision nuk ka ndonjë informacion zyrtar dhe se nuk mund të flasë më shumë.

Duke komentuar sulmet ndaj Policisë së Kosovës, njohësi i çështjeve të sigurisë në Kosovë, Nuredin Ibishi, thotë se tensionimit të situatës në komunat veriore i ka kontribuuar edhe bllokimi i rrugëve ilegale, që me vite janë shfrytëzuar për kontrabandë nga grupet kriminale.
Qeveria e Kosovës ka nisur qysh në tetor të vitit të kaluar bllokimin e disa rrugëve të tilla ilegale në disa pjesë të Kosovës, përfshirë edhe veriun.

Ibishi thotë se Serbia, përmes “eksponentëve që i ka brenda territorit të Kosovës”, përpiqet t’i rrisë tensionet në Kosovë.

Sulmet ndaj Policisë së Kosovës janë dënuar nga Ambasada amerikane në Prishtinë, nga Bashkimi Evropian dhe nga misioni paqeruajtës i NATO-s, KFOR, i cili ka shprehur gatishmëri për të ofruar asistencë.

“Ne konfirmojmë gatishmërinë tonë për ta mbështetur Policinë e Kosovës nëse ka nevojë dhe nëse kërkohet”, janë përgjigjur nga KFOR-i.

Herën e fundit, kur KFOR-i ka asistuar në vendosjen e rendit dhe ligjit në komunat veriore, ka qenë shtatori i kaluar, pas trazirave që ka shkaktuar një vendim i Qeverisë së Kosovës për masa reciprociteti ndaj Serbisë, për çështjen e targave të automjeteve.

Kontesti është zgjidhur me një marrëveshje të përkohshme që skadon më 21 prill dhe nuk është ende e qartë se si do të zhvillohen gjërat pas kësaj date. /rel/

Në trend Lajme

Më shumë
Profili i metalit i mori jetën një punëtori të ri në Prizren, policia arreston tre menaxherët e ndërtesës

Profili i metalit i mori jetën një punëtori të ri në Prizren, policia arreston tre menaxherët e ndërtesës

Kronika e Zezë
Diell dhe vranësira gjatë kësaj jave - të premten destabilizim i motit

Diell dhe vranësira gjatë kësaj jave - të premten destabilizim i motit

Lajme
Zbulohen prapaskenat e dhunës në takimin e Edi Ramës me diasporën në Londër

Zbulohen prapaskenat e dhunës në takimin e Edi Ramës me diasporën në Londër

Lajme
Tragjedi në Prizren: I bie profili i metalit në kokë, punëtori humb jetën gjatë renovimit të një ndërtese

Tragjedi në Prizren: I bie profili i metalit në kokë, punëtori humb jetën gjatë renovimit të një ndërtese

Kronika e Zezë
Policia arreston tre persona te Manastiri i Deçanit, në targa u shkruante “Kosova është Serbi”

Policia arreston tre persona te Manastiri i Deçanit, në targa u shkruante “Kosova është Serbi”

Lajme
Ngjarja e rëndë në shkollë, flet për herë të parë 14-vjeçari Luis Meçe: Më gjuajti me thikë gjashtë herë

Ngjarja e rëndë në shkollë, flet për herë të parë 14-vjeçari Luis Meçe: Më gjuajti me thikë gjashtë herë

Lajme
Kalo në kategori